“Pas një pune disamujore për zhvillimin dhe përgatitjen e sistemit, është shënuar një hap i rëndësishëm drejt krijimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës dhe digjitalizimit të shërbimeve bibliotekare”, ka njoftuar të martën institucioni më i lartë bibliotekar në vend, e me këtë vijnë rezultatet e para të një sistemi kaherë të paralajmëruar. Në këtë fazë, platforma përfshin të dhëna bibliografike nga BKK-ja, ndërsa në vijim do të plotësohet gradualisht edhe me të dhënat e 48 bibliotekave të tjera publike në Kosovë
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka lansuar platformën kombëtare të katalogut të bibliotekave, “KOHA”. Sipas njoftimit të këtij institucioni, Rrjeti Bibliotekar i Kosovës është bërë realitet dhe të martën është lansuar zyrtarisht Platforma Kombëtare e Katalogut të Bibliotekave. Me këtë hap duket se vetë Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka dalë nga një avari e vjetër me sistemin “Aleph 500” që e ka paguar me goxha shifra, e ndër vite s’është bërë rehat me të.
“Pas një pune disamujore për zhvillimin dhe përgatitjen e sistemit, është shënuar një hap i rëndësishëm drejt krijimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës dhe digjitalizimit të shërbimeve bibliotekare”, shkruhet në njoftim. Sipas BKK-së, Platforma është e qasshme online në adresën “www.katalogu-bibliotekat.com”. Institucioni ka njoftuar se në këtë fazë, ajo përfshin të dhëna bibliografike nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ndërsa në vijim do të plotësohet gradualisht edhe me të dhënat e bibliotekave të tjera pjesëmarrëse.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në projekt janë të përfshira 48 biblioteka publike në Kosovë, të cilat do të integrohen në një sistem të përbashkët. Bibliotekat që tashmë përdorin sisteme të integruara bibliotekare do të migrojnë të dhënat e tyre, ndërsa bibliotekat e tjera do të trajnohen për përdorimin e platformës dhe krijimin e regjistrimeve bibliografike”, shkruhet në njoftim. Bëhet e ditur se përmes këtij sistemi do të mundësohet qasje e unifikuar në katalogët e të gjitha bibliotekave dhe do të forcohet bashkëpunimi ndërmjet bibliotekave në vend.
Vjet në nëntor KOHA ka raportuar se Biblioteka Kombëtare e Kosovës qe në prag të rrumbullakimit të një viti prej kur ishte bërë thjesht strehë e leximit. S’mund të ofronte në shërbim asnjë libër ose çfarëdo njësie tjetër bibliotekare që e posedonte nëpërmjet sistemit bibliotekar pasi s’funksiononte. Shërbimet, ato që mund të jepeshin bëheshin në mënyrë mekanike.
Krejt kjo kishte ardhur për shkak të kolapsit të shërbimit bibliotekar, saktësisht sistemit “Aleph 500” që e ofronte këtë shërbim. Telashet nuk qenë të reja. Zënë vend të paktën këtu e katër a pesë vjet më parë, me sistemin e blerë para dy dekadash.
Në përgjigjet e institucionit për problemin e shërbimit, asokohe BKK-ja sqaronte i ka dhënë përparësi krijimit dhe implementimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës, një projekt strategjik që po realizohet aktualisht.
“Ky rrjet do të ofrojë shërbime shumë më të avancuara për përdoruesit, përfshirë një sistem të ri elektronik të menaxhimit të bibliotekave – programin ‘Koha’, i cili është në fazën e instalimit dhe do të përdoret jo vetëm nga Biblioteka Kombëtare, por edhe nga 48 biblioteka anëtare të rrjetit në gjithë Kosovën”, shkruhej në përgjigje. Sipas institucionit, ky projekt inovativ pritej të siguronte një platformë moderne, funksionale dhe të qëndrueshme për qasje në literaturë dhe të dhëna bibliografike, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve për lexuesit dhe studiuesit në të gjithë vendin.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndër vite e ka çuar një pjesë të mirë të buxhetit të vet në programin për shërbime bibliotekare “Aleph-500”. Më 2004 ky program, që është një sistem i integruar për menaxhimin e bibliotekave, ishte blerë për 131 mijë euro për t’u funksionalizuar më 2005 në atë që asokohe ishte Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës. Institucioni që asokohe udhëhiqej nga Sali Bashota do të proklamonte këtë si alamet programi funksional dhe për këtë do të paguanin edhe disa biblioteka të qyteteve. Por vazhdimisht hallet ishin të mëdha.
Në vitin 2015 Ministria e Kulturës kishte bërë një auditim në BKK. Njësia e Brendshme e Auditimit asokohe kishte gjetur se “Aleph-500” i kompanisë izraelite “Ex Libris” kushtonte shumë në raport me përdorimin e paktë që i bëhej. Veç për mirëmbajtje të programit asokohe paguheshin gati 18 mijë euro në vit, duke e rritur këtë shifër nga 3 për qind për çdo vit.
“Sipas pohimit të zyrtarëve kompetentë të kësaj biblioteke, ky program është shumë i avancuar në kuptimin e funksionalitetit të Bibliotekës dhe për shkak të mungesës së kuadrit profesional në fushën e teknologjisë informative dhe në gjuhën angleze, programi nuk shfrytëzohet as në gjysmën e kapaciteteve të tij”, shkruhej në raportin e auditimit. Auditori kishte konstatuar se bëhet fjalë për pagesa të shumave të konsiderueshme vjetore për një program, funksioni i të cilit nuk përdoret as 50 për qind. Lidhur me funksionimin e “Aleph-500”, Njësia e Auditimit të Brendshëm kishte kërkuar sqarime nga ish-drejtori i BKK-së, asokohe kryetari i Këshillit Drejtues, Sali Bashota. Ai kishte refuzuar të deklarohej. “Nuk është punë e auditimit”, kishte cituar auditori Bashotën.
Lexo edhe: