Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Banksy godet politikanin arrogant me shtatore në Londër

“Politikani” i Banksyt është shfaqur befasishëm në Londër e të enjten pasdite e ka konfirmuar se është vepër e tij

“Politikani” i Banksyt është shfaqur befasishëm në Londër e të enjten pasdite e ka konfirmuar se është vepër e tij

Si përherë, edhe kësaj radhe Banksy ka befasuar me artin e tij politik. Ka arritur ta vendosë shtatoren midis Londrës dhe me të godet politikanin arrogant që e fsheh fytyrën me flamurin e nacionalizmit. Nëpërmjet rrjeteve sociale, të enjten e ka konfirmuar se vepra është e tija teksa ka ironizuar se në sheshin e dizajnuar për të festuar imperializmin dhe dominimin ushtarak në vitet 1800, mungonte diçka. E, ajo është vepra e tij

Artisti i rrugës Banksy ka konfirmuar se statuja e madhe që u shfaq në qendër të Londrës është vepra e tij. Skulptura – e cila mban firmën e tij – paraqet një burrë mbi piedestal, të veshur me kostum dhe ecur përpara, ndërsa mban një flamur që ia mbulon fytyrën.

Vendndodhja e saj – Waterloo Place – është një zonë e projektuar për të festuar imperializmin dhe dominimin ushtarak në vitet 1800. Skulptura ndodhet pranë statujave të Edward VII, Florence Nightingale dhe memorialit të Luftës së Krimesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përfaqësuesit e Banksyt i kanë thënë BBC-së se statuja u vendos në orët e para të së mërkurës, përpara se artisti të publikonte një video të saj në llogarinë e tij në Instagram të enjten pasdite.

Duke folur për vendndodhjen e saj në ishullin ceremonial në Waterloo Place, Banksy ka shkruar: “Kishte një boshllëk të vogël”.  Që nga momenti kur u shfaq të mërkurën, turmat janë rritur gradualisht.

“Me Banksyn, është një ngjarje me kohë të kufizuar, sepse është art publik – nuk e di sa kohë do të qëndrojë”, ka thënë studenti 23-vjeçar Ollie Isaac, ndërsa iu bashkua dhjetëra njerëzve që po e shikonin. “Mendoj se është brilante”, ka shtuar ai duke thënë se statuja është një reagim ndaj “rikthimit të nacionalizmit në botë dhe në këtë vend”. “Ai kostum është i politikanit”, ka shtuar ai.

Mësuesja 55-vjeçare Lynette Cloraleigh erdhi pasi një mik postoi foto të statujës në Instagram. “Më pëlqen”, ka thënë ajo. “Më pëlqen vendi ku është. Është intriguese si ka ardhur këtu”.

Të enjten pasdite u panë punëtorë duke vendosur barriera sigurie rreth veprës.

Këshilli i Qytetit të Westminsterit, që është përgjegjës për zonën, ka njoftuar se janë të entuziazmuar të shohin skulpturën më të fundit të Banksyt në Westminster.  “Një pasuri shtesë për skenën e gjallë të artit publik të qytetit”, është shkruar në postim, duke shtuar se kanë ndërmarrë hapat e parë për ta mbrojtur statujën. “Për momentin ajo do të mbetet e hapur për publikun për ta parë dhe shijuar”, është shkruar aty.

James Peak, krijues i podcastit të BBC-së “The Banksy Story”, ka thënë se vepra është një reagim brilant mbi për burrin arrogant në pushtet, me gjoksin përpara, ndërsa flamuri ia mbulon plotësisht shikimin – prandaj ai është gati të bjerë nga piedestali”. “Është një moment i kapur në mënyrë të mrekullueshme që zakonisht nuk arrihet me një statujë”, ka thënë ai. Sipas tij, Banksy ka “realizuar një tjetër sukses fantastik… është absolutisht e jashtëzakonshme”.

“Nuk e di si ia ka dalë. Si ka arritur të sjellë një mjet transporti të madh atje me gjithë atë siguri dhe të vendosë një statujë kaq të madhe prej rrëshire?”, ka thënë ai, duke komentuar edhe vendndodhjen. “Duhet të përballemi me faktin se Britania ka një histori imperialiste plot pushtime dhe pjesë e kësaj është një lloj nacionalizmi ekstrem që Banksy e urren.  Çdo vepër (e Banksyt) është një fushatë”, ka thënë ai.

Në postimin e Banksyt në Instagram, një komentues shkroi: “Më pëlqen që ai shfaqet pasi kalon mjaft kohë për t’u harruar, dhe pastaj vjen fuqishëm pa u vënë re”. Ndërsa një tjetër ka shkruar: 
“Si koleksionist i vjetër i Banksyt, kjo më godet fort. Energji monumentale, por ideja është brutalisht e thjeshtë: një figurë me kostum, e verbuar nga flamuri i vet. Banksy klasik. Fillimisht i qetë, pastaj i pamundur për t’u mos e parë”.

Për kuptimin e saj, shumë e interpretuan statujën si një koment mbi “patriotizmin e verbër”.

Kjo nuk është hera e parë që Banksy, identiteti i vërtetë i të cilit nuk dihet zyrtarisht, lë një statujë në Londër. Në vitin 2004, “The Drinker” (Pijaneci) një version subversiv i “The Thinker” (Mendimtari) u vendos në Shaftesbury Avenue përpara se të vidhej shpejt më pas.

Kjo vepër është e fundit në një seri të fundit në Londër nga artisti, i njohur për krijime me profil të lartë dhe shpesh kontroverse në mbarë botën. Në dhjetor, në Bayswater u shfaq një mural me dy fëmijë përtokë, ndërsa në shtator ai pretendoi se kishte pikturuar një skenë në kompleksin e Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë me një protestues të shtrirë duke mbajtur një pankartë me gjak, ndërsa një gjyqtar qëndron mbi të me çekan në dorë.

Në vitin 2024, artisti krijoi një seri veprash me kafshë në kryeqytet, duke përfshirë një dhi, elefantë, një gorillë, majmunë, pirana, një rinoqeront dhe pelikanë.

Çdoherë veprat duket se janë vendosur fshehurazi dhe më pas janë konfirmuar si të tijat në Instagram. Veprat e tij, të vendosura si në prona private ashtu edhe publike, interpretohen gjerësisht si deklarata politike dhe shpesh hiqen shpejt pasi shfaqen.