Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjendet unaza me farin e famshëm të Aleksandrisë

Unaza u gjet në Antirodos, një ishull i vogël që sot ndodhet disa metra nën sipërfaqen e detit. Farit i famshëm të Aleksandrisë i gdhendur në unazë është një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë

Unaza u gjet në Antirodos, një ishull i vogël që sot ndodhet disa metra nën sipërfaqen e detit. Farit i famshëm të Aleksandrisë i gdhendur në unazë është një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë

Arkeologët kanë gjetur në portin e fundosur të Aleksandrisë së lashtë një unazë bronzi me vulë, në të cilën është gdhendur paraqitja e Farit të famshëm të Aleksandrisë, një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.

Autoritetet e Egjiptit bëjnë të ditur se kjo është hera e parë që një paraqitje e farit është gjetur në një unazë të këtij lloji, thuhet në njoftim.

Unaza u gjet në Antirodos, një ishull i vogël që sot ndodhet disa metra nën sipërfaqen e detit, në atë që dikur ishte porti i madh mbretëror i Aleksandrisë. Unaza u zbulua nga një ekspeditë e përbashkët e Institutit Evropian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM) dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Antikitetet Nënujore të Këshillit të Lartë të Antikiteteve të Egjiptit. 

Ndryshe nga një stoli e zakonshme, unaza me vulë kishte një funksion praktik. Motivi i gdhendur në sipërfaqen e saj mund të shtypej në dyll ose argjilë dhe të linte një shenjë të dallueshme të pronarit, pra vulën e tij.

Në unazën e sapozbuluar ndodhet paraqitja e Farit të Aleksandrisë. Sipas Hisham El-Leithy, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Antikiteteve, paraqitja i ngjan pamjeve të farit që njihen nga monedhat romake të Aleksandrisë të shekullit II.

Pikërisht për këtë arsye, zbulimi është veçmas interesant. Fari është paraqitur në unazë si një simbol i dallueshëm i qytetit dhe jo thjesht si pjesë e një peizazhi monumental.

Megjithatë, për momentin nuk dihet se kur është prodhuar unaza, sa është madhësia e saj, nëse mban ndonjë mbishkrim tjetër dhe kush e ka mbajtur. Nuk dihet as nëse pronari i saj kishte ndonjë lidhje me vetë farin.

Fari i Aleksandrisë u ndërtua midis viteve 297 dhe 284 para erës sonë, gjatë sundimit të Ptolemeut I, në ishullin Faros, në hyrje të portit të madh të qytetit. Sipas burimeve antike, ai ishte rreth 120 metra i lartë, që do të ishte afërsisht sa lartësia e një ndërtese moderne prej 40 katesh.

Ai ishte një nga ndërtesat më të famshme të botës së lashtë dhe për shekuj me radhë ndihmoi anijet të gjenin rrugën drejt Aleksandrisë.

Pamjen e tij e njohim edhe falë monedhave romake. Në disa prej tyre, fari paraqitet me një statujë në majë dhe me figura të Tritonëve në qoshet e nivelit të parë. Sipas autoriteteve egjiptiane, një renditje e ngjashme e elementeve mund të dallohet edhe në unazën prej bronzi.

Fari u zhduk më shumë se shtatë shekuj më parë. Tërmetet, veçanërisht ato të viteve 1303 dhe 1323, e dëmtuan rëndë strukturën e tij, ndërsa më vonë në vendin e tij u ndërtua kalaja Kajtbej.

Sot, blloqet e mëdha prej guri që i përkisnin farit po studiohen në shtratin e detit, ndërsa paraqitjet e tij gjenden në monedha antike dhe në objekte të tjera.