Kulturë

“Vizatimet” plot ngjyra nëpër kapitujt e botës ideale

Një koleksion vizatimesh, disa në muret e galerisë e disa në tavolinat e punuara enkas për ekspozitën, vijnë si kompozicione të thjeshta në dukje të parë, por që krijojnë një narrativë komplekse e cila transmeton lidhshmërinë e Rina Krasniqit me mjedisin në të cilin ajo është formuar si artiste. Nëpërmjet ngjyrave, formave të ndryshme të letrës dhe detajeve të shumta në vizatime, ajo rrëfen nënvetëdijshëm rrugëtimin e saj jetësor, duke u ndalur herë në stacionin e se kaluarës e herë në atë të së tashmes

“Vizatimet” e Rina Krasniqit vijnë si rrëfime të jetësuara e të shkrira në një ekspozitë të parë personale të artistes. Krasniqi, hapin e saj nëpër udhëtimin artistik nëpërmjet vizatimeve e hedh duke u kushtuar rëndësi detajeve të përditshmërisë, të cilat rëndom kalojnë pa u vënë re. Por në vizatimet e saj i jep vëmendje secilit detaj, qoftë një shkrim i zakonshëm në një mur diku në rrugët e Prishtinës, apo një përqafim i ngrohtë me një person të dashur që nuk jeton më.

Të gjitha këto artistja i sjell si nostalgji për këdo që dëshiron të gjejë kënaqësi në kujtimet shënjuese të një fëmijërie në vitet ’90, apo të estetikës së përhumbur nëpër valët rrëmbyese të kohëve të sotme. Aty imagjinata e artistes ndeshet me referenca reale teksa mishërohet në imazhe të cilat ajo i pasuron me shpirtin aktual të momentit të kapura në vizatim. Secili punim përçon në mënyrë vizuale energji të çiltër e cila ngjan me botën ideale të cilën kanë aftësi ta shohin vetëm sytë e pafajshëm të një fëmije. Kjo prekje lozonjare të cilën ua jep artistja vizatimeve të tyre, i pajis ato me një forcë e cila provokon syrin e rritur, e nxit atë në një ftesë për vetëdijesim.

Image
Në njërin nga tapetet e printuara që bëjnë pjesë në ekspozitë shfaqet një peizazh i qytetit të Prishtinës, në një tentativë për t’i bërë edhe më evidente detajet e ndërlikuara

Vetë artistja tregon se i kishin kushtuar rëndësi konceptit kuratorial të ekspozitës, duke u munduar t’i sjellin të gjitha vizatimet që ajo i kishte realizuar në gjashtë vjetët e fundit.

“Ekspozita ‘Vizatimet’ e kuruar nga Bardhi Haliti është hapur më 8 dhjetor të vitit të kaluar dhe do të jetë e hapur deri më 30 janar. Në bashkëpunim me Bardhin kemi menduar të bëjmë një ekspozitë ku i prezantojmë vizatimet e mia të bëra prej vitit 2019 e deri tash. Ekspozita përbëhet prej rreth 70 vizatimeve origjinale që janë të ekspozuara në tavolinat të cilat i ka dizajnuar Bardhi dhe janë prodhuar enkas për ekspozitën. Gjithashtu i kemi printuar disa vizatime si tapete duke i zmadhuar, dhe disa nga to i kemi printuar dhe në mëndafsh, të cilat shërbejnë si shalle”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se meritë për realizimin e detajuar dhe suksesin e kësaj ekspozite ka ekipi i madh me të cilin ajo ka bashkëpunuar.

Detajet e shumta në “Vizatimet” e Rina Krasniqit shfaqin një raport kaotik të artistes me këtë dimension të artit, edhe pse arrin ta vërë atë në binar me kombinime ngjyrash e formash të cilat e bëjnë këtë kakofoni imazhesh të gjejë paqen si diçka natyrale dhe të destinuar për të qenë e tillë.

Hapësira e bardhë e galerisë së Ministrisë së Kulturës, me vizatimet e artistes dhe intervenimin kuratorial të Bardhi Halitit shndërrohet në një shfaqje ngjyrash, ku epiqendra janë tri tavolina të cilat imponojnë fokusin duke u nisur nga ngjyrat e tyre e deri tek aranzhimet e luleve të gjalla mbi to.

