Shtojca për Kulturë

Filozofia e Banksyt në pesë vepra

“Feneri”, Banksy, 2025

“Feneri”, Banksy, 2025

Për më shumë se 30 vjet, Banksy i ka shtruar veprat e tij më ikonike – nga vajza që përpiqet kot të kapë një balonë në formë zemre, te protestuesi me maskë që hedh një buqetë me lule – me aluzione thumbuese ndaj mjeshtërve të mëdhenj të së kaluarës, nga Michelangelo te Monet, nga Vermeer te Van Gogh. Por nuk mbaron këtu. Ka një angazhim të thellë dhe të qëllimshëm me historinë e ideve – që nga stoicizmi klasik deri te dekonstruksionizmi postmodern

Murali i ri i Banksyt në Marseille nuk është figura e parë ku ai krijon lidhje me historinë e ideve. Prej Platonit, deri te Foucaultja, një ekspert i Banksyt zbulon filozofinë pas këtyre veprave të njohura të artit.

Cila është vetvetja jonë e vërtetë – ajo që jemi tani apo ajo që jemi në gjendje të bëhemi? Është pa dyshim një pyetje marramendëse dhe jo nga ato që pret të të dalin përpara teksa bredh nëpër rrugët e Marseilles në ditët e fundit të majit. Megjithatë, pikërisht me këtë dilemë ekzistenciale përballesh në një cep të qetë të Rue Félix Frégier, ku Banksy – i cili dikur pohonte se “të jesh vetvetja është e mbivlerësuar” – ka instaluar fshehtas veprën e tij më të re. Kjo është pjesa më e fundit në karrierën shumëvjeçare të këtij artisti të pakapshëm si shakaxhi filozofik provokues.

Për më shumë se 30 vjet, Banksy i ka shtruar veprat e tij më ikonike – nga vajza që përpiqet kot të kapë një balonë në formë zemre, te protestuesi me maskë që hedh një buqetë me lule – me aluzione thumbuese ndaj mjeshtërve të mëdhenj të së kaluarës, nga Michelangelo te Monet, nga Vermeer te Van Gogh. Por nuk mbaron këtu. Ka një angazhim të thellë dhe të qëllimshëm me historinë e ideve – që nga stoicizmi klasik deri te dekonstruksionizmi postmodern.

Më 29 maj, Banksy postoi në Instagram një foto të veprës së tij të parë pas më shumë se pesë muajsh, duke ngjallur kuriozitetin e internetit teksa nuk e zbulon menjëherë vendndodhjen. Fill pas kësaj, murali u zbulua në qytetin port të jugut të Francës, në Marseille. Në shikim të parë, vepra është mashtruese në thjeshtësinë e saj: një siluetë e gjatë e një feneri, e spërkatur me sprej në një mur të thjeshtë bezhë; pranë tij një shtyllë rruge e ndryshkur; dhe një hije e pikturuar që shtrihet në trotuar, duke lidhur objektin real me pasqyrimin e tij të përforcuar, edhe pse dydimensional. Nëpër trupin e fenerit të zi është shkruar: “Dua të jem ajo që ke parë tek unë”.

Kushdo që dëshiron të gjejë burimin e ideve që qëndrojnë pas kësaj vepre të re të Banksyt, mjafton të hapë një histori të filozofisë dhe të lexojë alegorinë e famshme të shpellës nga Platoni (nga traktati “Republika”, shekulli IV para erës sonë), dhe më pas ta kthejë metaforën përmbys. Në fabulën e Platonit, të burgosurit, të lidhur brenda një shpelle ngatërrojnë hijet në mur me realitetin, pa e ditur se format e vërteta ndodhen jashtë. Por këtu, Banksy – duke qenë vetvetja – na ngacmon duke përmbysur gjithë skenarin, duke kthyer marrëdhënien mes thelbit dhe hijes. Në muralin e tij, shtylla e zakonshme nuk hedh një imitim të zbehur të vetes, por diçka shumë më madhështore – një fener, simbol i ndriçimit dhe udhërrëfimit. Këtu, është silueta – dhe jo realiteti fizik – ajo që përfaqëson të vërtetën.

