Më shumë se dy mijë vjet pas vdekjes së saj, Kleopatra mbetet një nga figurat më intriguese të historisë. Një përvojë e re gjithëpërfshirëse e hapur në Londër synon të ndajë gruan nga miti — me pak ndihmë nga artefaktet e lashta dhe teknologjia më e avancuar. Një pyetje në një nga muret e ekspozitës i ndalon vizitorët në vend: Ajo ishte gruaja e parë që udhëhoqi dhe përcaktoi rrjedhën e një perandorie, por kush ishte ajo?
Ajo sundoi Egjiptin për dy dekada, krijoi aleanca me burrat më të fuqishëm në botën romake dhe ka magjepsur historianë, artistë dhe tregimtarë për dy mijë vjet. Tani Kleopatra — mbretëresha e fundit e Egjiptit — është subjekt i një ekspozite të re madhore gjithëpërfshirëse që është hapur në Londër, duke sjellë botën e saj në jetë nëpërmjet një kombinimi të artefakteve origjinale dhe teknologjisë së Realitetit Virtual.
Duke mbuluar dy mijë metra katrorë në nëntë galeri interaktive, ky është debutimi në Britani të Madhe i ekspozitës “Cleopatra: The Experience”, që tashmë ka tërhequr më shumë se 200 mijë vizitorë që nga nisja e saj në Madrid dhe pritet të shfaqet edhe në gjashtë vende të tjera pas Londrës.
Një pasqyrë e rrethuar nga një gjarpër reflekton Kleopatrën përpara vizitorëve — një nga disa instalacionet e dizajnuara për të zbehur kufirin midis së tashmes dhe botës së lashtë. Përvoja zhvillohet në dhomat me projeksione, prezantime holografike dhe instalacione interaktive, të zhvilluara në bashkëpunim me kuratorë historie dhe egjiptologë, dhe të miratuara nga egjiptologu britanik, dr. Chris Naunton.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Kuratori i ekspozitës, Nacho Ares, mbikëqyri zhvillimin e kësaj përvoje dhe ai është i qartë se teknologjia i shërben historisë, e jo ta zëvendësojë atë.
“Në këtë ekspozitë kemi dy mënyra për të shijuar figurën e Kleopatrës. E para janë teknologjitë e reja, metaversi i realitetit virtual, ku mund të ecësh me syze VR. Është e mahnitshme, sepse mund të vizitosh pallatin e Kleopatrës në Aleksandri. Kemi një udhëtim me syze VR drejt lashtësisë për të vizituar varrin e Kleopatrës. Është një nga misteret më të pabesueshme të jetës së saj”, ka thënë ai.
Qyteti i Aleksandrisë — kryeqyteti i Kleopatrës dhe një nga metropolet më të mëdha të botës së lashtë — është në qendër të kësaj përvoje. I themeluar nga Aleksandri i Madh në vitin 331 para erës sonë, ai ishte selia e Dinastisë Ptolemaike që Kleopatra do ta trashëgonte më vonë dhe qyteti fati i të cilit do të lidhej ngushtë me të sajin.
Krahas teknologjisë, sipas Ares, ka edhe objekte nga Egjipti i lashtë.
“Kemi gjithashtu artefakte reale, pjesë origjinale që lidhin të tashmen me të kaluarën”, ka thënë ai.
Koleksioni — i prezantuar në bashkëpunim me galerinë arkeologjike “Felix Cervera” në Barcelonë — përfshin më shumë se 22 artefakte origjinale nga periudha helenistike dhe ajo e vonë egjiptiane.
Midis tyre, një maskë funerale anonime nga shekujt e parë dhe të dytë të erës sonë, dhe një figurë bronzi e perëndeshës Isis, me të cilën vetë Kleopatra identifikohej fort.
Një projeksion në dhomën tjetër gjurmon jetën e Kleopatrës nga fëmijëria deri në moshën e rritur.
Vizitorët më pas hyjnë në metaversin e realitetit virtual — syzet VR i transportojnë ata në pallatin e Kleopatrës në Aleksandri. Pamjet i vendosin vizitorët pranë mbretëreshës teksa ajo vështron Gjirin e Aleksandrisë, me Farin — një nga Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë — të dukshëm në distancë, përpara se të hyjnë në Tempullin e Aleksandrisë.
Një pyetje në një nga muret e ekspozitës i ndalon vizitorët në vend: Ajo ishte gruaja e parë që udhëhoqi dhe përcaktoi rrjedhën e një perandorie, por kush ishte ajo?

Është një pyetje që ekspozita e merr me seriozitet. Dr. Chris Naunton është i sinqertë për kompleksitetin e burimeve historike.
“Propaganda romake është një burim i madh dhe i rëndësishëm informacioni për historinë e Kleopatrës, nuk ka dyshim për këtë. Ato na japin një histori shumë dramatike, pothuajse skenë pas skene, e cila sigurisht është frymëzim perfekt për Shakespearein dhe Hollywoodin. Kemi dëshmi arkeologjike dhe tekstuale nga ajo kohë, mbishkrime egjiptiane, tekste egjiptiane dhe gjithashtu greke, që plotësojnë këto burime. Pra nuk ka dyshim që ajo ishte një figurë historike reale. Mund të themi kur sundoi, mund të themi diçka për prejardhjen e saj familjare, si erdhi në fron. Dimë kontekstin historik dhe politik të kohës së saj”, ka thënë ai.
Paraqitja e Kleopatrës nëpërmjet artit në këtë ekspozitë eksploron dy mijë vjet përfaqësimi, nga bustet romake, te Shakespearei e deri te Hollywoodi.
Informacioni mbi varrin e saj u kujton vizitorëve se, pavarësisht shekujve kërkime, vendi ku ajo është varrosur nuk është gjetur kurrë. Një sekuencë e dytë VR i çon vizitorët në një udhëtim nën ujë — pranë sfinksave të fundosur dhe rrënojave të një qyteti të zhytur — në kërkim të asaj që mund të fshihet nën det.
Naunton shpjegon se afërsia e ujit me vendin ku mendohet se ndodhej varri mund të nënkuptojë që ai është zhdukur shekuj më parë: “Ka shumë gjasa, dhe përsëri këtë na e tregojnë burimet romake, që varri i Kleopatrës, gjithashtu varri i Aleksandrit të Madh, dhe ndoshta edhe varret e pjesës tjetër të Ptolemenjve, ishin aq afër sa mund të jenë shkatërruar, nëse jo nga lufta, atëherë nga një katastrofë natyrore si cunami”.
Elementi më spektakolar i kësaj përvoje është një dhomë e madhe projeksioni 360 shkallë dhe tetë metra e lartë, ku vizitorët dëshmojnë skena të ndryshme, përfshirë Kleopatrën që ngrihet nga shtrati i vdekjes, me një gjarpër pranë, përpara se të përjetojnë sërish Betejën e Aktiumit, përplasjen detare me Romën që vulosi fatin e saj.
Është imazhi më goditës i ekspozitës: një grua që zgjodhi mënyrën e vdekjes së saj në vend që t’i nënshtrohej poshtërimit romak.
Ekspozita “Cleopatra: The Experience” u hap për të gjithë vizitorët më 26 mars në Londër.