Detaj tjetër i veçantë aty dalin të jenë dhe disa intervenime të paplanifikuara të Arrës, vajzës trevjeçare të artistes.

“Me Bardhin njihemi kaherë, tash bëhen dy dekada dhe mënyra se si ai është munduar ta prezantojë punën time, qëndron në linjën se si i shoh unë vizatimet e mia. Vizatimet kryesisht preokupohen me të kaluarën dhe të tashmen, jo me të ardhmen, në vizatimet e mia shihen momentet e rëndomta të përditshmërisë, apo ngjarjet që domosdoshmërisht kanë ndodhur, nuk ka diçka nga imagjinata apo fiksioni, aty ka gjithçka nga ajo që na rrethon”, është shprehur Krasniqi, në një përpjekje për të elaboruar përmbajtjen e ciklit “Vizatimet”.

Në njërin nga tapetet e printuara që bëjnë pjesë në ekspozitë shfaqet një peizazh i qytetit të Prishtinës, në një tentativë për t’i bërë edhe më evidente detajet e ndërlikuara. Përballë saj, një vizatim tjetër i stërmadhuar paraqet pothuajse një skenë filmi. Është ambient restoranti, njerëz teksa shijojnë ushqimin, e theksi vihet te detajet si abazhurët ikonikë të prodhuar në ish-Jugosllavi e muret e veshura me llamperi. Ajo nuk rresht me inkorporim të detajeve në vizatimet e saj as këtu. Në murin e restorantit del dhe një pikturë nga Nusret Salihemixhiqit, e rikrijuar në formë vizatimi nga vetë artistja.

Image
Një vizatim tjetër i stërmadhuar paraqet pothuajse një skenë filmi. Është ambient restoranti, njerëz teksa shijojnë ushqimin, e theksi vihet te detajet

Të gjitha këto vizatime të cilat luajnë vazhdueshëm me rregullat e konvencionales protestojnë përmes thyerjes së normave të proporcionalitetit, përdorimit të kontrolluar të ngjyrave dalin si dëshmi e lirisë që ndien artistja në veprimtarinë e saj të bazuar në praktika të cilat inkurajojnë transmetimin e ndjenjave përmes artit pa rregulla.

“Jam ndier mirë që ka pasur njerëz që kanë ardhur edhe pas hapjes së ekspozitës, pasi që zakonisht vetëm gjatë hapjeve të ekspozitave ka më shumë vizitorë dhe pastaj frekuentohen më pak. Ka qenë mirë sepse ka pasur vizitorë nga fëmijët e deri te grupmoshat e moshuara. Më ka pëlqyer fakti se shumë njerëz kanë parë nëpër vizatime detaje të cilat kanë pasur një domethënie për ta, kanë shërbyer dhe si përkujtime për ndonjë kujtim të tyrin që jo domosdoshmërishtë ka mundur të ketë qenë dhe i imi si autore e tyre”, ka shtuar Krasniqi

Vizitorëve në ekspozitën “Vizatime” artistja u ofron mundësinë të bëhen pjesë e saj jo vetëm nëpërmjet një vernisazhi të rëndomtë. Rregullat ajo i thyen dhe këtu. Në njërën faqe të murit në galeri zë vend një mural i artistes i pangjyrosur nga ajo, por i mbushur me simbole shkrime, mesazhe, ngjyra e botëkuptime të ndryshme nga vizitorët, si një përpjekje e artistes për ta bërë ekspozitën edhe më gjithëpërfshirëse.

“Kemi vendos me i pasë dy murale. Ka qenë njëri në fillim kur është hapur ekspozita dhe ky është i dyti, pasi që i pari është mbushur. Këtu njerëzit munden gjithashtu me ardhë dhe me ngjyros vetë, ose dhe me vizatu diçka tjetër sipas dëshirës, që t’i bëjmë edhe ata t’i mendojnë detajet dhe çfarë ngjyrash do të përdornin në një vizatim që është i pangjyrosur”, ka thënë artistja.

Sipas tekstit kuratorial të Bardhi Halitit, Rina Krasniqi “përshkruan punën e saj në mënyrë poetike si një varg të mikrongjarjeve të çmuara që plotësojnë hapësirat e zbrazëta mes ngjarjeve madhore jetësore...”.