Kjo përmbysje na shtyn të pyesim: ku qëndron vërtet realiteti – në atë që është, apo në atë që mund të jetë? Frazën e tij prekëse – “Dua të jem ajo që ke parë tek unë” – Banksy e lë të hapur për shumë kuptime. A është kjo ëndrra e shtyllës për të qenë më shumë sesa duket? Apo hija që dëshiron të bëhet dritë? Apo mos jemi të gjithë – përfshirë vetë Banksyn – duke luftuar për t’u bërë versionet më të mira të vetes, të cilat njerëzit që na besojnë i shohin brenda nesh? Përgjigjja është pa dyshim “po” për të gjitha që u thanë sipër. Dhe është gjithashtu një “po” për pyetjen: a është kjo vepër e re një dritë që ndriçon shtresa të reja kuptimi në artin e Banksyt?

Në vazhdim, do të hedhim një vështrim të shkurtër mbi disa prej veprave më të njohura të artistit dhe mënyrën se si edhe ato gjallërojnë – dhe shpesh përmbysin – disa nga parimet më të rëndësishme filozofike, si shoqërore ashtu edhe intelektuale, që na formësojnë kush jemi dhe kush mund të bëhemi.

”Vajza me ballon”, Banksy, 2002

“Vajza me Balonë”, 2002

Murali i ri i Banksyt në Marseille nuk është i pari që shoqërohet me një mbishkrim prekës që e lidh veprën me historinë e ideve. Ndër muralet më të njohura të tij është “Vajza me balonë”, që paraqet një fëmijë duke shtrirë dorën drejt një balone në formë zemre që po i largohet. Ky mural u shfaq për herë të parë në vitin 2002 në disa vende të Londrës, përfshirë edhe South Bank, së bashku me pohimin ngushëllues: “Shpresë ka gjithmonë”. Kjo bindje, që ushqen përpjekjen e pandërprerë drejt një ideali që duket i paarritshëm në mural (ajo balonë nuk ka për t’u kthyer kurrë), rezonon fuqishëm me aspekte të filozofit gjerman të shekullit XIX, Arthur Schopenhauer, lidhur me një “vullnet” të pangopshëm dhe të paarsyeshëm si forcë themelore që e shtyn njerëzimin përpara. Kur, vite më vonë, Banksy fshehu me dinakëri një grirëse të komanduar me telekomandë në kornizën e një versioni të “Vajzës me balonë” që doli në ankand në vitin 2018 – dhe e shkatërroi veprën në mënyrë spektakolare përpara syve të pjesëmarrësve të tronditur – ai arriti të çonte edhe më tej idenë e Schopenhauerit për kotësinë e dëshirës, duke e shndërruar atë në një akt të guximshëm dhe të drejtpërdrejtë. Aty ku ka vullnet, ka përplasje.

“Shpërndarësi i luleve”, Banksy, 2003

“Shpërndarësi i luleve”, 2003

Murali i njohur i Banksyt që paraqet një burrë me maskë, i ngrirë përjetësisht në çastin para se të lëshojë – jo një tullë apo një bombë – por një buqetë me lule, mund të duket në shikim të parë si një shembull i përkushtimit të një pacifisti ndaj mosbindjes paqësore. Vepra duket se pasqyron parimet e Satyagrahas së Mahatma Gandhit – një filozofi e mosdhunës që filozofi indian e formësoi në vitin 1919. Figura e Banksyt, e tërhequr plotësisht pas veprimit dhe e armatosur në mënyrë të çuditshme me një grusht bukurie, duket se mishëron këmbënguljen e Gandhit për të ushtruar forcë morale, jo fizike. Apo jo?

