Kulturë

“Given” – kundërvënia e natyrës ndaj superioritetit të njeriut

Instalacione artistike e video nga tetë artistë, të shpalosura të martën në hapësirën ku dikur ishte kinemaja verore e ish-kino “Rinisë”, kanë sjellë përfytyrime e vizione për çështjet e mprehta ekologjike që sprovojnë të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit

Thuajse ngjitur me ish-kinemanë “Rinia” së cilës përditë e më shumë po i humben gjurmët, është një hapësirë e vetmuar që gati nuk ekziston për askënd. Brezat e vjetër e kujtojnë si pjesë të kinemasë verore “Rinia”. I harruar për njerëzit, ky cep është bërë vendi ku natyra e koha e ka veshur me barishte të egra, gjethe vjeshtore e degë të rëna. Është një lloj ngadhënjimi i faktorit jo-njeri kundrejt çdo krekosjeje antropocentrike që mendon se ka zaptuar gjithçkajen në natyrë.

Duke u sintonuar bukur me këtë prapavijë, ekspozita “Given” – e hapur paraditen e së martës – ka sjellë veprat e instalacionet e tetë artistëve me ambicien për të trashur dialogun me publikun për çështjet më të ndjeshme ekologjike që ngrihen para njerëzimit.

Si pjesë e rezidencës së artit “Infrared”, e cila kishte hapur thirrjet për aplikim në fund të muajit prill, artistët Abi Shehu, Berat Bajrami, Bib Frrokaj, Bobb Attard, Laureta Hajrullahu, Lori Lako, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi, nëpërmjet perspektivash e frymëzimesh të ndryshme, kanë dhënë vizionin dhe ndjeshmërinë e tyre për natyrën.

E gjithë hapësira në formë rrethore, që tash figuron në pronësinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është ndjesuar njënjëshëm nga artistët si një oazë e vogël e shkurreve dhe barishteve, si të vetmet që i rezistojnë degradimit të avancuar të kësaj cope të qytetit të kthyer në natyrë.

“Është në natyrën e betonit ta shpërfaqë njeriun dhe në natyrën e barishteve të mbijnë kudo. Një ekosistem i ri i krijuar brenda kësaj flluske të lënë mbas dore, në pritje që të bëhet sërish e frytshme në metamorfozat urbanistike”, thuhet në përshkrimin kuratorial të bërë nga artistja, Blerta Hoçia.

E përfshirë në filtrin artistik, hapësira në fjalë ka dhënë edhe “një ide mbi makrokozmosin e realitetit” për zhvillimin njerëzor e ndikimin mbi mjedisin dhe tokësoren.

“A është natyra diçka e dhënë? A është natyra një koncept i shpikur nga njeriu, dhe si pasojë çdo gjë në të ekziston vetëm në formën e perceptimit njerëzor duke e përjashtuar qenien e saj një entitet të pavarur?”, janë disa nga pyetjet e mbarështruara në konceptin e përgjithshëm kuratorial.

Reflektim mbi mendimin antropocentrik

Qysh në hyrje të ekspozitës, vëmendja e vizitorëve është kapërthyer nga i pari instalacion skulpturor i quajtur “Unë jam një krijesë e baltës, jo e qiellit”: katër vazo balte të lidhura me zinxhirë pranë një muri.

Autores së instalacionit, Lori Lako, i kishte shërbyer si nxitje një imazh jo fort familjar në banesën ku ndodhet apartamenti i saj. Në të shumtën e rasteve, ndodh që përpara derës së apartamenteve të lihet një kafshë që shërben si barrierë mes pronës private dhe banesës. Një ditë, ajo çatisi që në njërën nga hyrjet të shihte një vazo lule të lidhur me zinxhirë, diçka që i kishte shërbyer si një “eurekë” e atypëratyshme.

“Vendosa që këtë koncept ta shtrija në një dimension më të gjerë”, ka treguar artistja Lako, e cila me anë të këtij instalacioni kishte ndërfutur edhe një mundësi për reflektim për pozicionin superior që njeriu ka vendosur në hierarkinë e gjërave në natyrë.

Ky koncept, ka vijuar ajo, është i tillë që bën pjesë edhe në përsiatjet e filozofëve ku kritikohet superioriteti arbitrar që ka vendosur njeriu kundrejt elementeve të tjera të natyrës. Vetë mbirja e bimëve në vazo i kundërvihet dominimit që njeriu pretendon se ka ndaj natyrës.

“Në këtë rast bimët dhe barërat janë një lloj akti simbolik i rezistencës si për të thënë se ato nuk kanë nevojë për njeriun”, ka thënë Lako.

Qielli i plasaritur dhe jeta nën serrë

Jo pak metra larg saj në “oazën” vetmitare zinte vend instalacioni “Copa sipër nesh, copa poshtë nesh” e artistes Lumturie Krasniqi. Ishte një lloj “kabine” e najlontë tek e cila kishte vend veç për një vizitor. Sipër saj ishte vendosur edhe një pikturë, në teksturën e së cilës kishte diçka që asocionte me një qiell të plasaritur si simbol i ndotjes së ajrit.

“Është edhe një reflektim se si do të ngjante sikur kjo pikturë të vendosej në tokë, ku të dukej si një akullnajë që lundron në oqean”, ka thënë Krasniqi.

Materialin e najlontë, i njëjtë me atë që përdoret për të bërë serra, artistja e kishte zgjedhur nergut për ta transmetuar si përjetim te njerëzit, si një interpretim për “bimët e prodhuara nga njeriu”, por edhe për efektin serrë në natyrë.

