Kulturë

“Artistët e vegjël” në botën shumëngjyrëshe të imagjinatës

Greta Rexhepi, e cila është vetëm dy vjeçe, ka pikturuar goxha shumë gjatë këtyre muajve. Artin e saj e ka shfaqur në muret e shtëpisë. Një zemër, një flutur e një shtëpi mund të vërehen me qartë në vizatimin e saj. Është në mesin e 58 fëmijëve, punimet e të cilëve galeria “Qahili” i ka publikuar në murin e saj në Facebook. Punimet janë pjesë e ekspozitës virtuale “Artistët e vegjël”. Ekspozita është vazhdimësi e projektit “Karantina me ngjyra”, të cilën Galeria e nisi më 8 maj dhe e përfundoi më 31 maj.

Projekti i ideuar fillimisht për të rritur ishte parë si ndihmë për vazhdimin e frymës artistike në vend, duke theksuar rëndësinë e artit si formë për të tejkaluar luhatjet emocionale. E më 29 maj Galeria hapi thirrjen për të pranuar përsëri punime, por kësaj radhe nga artistët e vegjël, që u treguan goxha ekspresionistë. I dhanë pamje tjetër murit të Galerisë. Tani brenda tij mund të gjenden disa heronj të animuar. “Supermeni” është njëri prej tyre që tani ka edhe një armik për të luftuar virusin COVID-19 – disa planetë, një mace, disa nota muzikore e të ngjashme.

“Muret lyhen, por Greta nuk do të jetë më 2 vjeçe”, ka thënë Hana Bajrami, e ëma e Gretës. Ka treguar se për shkak të pandemisë u është dashur që të qëndronin në shtëpi dhe njëkohësisht të gjejnë forma argëtuese dhe edukative për të kaluar kohën.

“Në këtë drejtim vizatimi dhe ngjyrat ishin ndër aktivitetet e përditshme në shtëpinë tonë si formë e argëtimit. Për ne si prindër ka qenë kënaqësi që të shohim botëkuptimin, emocionet dhe imagjinatën e Gretës të shprehur në pikturat e saj”, ka thënë Bajrami. Sipas saj, arti është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme në jetën e njeriut pavarësisht moshës. Tek fëmijët ka rol jetik pasi që u ofron mundësinë që të zhvillojnë personalitetin e tyre, të njohin ngjyrat dhe të zhvillojnë imagjinatën.

“Arti ngërthen emocionet të cilat duhet përjetuar dhe mbase Gretës pas një kohë do t’i kalojë dëshira e vizatimit në muret e shtëpisë, por si pasion me gjasë do t’i mbetet gjithmonë”, ka thënë ajo. Në mesin e punimeve është edhe ai i 11-vjeçarit Liburn Zogaj. Djaloshi i cili jeton në Gjermani prezantohet me një grafit shumëngjyrësh. Ka thënë se të pikturuarit ia jep mundësinë për të vënë në pah idetë dhe mendimet e tij.

“Pikturoj shpesh. Më pëlqen bota e larmishme si e shoh unë. Ka shumë për të bërë dhe përjetuar. Si e shoh unë rrethin dhe shoqërinë, një fëmijë me autizëm, e që kisha dashur ta shohin dhe ta përjetojnë të gjithë rreth meje”, ka thënë ai.

Lis Spahiu, shtatëvjeçar, ka vizatuar sistemin diellor.

“Planeti që më pëlqen më së shumti është Jupiteri, ai është planeti më i bukur. Unë pikturoj shumë shpesh, sepse arti më inspiron. Unë punimin tim do ta emërtoja ‘Sistemi diellor’”, ka thënë Spahiu, i cili është në përfundim të klasës së dytë në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Bardh Kallaba (7) ka vizatuar heronjtë e filmave të preferuar, por edhe këngëtarë. Kur vjen fjala për të vizatuar e ka në qejf edhe reperin amerikan “XXX Tentaction”. Ka një arsye për këtë.