Në sferën ku rrëfimi ndërthuret me artin pamor “Udhëtojmë” shpalos plot 114 ilustrime, të përqendruara rreth librit të dashur për fëmijë “Beni ecën vetë”. Kjo ekspozitë shërben si një dëshmi e fuqisë transformuese të interpretimit artistik, duke i dhënë jetë ekzistencës dikur të zymtë të personazhit të dashur Beni nga ilustrimet mjeshtërore të Zamir Matit
Ngjyrat në pëlhurë e shpesh i kapërcejnë fjalët e thjeshta, ku ilustrimet bëhen paleta për të futur nuancat e jetës në ekzistencën e shkallës gri. Brenda ekspozitës “Udhëtojmë”, metamorfoza e Benit, një personazh i dashur në veprën e Kiço Blushit “Beni ecën vetë”, merr jetë nën lëvizjet e shkathëta të penelit artistik të Zamir Matit. Bota e Benit – dikur një peizazh i vetmisë i përshkruar në nuancat bardhezi, pos librit, edhe në shirit filmik, konkretizuar prej Xhanfise Kekos më 1975 – tash gjeti një rilindje. Tregimi rrëfen udhëtimin prekës të një personazhi, jeta e të cilit pasqyron tonet e zymta të izolimit.
Mati me një prekje vizionare e futi këtë rrëfim me një simfoni ngjyrash, duke dhënë gjallëri në realitetin monokromatik të Benit. Nëpërmjet një shkrirjeje të përpiktë të nuancave orkestroi transformimin, duke i dhënë një kuptim të ri ekzistencës së Benit. Kjo ekspozitë artistike është realizimi i ëndrrës së Blushit. Dëshirës për të parë përrallën e Benit jo vetëm në faqe, por edhe të përkthyer në ilustrimet e mikut të tij, Matit. Realizimi i këtij projekti u bë pikënisja e ekspozitës “Udhëtojmë”.
Ekspozita e cila po qëndron e hapur në galerinë “Qahili” dhe artisti Mati ka folur më tepër rreth bashkëpunimit midis tij dhe Galerisë.
“Është në nderin tonë që ne vazhdojmë të udhëtojmë së bashku me veprën e bukur të shkrimtarit Kiço Blushi, gjithmonë me kënaqësinë pranë një miku të çmuar, pranë një shoku, një qytetari, një vëllai e tashmë një shkrimtari të artit e letërsisë sonë kombëtare…Ekspozita me 114 vizatime me ngjyra ishte një surprizë e bukur për mua në organizimin estetik, në një hapësirë moderne plot dritë të galerisë ‘Qahili’ në Prishtinë, rezultat edhe i punës plot shije estetike të drejtueses artistike Nitës dhe grupit të punës që ajo angazhon dhe kjo mënyrë realizimi dhe rezultati me një dezàj modern të frymëzon më tej për gjetur mundësinë që të kemi një hapësirë të ngjashme dhe të pasuruar më shumë me filmat, skenarët e të cilëve i ka realizuar shkrimtari Kiço Blushi dhe me krejt veprën e tij artistike, publicistikën qytetare e demokratike të vlerësuar ndër vite”, ka thënë Mati.

Përditshmëria e Benit i mbyllur në shtëpi, ku veprimet e tij janë të kufizuara nga kujdesi i tepërt i prindërve e deri tek udhëtimi në fshat ku fillon të gjurmojë personalitetin e tij, janë të gjitha të paraqitura në muret e Galerisë. Bardhësia e mureve duket sikur i vë në pah edhe më ilustrimet dhe ngjyrat vijnë vibrante, të forta, gati sikur të ishin të punuara në mënyrë digjitale. Si e tillë te vizitorët “Udhëtojmë” vjen si një përvojë tërësisht e veçantë dhe ndalesë në një histori fëmijërie.
Nita Qahili, udhëheqëse e galerisë “Qahili”, ka bërë të ditur që ilustrimet e sistemuara në korniza të bardha, aty-këtu në ndonjë kornizë të zezë, janë origjinalet.
“Ajo që e bën të dallohet Zamirin është stili i vet i mënyrës se si e tërheq vijën, mënyrën se si i kombinon ngjyrat, mënyrën se si e ka sjellë në dritë pozitivitetin që e kanë fëmijët, atë laramaninë, hallakamën, energjinë që secili fëmijë e ka, varësisht fëmijëve, që e shprehin më shumë ose më pak. Por, mund të shihet dhe transmetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ajo energji”, ka thënë Qahili.
“Udhëtojmë” qëndron jo thjesht si një ekspozitë, por si një histori e gjallë, duke bashkuar aspiratat e një autori dhe aftësitë artistike të një ilustruesi. I jep jetë jehonës së heshtur të një bote dikur pa ngjyrë, duke pikturuar një përrallë si dëshmi e fuqisë magjepsëse të artit për të rigjallëruar dhe riimagjinuar edhe peizazhet më të shkreta.
Ilustrimet janë të ekspozuara në mënyrë kronologjike që prej kreut të parë, aty ku gjithçka nis për Benin dhe vazhdon nëpër muret e Galerisë. Nita Qahili ka bërë të ditur se pa marrë parasysh moshën, rrugëtimi i Benit, në formë të shkruar, film a ilustrim, rezonon thellë te secili.
“Në anën tjetër e ke mundësinë ta shohësh filmin me anë të ilustrimeve për shkak se aq bukur janë të ilustruara skenat e librit saqë ti automatikisht do ta lexosh se çka përjeton Beni prej të jetuarit në qytet, në jetesën në fshat dhe kjo e bën edhe më të veçantë, sepse e sheh se si një fëmijë ose një individ i çfarëdo moshe mund të ketë dhe të pësojë ndryshime nëse do të ballafaqohet me çështje të ndryshme”, ka thënë ajo. Ka zbërthyer synimet me këtë ekspozitë.
“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që ta sjellim në Galeri dhe të tregojmë se ka forma të ndryshme për t’u zhvilluar si individ për shkak se me anë të artit ti mund t’i prezantosh krejt këto gjëra”, ka thënë Qahili.

Që kjo ekspozite të realizohej ishte paramenduar qysh para kohës së pandemisë së koronavirusit. Mati ka treguar për kohën kur gjithçka ishte gati, por pandemia e pamundësoi.
“Është në nderin tim bashkëpunimi me galerinë ‘Qahili’ në Prishtinë, Kosovë, sidomos pas projektit të ndërprerë nga masat mbrojtëse kundër COVID-19 disa kohë më parë, kur ‘La Maison de l’Albanie’ do të organizonte në datat 24 - 25 shtator 2021 ‘Ditët Frankofone‘ dhe kur së bashku me shkrimtarin Luan Rama, studiuesin e gjuhëve të lashta mesdhetare, Gjergji Leka, arkeologun e fjalëve shqipe në shkrimet prehistorike të Mesdheut, Ilir Mati, prezantimin e romanit të ribotuar me vizatime me ngjyra ‘Beni ecën vetë’ të shkrimtarit Kiço Blushi nga shtëpia botuese e ‘Librit Shkollor të Ri’ në Tiranë, drejtuar nga Teuta Mati dhe realizuar nga unë. U realizuan pllakatet e fletëpalosjet për të zhvilluar së bashku ‘Ditët Frankofone’, por çdo gjë u ndal dhe u bllokua prej së keqes që pllakosi krejt botën”, ka thënë Mati.
Ekspozita “Udhëtojmë” do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor.