Artefaktet e zbuluara gjatë një gërmimi trevjeçar u gjetën në zonën e Deir al-Bahari në nekropolin e Thebas në bregun perëndimor të Nilit, bëri të ditur, nëpërmjet një deklarate, egjiptologu i njohur Zahi Hawass, i cili udhëhoqi misionin në bashkëpunim me Këshillin Suprem të Antikiteteve të Egjiptit. Gjetjet vijnë në një kohë kur Egjipti i ka rritur përpjekjet për ta ringjallur sektorin e turizmit, një burim kryesor të ardhurash për ekonominë e vendit që po kalon vështirësi
Në Egjipt kanë dalë në pah gjetje të reja arkeologjike, duke përfshirë varret 4000-vjeçare të zyrtarëve të lartë dhe vepra arti nga koha e Mbretëreshës Hatshepsut, në një nekropol të lashtë në qytetin e famshëm Luxor.
Artefaktet e zbuluara gjatë një gërmimi trevjeçar, u gjetën në zonën e Deir al-Bahari në nekropolin e Thebas në bregun perëndimor të Nilit, bëri të ditur nëpërmjet një deklarate, egjiptologu i njohur Zahi Hawass, i cili udhëhoqi misionin në bashkëpunim me Këshillin Suprem të Antikiteteve të Egjiptit.
Gjetjet e reja datojnë nga koha e dinastisë së 15-të (1650-1550 para erës sonë) deri në dinastinë e fuqishme të 18-të (1550-1292 para erës sonë), që përfshinte faraonë si mbretëresha Hatshepsut dhe mbretin Tutankhamun.
Ekipi gjithashtu zbuloi një pjesë të paprekur të themeleve për tempullin e luginës së kompleksit përkujtimor të mbretëreshës Hatshepsut, si dhe vepra arti të ndërlikuara të realizuara në relieve të hollësishme dhe mbishkrime me ngjyra jashtëzakonisht të ruajtura.
Disa nga 1500 blloqet e dekoruara përshkruajnë mbretëreshën dhe pasardhësin e saj, Thutmose III, duke kryer rituale të shenjta.
“Është skena më e bukur që kam parë ndonjëherë në jetën time”, ka thënë Hawass, i cili zbuloi personalisht gjetjet e reja në tempull. “Kjo është hera e parë që kemi një program përfundimtar të dekorimit të një tempulli që daton nga dinastia e 18-të”, shtoi ai për gazetarët.
Nën themelet e tempullit, arkeologët zbuluan gjithashtu një set të paprekur veglash ceremoniale të gdhendura me emrin e mbretëreshës Hatshepsut.
Gjetjet e tjera kryesore përfshinin varrezat e gdhendura në shkëmb të zyrtarëve të lartë të Mbretërisë së Mesme dhe një varr të dinastisë së 18-të të “mbikëqyrësit të pallatit” të mbretëreshës Tetisheri.
Tetisheri ishte gjyshja e mbretit Ahmose I, i cili dëboi hyksosët, një popull i Azisë Perëndimore që pushtoi Egjiptin dhe kontrolloi deltën e Nilit për gati një shekull.
Po ashtu u zbuluan dhe gropa varrosjeje që përmbanin arkivole prej druri të shënuara me një emblemë të pendës të dinastisë së 17-të, si dhe varre fëmijësh të mbushur me lodra.
Njoftimi i së mërkurës erdhi në një kohë kur Egjipti i ka rritur përpjekjet për të ringjallur sektorin e turizmit, një burim kryesor valutash të huaja për ekonominë e vendit që po kalon vështirësi.
Vitin e kaluar, Egjiptin e vizituan 15.7 milionë turistë dhe ka për qëllim të tërheqë 18 milionë këtë vit.
Marrë nga “AlArabiya News”