Turma vizitorësh janë dyndur të martën në Muzeun e Madh Egjiptian (GEM) në Kajro për të zbuluar koleksionin pothuajse të plotë të thesareve të Tutankhamonit, i cili i prezantohet publikut për herë të parë, raporton AFP.
Një galeri e gjerë me katër nivele është ndërtuar në zemër të muzeut për të strehuar më shumë se 4 mijë e 500 objekte nga varri mbretëror i zbuluar në vitin 1922 nga arkeologu britanik, Howard Carter, gjatë gërmimeve në Luginën e Mbretërve në Egjiptin e Sipërm.
Maska e famshme mbretërore prej ari qëndron në mënyrë të spikatur midis objekteve funerale të projektuara për të shoqëruar të vdekurit në jetën e përtejme, statuja, armë, bizhuteri, skeptra apo vegla shtëpiake.
Dy fetuse të mumifikuara të zbuluara në varrin mbretëror janë ekspozuar për herë të parë.
Mumja e Tutankhamonit ende prehet në varrin në Egjiptin e Sipërm.
Por, sarkofagu prej kuarci të kuq, që përmban tri arkivole të vendosura brenda, dhe që peshon 110 kilogramë u ekspozua në muzeun e ri.
GEM, i cili është pajisur me një koleksion prej 100 mijë eksponatesh, strehon gjithashtu varkën e mbretit Khufu, të ndërtuar afërsisht 4 mijë e 600 vjet më parë.
Një urë e madhe për këmbësorë së shpejti do ta lidhë muzeun me kompleksin e piramidave, të vendosur më shumë se një kilometër larg në pllajën e Gizës.
Muzeu, një strukturë monumentale me pamje nga Rrafshnalta e Gizës, bie në kontrast të fortë me Muzeun Egjiptian të epokës koloniale, të ngushtë dhe të mbingarkuar, që ndodhet në qendër të Kajros.
Drita natyrore depërton përmes dritareve të mëdha trekëndëshe, duke ndriçuar si statujat kolosale ashtu edhe bizhuteritë delikate nga qytetërimi i lashtë egjiptian.
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, e hapi zyrtarisht muzeun me vlerë 1 miliard dollarë të shtunën, në një ceremoni ku morën pjesë mbretër, mbretëresha, krerë shtetesh dhe personalitete të tjera të larta.
Egjipti shpreson që muzeu të ringjallë turizmin dhe të forcojë ekonominë e vendit. Sipas tij, së shpejti muzeu do të mirëpresë prej 5 deri në 6 mijë vizitorë në ditë.
I ndërtuar pranë Piramidave të Mëdha të Gizës, muzeu është cilësuar si mrekullia e fundit e mbetur nga bota e lashtë. Kompleksi, që shtrihet në 120 hektarë (rreth 0.5 kilometra katrorë) – dyfish më i madh se Muzeu i Louvreit në Paris – ekspozon nga 70 mijë deri në 100 mijë eksponate, përfshirë edhe thesarin e paparë më parë nga varri i faraonit Tutankhamonit.
Projekti i Muzeut ishte paralajmëruar për herë të parë në vitin 2002 dhe hapja e tij ishte planifikuar për vitin 2012, por është shtyrë disa herë për shkak të kostove të larta, trazirave politike, pandemisë së koronavirusit dhe konflikteve në rajon.
Ky mega-projekt ka kushtuar rreth 1.2 miliard dollarë dhe pjesa më e madhe e fondeve është siguruar përmes kredive nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Muzeu, të cilin kryeministri Mustafa Madbuli e kishte quajtur “dhuratën e Egjiptit për botën”, synon të theksojë rëndësinë dhe ndikimin e kulturës egjiptiane, por edhe të nxisë rimëkëmbjen e ekonomisë së dobësuar të vendit.
“Egjipti i lashtë i magjeps të gjithë”, kishte thënë Salima Ikram, profesoreshë në Universitetin e Kajros, pak ditë para hapjes së Muzeut. “Edhe grekët, romakët dhe fenikasit e konsideronin Egjiptin si tokën e misterit dhe të dijes”.
Qëllimi i muzeut është të rilidhë egjiptianët e sotëm me trashëgiminë e tyre.
“Kjo do të zgjojë një ndjenjë të madhe krenarie kombëtare dhe do ta bëjë që Egjipti i lashtë të bëhet pjesë e përditshme e identitetit të çdo egjiptiani”, kishte thënë Ikram.
Përveç thesarit të Tutankhamonit, janë ekspozuar edhe shumë artefakte të tjera të rëndësishme, përfshirë statujën madhështore të Ramzesit II, më shumë se 3.200 vjet të vjetër, e cila tani mirëpret vizitorët në sallën kryesore të muzeut.
Kjo statujë, si dhe shumë pasuri të tjera që datojnë deri në 7000 vjet para erës sonë kanë histori emocionuese. Për më shumë se gjysmëshekulli, ajo qëndronte përpara stacionit kryesor të trenit në Kajro dhe u transferua në muze pas një parade solemne nëpër rrugët e qytetit.
Një vend të veçantë në muze zë Anija e Diellit e faraonit Keops, një anije funerale 4600-vjeçare, një nga më të vjetrat dhe më të ruajturat në botë.