Me orë të tëra ajo mbyllet në dhomën e saj, të mbushur plot ngjyra dhe jetë.
Është arti që e bën një hapësirë të zakonshme të shndërrohet në botën e saj krijuese. Kështu e kalon pjesën më të madhe të ditës Teuta Elmazi.
Pasioni për pikturën nisi herët. Që në moshën 10-vjeçare, artistja nga Prizreni filloi të realizonte pikturat e para.
“Jam 22-vjeçare dhe vij nga Prizreni. Dita për mu nis e përfundon me piktura. Dëshirën për artin e pikturës e kam pasur qysh në moshën e hershme. Si 10-vjeçare kam nisur t’i bëjë portretet e familjes, pastaj të shoqërisë dhe qysh atëherë m’i kanë vlerësuar mjaft shumë. E mbaj mend pikturën e parë që e kam bërë e që ishte portreti i Nënë Terezës dhe që atëherë kam filluar të kërkoj për krijime të reja”, ka thënë Elmazi .
Teuta thekson rëndësinë që ka ndjekja e studimeve në fushën që një i ri e do. Për të, studimet në art u bënë hap vendimtar drejt një të ardhmeje të sigurt.
“Gjatë studimeve kam mundur ta zhvilloj më shumë talentin duke e praktikuar më shumë, sepse në fillim si piktore e re nuk është se di ta ndash mirë teknikën që të shkon më shumë apo pikturat që të shkojnë më shumë t’i bësh. Fatmirësisht edhe gjatë studimeve më janë hapur dyert nga një kompani arti, përmes të cilës i ndihmojmë talentët e rinj në pikturë, e mundohem që ato që i kam përvetësuar në studime t’i përcjell edhe tek ata”, ka deklaruar ajo.
Fillimet nuk qenë të lehta. Vështirësitë financiare ishin të pranishme, por mbështetja e familjes luajti rol kyç në ruajtjen dhe zhvillimin e talentit të saj.
“Në pikturat e mia i përdori thuajse të gjitha teknikat që i kanë pikturat. Në fillimet e mia e kam pasë shumë të vështirë t’i siguroj materialet pasi isha vetëm 10-vjeçare dhe i duhej familjes sime të m’i siguronte, ndërkaq sot që edhe punoj vetë arrij që të shpenzoj paratë e mia për artin tim. Koha kur isha fëmijë nuk ishte më e lehta për mua si fëmijë, sepse prindërit nuk më kishin vetëm mua, andaj duhej që shpenzimet t’i ndanin edhe për vëllanë e motrat e mia, me aq mundësi sa kishin”, ka shtuar ajo.
Në punimet e saj, përveç portreteve dhe peizazheve, zë vend të veçantë edhe tradita.
Veshjet tradicionale janë më të preferuarat e saj, me të cilat synon realizimin e një ekspozite.
“Të gjithë familjarët e miqtë që nisën ta njohin gradualisht punën time, nisën të kërkojnë nga unë t’ua pikturoja portretet dhe kështu si 14-vjeçare fillova ngadalë edhe t’i shisja. Më së shumti i kanë pëlqyer pikturat e mia me motive tradicionale që i kam punuar dhe thuajse kërkesat më të mëdha i kam për to. Mezi pres që ta hap edhe një ekspozitë vetëm për pikturat me veshjet tradicionale, ky edhe është qëllimi im në hapat e mëtejshëm me pikturën”, ka theksuar Elmazi.
Por synimet e saj nuk ndalen vetëm brenda vendit. Ajo shpreson që punën e saj ta prezantojë edhe përtej kufijve.
“Sot si e re nuk mundem me e paramendu veten pa pikturë. Piktura për mu është gjithçka dhe brenda ditës është e pamundur mos t’i përkushtohem për tri deri në 4 orë. Gjatë asaj kohe përqendrohem maksimalisht në pikturë dhe duke punuar e kuptoi se sa e rëndësishme sot është për një të ri që të studiojë në drejtimin që e do e ta japë maksimumin përmes punës së vet. Ëndërr e kam edhe që pos ekspozitave në Kosovë të kem mundësinë të lëvizë sa më shumë nëpër Evropë, duke i shfaqur ekspozitat e mia, sidomos ato të veshjeve të traditave tona”, ka përfunduar ajo.
Edhe pse arti i pikturës ende nuk ka vlerësimin e merituar në Kosovë, për Teutën ai është dhe do të mbetet pjesë e pandashme e jetës së saj.