Ngjyrat në pëlhurë shpesh i kapërcejnë fjalët e thjeshta, ku ilustrimet bëhen paleta për të futur nuancat e jetës në ekzistencën e shkallës gri. Brenda ekspozitës “Udhëtojmë”, metamorfoza e Benit, një personazh i dashur në veprën e Kiço Blushit, “Beni ecën vetë”, merr jetë nën lëvizjet e shkathëta të penelit artistik të Zamir Matit. Bota e Benit – dikur një peizazh i vetmisë i përshkruar në nuancat bardhezi, pos librit, edhe në shirit filmik, konkretizuar prej Xhanfise Kekos më 1975 – tash gjeti një rilindje. Tregimi rrëfen udhëtimin prekës të një personazhi, jeta e të cilit pasqyron tonet e zymta të izolimit.
Mati me një prekje vizionare e futi këtë rrëfim me një simfoni ngjyrash, duke dhënë gjallëri në realitetin monokromatik të Benit. Nëpërmjet një shkrirjeje të përpiktë të nuancave orkestroi transformimin, duke i dhënë një kuptim të ri ekzistencës së Benit.
Kjo ekspozitë artistike është realizimi i ëndrrës së Blushit: dëshirës për të parë përrallën e Benit jo vetëm në faqe, por edhe të përkthyer në ilustrimet e mikut të tij, Zamir Mati. Realizimi i këtij projekti u bë pikënisja e ekspozitës “Udhëtojmë”.
Ekspozita po qëndron e hapur në Galerinë “Qahili” dhe bardhësia e mureve aty duket sikur i vë në pah edhe më ilustrimet dhe ngjyrat vijnë vibrante, të forta, gati sikur të ishin të punuara në mënyrë digjitale. Si e tillë, te vizitorët “Udhëtojmë” vjen si një përvojë tërësisht e veçantë dhe ndalesë në një histori fëmijërie.
Nita Qahili, udhëheqëse e galerisë “Qahili”, ka bërë të ditur që ilustrimet e sistemuara në korniza të bardha, aty-këtu në ndonjë kornizë të zezë, janë origjinalet.
“Ajo që e bën të dallohet Zamirin është stili i vet i mënyrës se si e tërheq vijën, mënyrën se si i kombinon ngjyrat, mënyrën se si e ka sjellë në dritë pozitivitetin që e kanë fëmijët, atë laramaninë, hallakamën, energjinë që secili fëmijë e ka, varësisht fëmijëve, që e shprehin më shumë ose më pak. Por, mund të shihet dhe transmetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ajo energji”.
“Udhëtojmë” qëndron jo thjesht si një ekspozitë, por si një histori e gjallë, duke bashkuar aspiratat e një autori dhe aftësitë artistike të një ilustruesi. I jep jetë jehonës së heshtur të një bote dikur pa ngjyrë, duke pikturuar një përrallë si dëshmi e fuqisë magjepsëse të artit për të rigjallëruar dhe riimagjinuar edhe peizazhet më të shkreta.
Ilustrimet janë të ekspozuara në mënyrë kronologjike që prej kreut të parë, aty ku gjithçka nis për Benin dhe vazhdon nëpër muret e Galerisë. Nita Qahili ka bërë të ditur se pa marrë parasysh moshën, rrugëtimi i Benit, në formë të shkruar, film a ilustrim, rezonon thellë te secili.
“Në anën tjetër e ke mundësinë ta shohësh filmin me anë të ilustrimeve për shkak se aq bukur janë të ilustruara skenat e librit saqë ti automatikisht do ta lexosh se çka përjeton Beni prej të jetuarit në qytet, në jetesën në fshat dhe kjo e bën edhe më të veçantë, sepse e sheh se si një fëmijë ose një individ i çfarëdo moshe mund të ketë dhe të pësojë ndryshime nëse do të ballafaqohet me çështje të ndryshme. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që ta sjellim në Galeri dhe të tregojmë se ka forma të ndryshme për t’u zhvilluar si individ për shkak se me anë të artit ti mund t’i prezantosh krejt këto gjëra”.
Që kjo ekspozite të realizohej ishte paramenduar qysh para kohës së pandemisë së koronavirusit. Mati ka treguar për kohën kur gjithçka ishte gati, por pandemia e pamundësoi.
“’Udhëtojmë ka qenë një projekt që ka qenë në plan të bëhet para 3 viteve por për shkak të pandemisë sikur shumë gjëra është vonuar. Ideja ka qenë që librin shumë të dashur për fëmijë ta sjellim të ribotuar në formë të ilustrimeve. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme sepse të mëson shumë gjëra dhe është shumë e thellë ndoshta”.
Ekspozita “Udhëtojmë” do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor.