Kosova ka marrë lajm të mirë për Elvis Rexhbeçajn, i cili e ka lënë prapa lëndimin e pësuar në shpinë.
Rikthimi i Rexhbeçajt tek Augsburgu u bë të shtunën, por skuadra e tij pësoi disfatë të thellë 6:0 në shtëpi nga Leipzigu. Ai luajti nga minuta e 65-të.
Rexhbeçaj luajti 50 minuta në barazimin pa gola të Kosovës ndaj Sllovenisë në Prishtinë më 10 tetor, por më pas u zëvendësua për shkak të telasheve në shpinë.
Ky lëndim i mesfushorit 27-vjeçar bëri që ai të mungojë në fitoren 1:0 të Kosovës ndaj Suedisë tri ditë më pas. Të dyja ishin ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026.
Augsburgu të shtunën pësoi katër gola në pjesën e parë, e dy në pjesën e dytë.
Augsburgu mbetet me shtatë pikë në pjesën e poshtme të tabelës, kurse Leipzigu ka 19 pikë në vendin e dytë.