Apo ndoshta Banksy, me zgjuarsi, e ka përmbysur pretendimin filozofik të forcës pacifiste duke e portretizuar heroin e tij si një protestues të tërbuar? Zemërimi i figurës nuk është zbutur nga thirrja për ideale më të larta si bukuria dhe e vërteta – përkundrazi, ato ideale janë shndërruar në armë nga Banksy. Këtu, bukuria dhe e vërteta nuk janë çarmatuese – janë shpërthyese në mënyra që të shkatërrojnë.

“Një komb nën vëzhgimin nga CCTV”, Banksy 2007

“Një komb nën vëzhgimin nga CCTV”, 2007

Murali i Banksyt në Marseille përdor një teknikë të provuar për të siguruar që vepra të dalë në pah brenda hapësirës urbane ku do ta hasim – duke e ngritur potencialin e saj filozofik nga diçka e rrafshët dhe e brishtë në diçka pa dyshim të ngutshme e të rëndësishme. Është një taktikë që ai e përdori edhe në një vepër të vitit 2007, që u shfaq pranë “Oxford Street” në Londër, ku paraqet një djalë mbi një shkallë të rrezikshme dhe të lartë, duke spërkatur me sprej vërejtjen therëse se ne jemi “Një komb nën vëzhgimin nga CCTV” (One Nation Under CCTV), me shkronja shumë të mëdha. Brenda muralit shfaqet edhe një oficer policie me uniformë dhe qeni i tij besnik, që ndjekin me sy vandalin e ri – ndërsa mbi të gjithë qëndron një kamerë e vërtetë CCTV, që del nga muri, dhe me siguri regjistron gjithçka.

Shtresëzimet e pafundme të mbikëqyrjes brenda mbikëqyrjes – ndërsa ne shikojmë shtetin teksa vëzhgon një oficer që vëzhgon një djalë – kapin me saktësi të frikshme konturet filozofike të makinerisë së madhe dhe gjithëpërfshirëse të burgosjes, në të cilën filozofi francez post-strukturalist Michel Foucault besonte se e gjithë shoqëria ishte tashmë e zhytur pa kthim. Në studimin e tij “Disiplinë dhe ndëshkim: Lindja e burgut”, Foucault ringjall një projekt për burg që ishte propozuar nga filozofi britanik utilitarist Jeremy Bentham në fund të shekullit XVIII– Panoptikoni (që do të thotë “gjithë-shikuesi”) – dhe e përdor si metaforë kërcënuese për mënyrën se si askush nuk mund të shpëtojë nga syri depërtues dhe i rrezikshëm i shtetit panoptik.

“Dashnorët mobilë”, Bansky, 2014

“Dashnorët mobilë”, 2014

Vepra therëse dhe plot ironi e Banksyt nga viti 2014, “Dashnorët mobilë” (Mobile Lovers), hedh një dritë të ftohtë mbi gjendjen e marrëdhënieve bashkëkohore. Murali paraqet një çift që, megjithëse janë në një përqafim pothuajse të përzemërt, janë më të përkushtuar ndaj shkëlqimit të ngrohtë të telefonave të tyre. Filozofja ekzistencialiste franceze Simone de Beauvoir, e cila vdiq në vitin 1986, mund të mos ketë jetuar mjaftueshëm për të dëshmuar shfaqjen e telefonave mobilë. Megjithatë, libri i saj jashtëzakonisht ndikues “Etika e paqartësisë” (The Ethics of Ambiguity), botuar në vitin 1947 – pikërisht 60 vjet para se të dilte iPhone-i në vitin 2007 – përmes shqyrtimit të dëmeve që shkëputja nga të tjerët mund t’i sjellë ndërmendësimin e vetes sonë më të vërtetë, është një parashikim i thellë i gjendjes sonë moderne.

De Beauvoir ngulte këmbë se për të qenë të lirë nevojitet një vëmendje e thellë ndaj njëri-tjetrit. Ajo besonte në origjinalitetin e takimeve njerëzore – pa të cilin jeta bëhet një shfaqje e kotë, e ndriçuar dobët nga pajisje që harxhohen, në vend që të jetë diçka e thellë dhe me kuptim.