Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tri vepra të Banksyt i kushtojnë Britanisë mbi 170 mijë euro t’i mirëmbajë

Bansky

Vepra, e cila paraqet një gjyqtar me paruke duke goditur me çekiç një protestues, i ka kushtuar deri tani 67 mijë dollarë Ministrisë britanike të Drejtësisë për përpjekjet për ta hequr, ndërsa 48 mijë dollarë të tjera janë shpenzuar për sigurinë dhe orët shtesë të stafit gjatë kohës që vepra qëndroi aty

Veprat guerile të Banksyt kanë gjeneruar miliona dollarë nga shitjet në ankande dhe kanë tërhequr turma njerëzish kudo që janë shfaqur. Por ato kanë bërë gjithashtu që taksapaguesit britanikë të përballen me një faturë gjithnjë e më të madhe për pastrimin e tyre.

Autoritetet publike në të gjithë Londrën kanë shpenzuar rreth 203 mijë dollarë (175 mijë euro) për heqjen, mbrojtjen dhe menaxhimin e tri veprave të artistit anonim të rrugës që nga viti 2024, sipas të dhënave të siguruara nga BBC-ja përmes kërkesave në bazë të ligjit për lirinë e informimit. Totali do të vazhdojë të rritet, ndërsa zyrtarët vijojnë përpjekjet për të fshirë një prej muraleve të fundit të artistit nga muret e Royal Courts of Justice në Londër, të realizuar vitin e kaluar.

Vepra, e cila paraqet një gjyqtar me paruke duke goditur me çekiç një protestues, i ka kushtuar deri tani 67 mijë dollarë Ministrisë britanike të Drejtësisë për përpjekjet për ta hequr, ndërsa 48 mijë dollarë të tjera janë shpenzuar për sigurinë dhe orët shtesë të stafit gjatë kohës që vepra qëndroi aty. Kontraktorët tani po përdorin teknologji laseri, pasi përpjekjet fillestare për pastrimin dështuan. Zyrtarët kanë thënë se zëvendësimi i pjesës së dëmtuar të gurit mund të jetë hapi i radhës nëse edhe këto përpjekje dështojnë.

Murali ka rindezur një debat të njohur lidhur me atë nëse mënyra e veprimit të Banksyt duhet të trajtohet si vandalizëm kriminal apo si art publik me rëndësi kulturore. Kritikët, përfshirë Nick Timothy, argumentuan se taksapaguesit nuk duhet të mbajnë koston e pastrimit të asaj që ai e përshkroi si dëmtim të një simboli kombëtar të shtetit të së drejtës. Të tjerë e mbrojtën veprën, duke thënë se muralet e Banksyt tërheqin vizitorë dhe e bëjnë artin të qasshëm edhe jashtë muzeve dhe galerive tradicionale. Murali në gjykatë është vetëm shembulli më i fundit.

Në prill, Këshilli i qytetit në Westminster deklaroi se kishte shpenzuar rreth 81 mijë dollarë për barriera sigurie, masa mbrojtëse dhe shpenzime administrative, pasi Banksy kishte vendosur fshehurazi një skulpturë në Waterloo, pranë sheshit “Trafalgar”. Këshilli, i cili u bë pronari ligjor i skulpturës për shkak se ajo ndodhet në tokë publike, tha se ende po shqyrton se çfarë do të bëjë me veprën.

Më herët, në gusht të vitit 2024, Londra hoqi një kabinë roje policie, të cilën Banksy e kishte shndërruar në pamje me peshq piranja, me një kosto prej gati 3 mijë dollarësh. Në vend që të përfundonte në një pikë grumbullimi mbetjesh, struktura u vendos në magazinë dhe pritet të ekspozohet për publikun kur Muzeu i Londrës të rihapet në nëntor.