“Dua të lë interpretime të hapura te publiku që përmes ndjesive të tyre të mund të reflektojnë për çështje të ndryshme, siç është ndotja e mjedisit në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ishte një fotografi e vendosur në murin rrethues të hapësirës qarkore. “X” e kishte quajtur artisti maltez, Bobb Attard, imazhin e stërpërsëritur të një ndërtese në Prishtinë. Sipas konceptit kuratorial, simboli i shumëzimit e lidh projektin me “konceptin e infinitit”.

Attard si banor i Maltës, ishullit postkolonialist që përballet ende me çështje të planifikimit urban, kishte vënë re shumë ngjashmëri me Prishtinën.

“Këto objekte, shpeshherë të ndërtuara si investime dhe të lëna të pabanuara, gradualisht eliminojnë hapësirat e gjelbra, duke ndikuar në ambientin dhe mirëqenien tonë për të kënaqur dëshirën tonë njerëzore”.

“Plastika, optika e re e natyrës”

Image

Instalacioni “Ishulli i lumturisë” i Berat Bajramit tërheq vëmendjen për akustikën e pazakontë me oshëtimën e valëve e zëra gazmorë fëmijësh e të rriturish

Instalacioni i radhës, “Ishulli i lumturisë” tërhiqte vëmendjen për akustikën e pazakontë me oshëtimën e valëve e zëra gazmorë fëmijësh e të rriturish. Artisti, Berat Bajrami, kishte vënë aty dy punime grafike të printuara për të dhënë një dimension tjetër të detit.

Sipas konceptit të tij kuratorial, plastika tani është optika e vërtetë dhe realiteti i gjithë natyrës, përfshirë edhe detin.

“E gjithë ideja është që publiku të vendoset në një dimension tjetër të ri të kohës e hapësirës, në të cilin tashmë natyra nuk përbën mundësi për shfrytëzim”, ka treguar Bajrami.

Dhe “ishujt”, sipas tij, tashmë ekzistojnë falë kujtesës kolektive, e për të cilën kishte shkëputur një audio me zëra fëmijësh e të rriturish që shijojnë plazhet.

“Vepra është një formë e ironizimit se ishujt do të jenë të plastikës dhe një fakt i tillë është lumturi për plastikën, por e kundërta për natyrën dhe njeriun si pjesë e saj”, ka vijuar tutje Bajrami.

Edhe valët e detit, sipas tij, japin të kuptojnë se njeriu e ka trazuar detin si tërësi duke ia prishur harmoninë.

“Zëri në audio vjen si ndërhyrje që e prish qetësinë dhe thërret për mendim e interaktivitet me natyrën”, ka theksuar Bajrami.

Hoçia: “Kthimi në konceptin e natyrës”

Në qendër të hapësirës rrethore ishte vënë një ekran me filmin e shkurtër të Abi Shehut “Guri i Kuq”. Bëhej fjalë për shkëmbin mijëvjeçar ku parakalimet e dritës dhe hijet shërbenin si orë natyrore për banorët.

“Lura është një moment i paharrueshëm në serinë e katastrofave ekologjike të Shqipërisë. Puna ka një mëtim që të pa prekë Lurën, t’ia ndjejë pulsin e jetës së re që i rreh nën petka fshatarësh të varfër e rrënimesh të tjera”.

Me frymën e ndjeshmërisë për mjedisoren ishin të lidhura edhe videoja e Bib Frokajt “The Big Snake”, instalacioni “Look Up, Zoom in, Space Out” i Laureta Hajrullahut si dhe “The Land From” i Yll Xhaferit.

Image

Me frymën e ndjeshmërisë për mjedisoren vjen edhe “The Land From” nga Yll Xhaferi

E kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia, ka thënë se synimi i ekspozitës ishte që koncepti të integrohej me vendin e zgjedhur. Për të, e gjithë gjëja ishte një “kthim i konceptit të natyrës” e më saktë kundërpërgjigja e saj ndaj të menduarit antropocentrik.

“Ka kohë që këtë vend e ka zaptuar pak nga pak natyra”, ka thënë Hoçia për KOHËN teksa ka përmendur edhe faktin që perceptime të ndryshme lindin nëse veprat kundrohen gjatë natës.

E gjithë puna e artistëve, ka vijuar ajo, mundëson një ndryshim të këndvështrimit të natyrës.

“Edhe me pandeminë e kemi parë se natyra nuk është jashtë nesh, ne përbëhemi prej saj dhe se nuk ka vijë ndarëse mes nesh dhe mjedisit”, ka vlerësuar Hoçia.

Ndryshe, edicioni i dytë i rezidencës së artit “Infrared” është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes me po të njëjtin emër, e cila në përgjithësi është e padukshme për syrin e njeriut, por që mund të ndihet si nxehtësi dhe mund të shihet vetëm nën rrethana të caktuara me pajisje të veçanta.

Në të njëjtën vijë të mendimit, metodologjia e rezidencës së artit “Infrared” ka për qëllim që të identifikojë çështje të ndryshme që lidhen me komunitetin dhe të drejtat e njeriut, duke përdorur pajisje “të veçanta” siç është arti për të prekur dhe trajtuar çështje të tilla.

“Infrared” përmes rezidencave artistike ka për qëllim që të krijojë një dialog publik mbi çështje të caktuara, duke kontribuar në ngritjen e nivelit të mendimit kritik të artistëve të rinj se si ta shfrytëzojnë artin si mjet për të vepruar.