Kapela ikonike me dy brirë dhe thesaret personale të Napoleonit pritet të shiten për miliona euro në ankandin e organizuar nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në Paris. Ashtu ankandi eksploron se si Napoleoni mbetet një figurë e rëndësishme kulturore: pjesërisht gjeni ushtarak, pjesërisht antiheroi romantik, pjesërisht një markë globale
Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në Paris po organizon një nga ankandet më të pasura dhe të profilit të lartë mbi Napoleonin, të realizuara në këto vitet e fundit. Pjesë e tij janë mbi 100 artefakte nga koleksioni personal i koleksionistit francez, Pierre-Jean Chalençon.
Chalençon e ka grumbulluar këtë thesar për katër dekada dhe ai përfshin gjithçka, nga një fron perandorak dhe shpata, deri te testamente të shkruara me dorë nga Shën Helena, vulën e Napoleonit, shtratin e tij, një mëngë të njollosur me salcë që rrobaqepësi i tij e ruajti si relike, madje edhe tavolina e grimit e Joséphine.
Ankandi është një biografi në objekte dhe pritet ta kapë një vlerë prej më shumë se 7 milionë euro. Pjesa qendrore është kapela ikonike me dy brirë e Napoleonit, që ai mbante në betejë. Ajo vlerësohet të shitet për të paktën gjysmë milioni dollarë.
Po ashtu ankandi eksploron se si Napoleoni mbetet një figurë e rëndësishme kulturore: pjesërisht gjeni ushtarak, pjesërisht antiheroi romantik, pjesërisht një markë globale.

Drejtuesit e shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s” i kërkuan Jean Charles de Castelbajacut, një artist dhe disenjator i njohur francez, të krijonte skenografinë për ekspozitën.
“Dua t’i tregoj brezit të ri një rrugë që mund të jetë shembullore. Kur më ftuan nga shtëpia e ankandeve ‘Sotheby’s’ për të realizuar këtë instalacion, e kam parë si një instalacion i kulturës pop, si diçka që mund t’i flasë brezit të ri, jo vetëm pasionantëve të historisë, sepse sot koleksionistët që blejnë artefakte të Napoleonit mund të blejnë edhe një kitarë të Jimi Hendrixit. Pra atyre u pëlqen të krijojnë si një kabinet kuriozitetesh dhe historia është libri më i mirë për t’u frymëzuar, kështu që është mjaft interesante. Prandaj të gjithë të interesuarve u them ‘mirë se vini në sagën e Napoleonit’”, ka thënë ai.
Nuk është thjesht një shfaqje — ai e ka bërë atë përfshirëse, teatrale, me mjegull, dizajn tingulli dhe zgjedhje të guximshme vizuale në një interpretim folklorik të Napoleonit, të riimagjinuar për epokën e TikTokut.
“Ajo që më ka mahnitur gjatë gjithë kësaj pune me skenografinë është se ai ishte komunikuesi më i mirë në botë, e dini, ai bëri gjithçka për të lënë një gjurmë pas vdekjes së tij, që ta bënte veten gjithnjë e më popullor dhe që gjurmët e tij të ekzistonin përgjithmonë”, ka thënë Jean-Charles de Castelbajac.
Dy shekuj pas rënies së tij, Napoleoni mbetet i nderuar dhe i diskutueshëm në Francë – por mbi të gjitha, i pashmangshëm. Sondazhet kanë treguar se shumë njerëz e admirojnë vizionin dhe arritjet e tij, ndërsa të tjerë i dënojnë luftërat dhe sundimin autoritar të tij. Pothuajse të gjithë bien dakord se trashëgimia e Napoleonit ende e formëson kombin.
“Napoleoni vazhdon të jetë një personazh që fëmijët e duan. Qysh në moshë të re, fëmijëve, qofshin ata francezë apo të huaj, u tregohet për historinë e Napoleonit. Dhe për më tepër, ky imazh i Napoleonit mbi kalin e tij, me pelerinën e kuqe, e shfaq atë si një lloj superheroi, e kuptoni? Apo sikur personazhi i famshëm, Zorro. Dhe kjo është gjithashtu ajo që të magjeps nga fëmijëria. Është ajo fuqi, autoritet, shpejtësi apo përshpejtim”, ka thënë Louis-Xavier Joseph, drejtor i lartë dhe shef i departamentit për mobile dhe arte dekorative në “Sotheby’s”, i cili ndihmoi në mbledhjen e thesarit.

“Ne e kuptojmë se sot koleksionistët tanë nuk duan vetëm art bashkëkohor. Bëhet fjalë edhe për t’u treguar atyre se mund të jetojmë me objektet historike në një mënyrë jashtëzakonisht bashkëkohore. Tani, koleksionistët nuk jetojnë më në një mauzole përreth Perandorisë Franceze. Tani jetojmë në një botë ku përziejmë dhe i kombinojmë gjërat bashkëkohore me ato që mbartin histori”, deklaroi në fund Joseph.
Koha e ankandit është kinematografike. Filmi biografik i vitit 2023 i realizuar nga regjisori ikonik, Ridley Scott, i fitoi mbi 220 milionë dollarë në të gjithë botën dhe ringjalli mitin e Napoleonit për një brez të ri të TikTokut, të etur për histori ambicieje, rënieje dhe romance të dënuar.
Publiku ka pasur mundësi ta eksplorojë këtë koleksion deri më 24 qershor, ndërsa ankandi është caktuar të mbahet të enjten.