Kulturë

Kapet rrjeti që falsifikonte vepra prej Banksyt deri te Van Goghu e Picassoja

Vepra të falsifikuara të artistëve më të njohur botërorë janë sekuestruar pas një operacioni ndërshtetëror, e ato po ekspozohen në Piza të Italisë

Vepra të falsifikuara të artistëve më të njohur botërorë janë sekuestruar pas një operacioni ndërshtetëror, e ato po ekspozohen në Piza të Italisë

Foto: Associated Press

Më shumë se 2 mijë e 100 vepra arti të falsifikuara të cilat supozohej të ishin të artistëve të tillë si Banksy, Salvador Dalí, Gustav Klimt, Joan Miró, Andy Warhol dhe Pablo Picasso dhe kishin vlerë potenciale prej rreth 200 milionë eurosh. Tridhjetë e tetë persona nga Italia, Spanja dhe Belgjika u arrestuan për falsifikimet dhe shitjen e paligjshme të tyre

Policia në Itali ka bërë të ditur se ka arritur të shkatërrojë një rrjet të madh kriminal evropian që falsifikonte dhe shiste vepra arti në emër të disa prej artistëve më të mëdhenj të artit, përfshirë këtu Banksyn dhe Andy Warholin.

Sipas Ministrisë së Kulturës në Itali, bëhet fjalë për më shumë se 2 mijë e 100 vepra arti të falsifikuara të cilat supozohej të ishin të artistëve të tillë si, Banksy, Salvador Dalí, Gustav Klimt, Joan Miró, Andy Warhol dhe Pablo Picasso dhe kishin vlerë potenciale prej rreth 200 milionë euro. Tridhjetë e tetë persona nga Italia, Spanja dhe Belgjika u arrestuan për falsifikimet dhe shitjen e paligjshme të tyre.

“Duke penguar hyrjen e këtyre veprave të artit në treg, autoritetet kanë shmangur një përçarje të madhe në sektorin e ankandeve të artit”, ka thënë Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) nëpërmjet një komunikate.

Eurojust, me seli në Hagë të Holandës, është një rrjet që u mundëson autoriteteve gjyqësore kombëtare brenda dhe jashtë BE-së të punojnë së bashku për të luftuar krimin e organizuar ndërkufitar.

Të dyshuarit fillimisht krijonin kopje të veprave të artit dhe më pas bënin marrëveshje me shtëpi të ndryshme të ankandit në Itali. Ata madje organizuan dy ekspozita të veçanta të Banksyt (Foto: Associated Press)

U gjetën gjithashtu falsifikime të artistëve të tjerë si: Claude Monet, Vincent van Gogh, Henry Moore, Giorgio de Chirico, Marc Chagall, Jackson Pollock, Francis Bacon, Paul Klee, Wassily Kandisky dhe Piet Mondrian. Hetimi u lajmërua përmes një deklarate të përbashkët të dielën (11 nëntor) nga skuadra e artit të Karabinierëve dhe zyra e prokurorëve të Pizës, raportoi Reuters.

Teresa Angela Camelio, prokurorja e përgjithshme e Pizës, ka thënë se ekspertët nga arkivi që asistuan në hetim, e konsideronin këtë operacion si “aktin më të madh të mbrojtjes së veprës së Banksyt”.

“Kjo veprimtari e mundësoi ekspozimin e një sistemi transnacional falsifikatorësh, që ishin të lidhur me shtëpi ankandi me të cilat bashkëpunonin”, ka thënë ajo. 

Hetimi nisi në mars të vitit të kaluar, pasi sektori i artit në policinë italiane sekuestroi 200 vepra bashkëkohore nga një biznesmen në Piza. Koleksioni i tij përfshinte kopjen e një vizatimi të Caryatidit nga piktori Italian, Amedeo Modigliani. Nga këtu lindi dhe emri i operacionit që është, “Operacioni Cariatide”. Ai i dërgoi hetuesit nëpër shtëpi ankandi në të gjithë Italinë, të cilat shisnin vepra arti bashkëkohore me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë mënyrë u zbuluan gjashtë punëtori falsifikimi, tri në Itali dhe tri të tjera në Evropë, ku u gjetën mbi një mijë vepra arti të falsifikuara, 450 certifikata të falsifikuara dhe 50 vula të falsifikuara që kishin për qëllim të garantonin autenticitetin e veprave të falsifikuara të artit.

Hetimi nisi në mars të vitit të kaluar, pasi sektori i artit në policinë italiane sekuestroi 200 vepra bashkëkohore nga një biznesmen në Piza (Foto: Associated Press)

Të dyshuarit fillimisht krijonin kopje të veprave të artit dhe më pas bënin marrëveshje me shtëpi të ndryshme të ankandit në Itali. Ata madje organizuan dy ekspozita të veçanta të Banksyt me një katalog të botuar, në lokacione të njohura në Mestre, afër Venecias dhe Cortona në Toskanë, kanë bërë të ditur hetuesit.

Sipas Teresa Angela Camelios, nëse hetimi nuk do të kishte arritur ta zbulojë rrjetin e falsifikatorëve dhe shtëpive të ankandeve që bashkëpunonin me ta, veprat e falsifikuara do të mund të ishin shitur me çmime të ngjashme me ato origjinale, gjë që në formë të konsiderueshme do ta ndryshonte tregun e ankandeve.

“Operacioni në fjalë po ashtu na mundësoi të identifikonim dhe bllokonim vepra që mund të kishin dalë në treg me çmime të ngjashme me ato të veprave origjinale të artistëve”, ka thënë ajo.
Shumica e veprave të sekuestruara nga policia italiane po ekspozohen aktualisht në pallatin “Palazzo Toscanelli” në Piza.