Kulturë

Tri vepra të Banksyt nxisin mosmarrëveshje midis Anglisë dhe Italisë

John Brandler para “Season’s Grretings” të Banksyt më 2022

John Brandler para “Season’s Grretings” të Banksyt më 2022

Tri vepra të Banksyt janë burim i një mosmarrëveshjeje midis John Brandler, specialist britanik i artit të rrugës, dhe ndërmarrjes “Metamorfosi” me seli në Romë, e cila prezanton ekspozita turistike. Sipas “The Guardian”, Brandler ia ka huazuar veprat “Metamorfosit” për ekspozitë në Itali dhe Zvicër, por ende po pret pagesën si dhe kthimin e veprave, tre vjet pas ngjarjes. 

Sipas Brandler, pasi skadoi një kontratë dyvjeçare, marrëveshja e kredisë u zgjat me një tarifë mujore. Siç ka thënë, “brenda pak muajsh, ata po vononin pagesën e tarifës së kredisë dhe arritën në fazën ku ishin gjithmonë rreth gjashtë javë prapa pagesës së tarifës së kredisë. Tani janë katër muaj prapa në pagesën e fundit. Ekspozita përfundoi më 6 qershor... Unë ende nuk e kam marrë pagesën përfundimtare dhe nuk i kam marrë veprat e Banksynt”. 

Tri veprat e Banksyt përfshijnë “Season’s Greetings” e cila paraqet një djalë të vogël që nxjerr gjuhën për të ngrënë borë të ndotur. Vepra u gjet në anën e një garazhi pranë fabrikës së çelikut “Port Talbot” në Uells në vitin 2018 dhe Brandler e bleu nga pronari i garazhit. Dy veprat e tjera janë “Heart Boy” e cila paraqet një djalë që pikturon një zemër me ngjyrë rozë dhe “Computer Robot”. 

Brandler ka thënë se një tjetër tregtar i Banskyt, Acoris Andipa me seli në Londër, i ka borxh 45 mijë funte për shërbime kuratoriale për më shumë se dy vjet. Andipa ka thënë: “Nuk e di çfarë mund të bëjmë. Kam angazhuar avokatët”. 

Në një deklaratë, Pietro Folena dhe Vittorio Faustini të “Metamorfosi” kundërshtuan pretendimet. 

“’Metamorfosi’ është një kompani e mirënjohur dhe prestigjioze që organizon ekspozita të mëdha në Itali dhe në mbarë botën në bashkëpunim dhe me mbështetjen e muzeve kryesore”, kanë thënë ata.

Ata kanë thënë gjithashtu se kompania ka paguar këstet mujore dhe është ende në pritje të faturave dhe dokumentacionit tatimor.

“Metamorfosi” ka shkruar se janë bërë përpjekje t’i kthenin muralet në qershor dhe se Brandler u ka thënë atyre se për shkak të problemeve me hapësirën e ruajtjes, kompania mund t’i mbante veprat deri në tetor. 

“Kjo tregon se ‘Metamorfosi’ menjëherë nisi procedurat për kthimin e veprave”, thuhet nga kompania e cila deklaroi gjithashtu se tani po i kthejnë veprat deri në fund të shtatorit. Sa i përket pretendimit të Andipas, “Metamorfosi” ka deklaruar se “këto janë çështje tregtare që nuk kanë lidhje me çështjen e ngritur”. (Marrë nga “ArtNews.net”)