Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Anija e fundosur bizantine, një thesar në Adriatik

Anija e fundosur bizantine nga Mesjeta e Hershme veçohet si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të periudhës bizantine në Mesdhe

Anija e fundosur bizantine nga Mesjeta e Hershme veçohet si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të periudhës bizantine në Mesdhe

Një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeologjisë nënujore në bregun lindor të Adriatikut ndodhet në ujërat pranë ishullit të Mjetit në Kroaci. Bëhet fjalë për një anije të fundosur bizantine të shekullit VII ose VIII, ngarkesa jashtëzakonisht e pasur e së cilës ka nxjerrë artefakte që deri më tani nuk janë gjetur në fundin e Detit Mesdhe.

Instituti Kroat për Restaurim ka kryer kërkime arkeologjike nënujore në zonën e Mjetit për 19 vjet. Gjatë kësaj periudhe janë zbuluar plot 20 anije të fundosura, të panjohura më parë, të datuara nga shekulli II para erës sonë deri në shekullin XVI. Megjithatë, pikërisht kjo anije bizantine e fundosur nga Mesjeta e Hershme veçohet si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të periudhës bizantine në Mesdhe. Kërkimet arkeologjike në këtë lokalitet nisën në vitin 2015 dhe deri më sot janë zhvilluar nëntë ekspedita kërkimore. Gjetjet më të vlefshme janë katër garnitura të arta brezash me kopsa dhe skaje rripash të zbukuruara me smeralde, rubinë dhe perla. Bëhet fjalë për elemente luksoze që zbukuronin rripat prej lëkure të funksionarëve të lartë bizantinë, ndërsa objekte të tilla nuk janë gjetur më parë në fundin e Detit Mesdhe. Përveç tyre, arkeologët kanë zbuluar edhe disa monedha ari të katër perandorëve të dinastisë së Herakliut, të cilat datojnë nga fundi i shekullit VII. Pikërisht falë këtyre monedhave është bërë i mundur përcaktimi më i saktë i kohës kur anija u fundos. Vëmendje të veçantë të studiuesve tërhoqi një unazë prej ari me figurën e një perandori nga dinastia e Herakliut. Sipas specialistëve, një unazë e tillë mund t’i përkiste vetëm një personi nga elita më e lartë shtetërore ose ushtarake e Perandorisë Bizantine, i autorizuar për të vulosur dokumentet perandorake.

Për këtë arsye, mendohet se ajo mund të ketë qenë një dhuratë diplomatike ose send personal i një zyrtari të lartë bizantin. Ky zbulim sugjeron se mes udhëtarëve ose pronarëve të ngarkesës ka të ngjarë të ketë qenë një person nga maja e administratës bizantine.

Përveç objekteve luksoze, anija transportonte edhe një ngarkesë të vlefshme tregtare. Në vendin e zbulimit janë gjetur amfora, peshore tregtare e enë qeramike.

Analiza e këtij materiali pritet të sjellë të dhëna të reja mbi lidhjet tregtare të Perandorisë Bizantine dhe rrugët detare në Adriatik gjatë Mesjetës së Hershme.