Kulturë

Piktura e Rubensit prej zhdukjes për katër shekuj deri te 2.3 milionë euro

Rrallëherë vlerësohej mbi 10 mijë euro, por vepra e Rubensit u shit për 2.3 milionë euro duke zbardhur edhe rrugëtimin e saj prej vitit 1625 kur u zhduk

Rrallëherë vlerësohej mbi 10 mijë euro, por vepra e Rubensit u shit për 2.3 milionë euro duke zbardhur edhe rrugëtimin e saj prej vitit 1625 kur u zhduk

Një pikturë e humbur prej më shumë se katër shekujsh nga mjeshtri i barokut, Peter Paul Rubens, u shit për 2.3 milionë euro në një ankand në Versajë, duke zbardhur edhe shumë mistere të saj.

Piktura u gjet së fundmi në një shtëpi private në Paris. Ajo paraqet kryqëzimin e Jezu Krishtit. Ishte pjesë e një koleksioni francez dhe fillimisht u mendua se ishte nga një prej shumë punëtorive të Rubensit, që ekzistonin në atë kohë. Vlera e saj rrallë herë vlerësohej mbi 10 mijë euro. Por ankandi i së dielës përmbysi gjithçka.

“Kur e gjeta këtë pikturë, mendova se ishte e jashtëzakonshme, por të thosha se ishte e Rubensit, kjo është tjetër gjë, sepse e dini që ekzistojnë rreth 200 punëtori Rubensi. Kështu që për breza të tërë është konsideruar si një pikturë e këtyre punëtorive, e vlerësuar shumë lirë në trashëgimi, sepse nuk mendohej të ishte pikturuar nga mjeshtri i madh. Por unë menjëherë pata një ndjenjë të fortë për këtë pikturë dhe bëra gjithçka që munda për ta vërtetuar si vepër e Rubensit. Dhe më në fund arritëm ta vërtetonim përmes ‘Rubenianum’, komitetit të Rubensit në Antwerp”, ka thënë Jean-Pierre Osenat, president i shtëpisë së ankandeve “Osenat”.

Eksperti i artit, Eric Turquin, u ka thënë të pranishmëve se piktura ishte zhdukur praktikisht që në fillim të viteve 1600.

“Ka qenë në të njëjtat duar për 150 vjetët e fundit dhe ka qenë e panjohur për kritikët dhe publikun e gjerë që nga viti 1625, kur u zhduk. Ne e dinim për ekzistencën e saj falë një gdhendjeje që mban nënshkrimin e piktorit, dhe ajo është rishfaqur, për ju, këtu në Versajë, në shtëpinë e ankandeve të zotëri Osenat”, ka thënë ai.

Vepra dihet se ka qenë në pronësi të piktorit klasik francez të shekullit të 19-të, William Bouguereau, para se të bartej brez pas brezi. Shtëpia e ankandeve “Osenat” ka thënë se autenticiteti dhe prejardhja e saj u konfirmuan pas analizave shkencore.

Ekziston mundësia që disa pjesë të veprës të mos jenë pikturuar nga vetë Rubens, siç janë retë. Por, ekspertët ranë dakord se figura qendrore e Krishtit ishte “një kryevepër nga artisti i shquar”

“Kjo pikturë ka një prejardhje të famshme, sepse vjen nga William Bouguereau, një nga piktorët kryesorë klasikë të fundit të shekullit të 18-të dhe 19-të. Por ne e dimë ekzistencën e kësaj pikture që nga shtypi i vitit 1625 nga Vostermann, i cili mban inicialet PPR, Peter Paul Rubens. Pra, e dinim se ekzistonte një vepër e Rubensit e humbur që nga viti 1625, dhe ta shohësh të rishfaqet është vërtet fantastike”, ka thënë Turquin.

Gjithashtu u bë e ditur se ekzaminimi mikroskopik i shtresave të ngjyrës zbuloi jo vetëm pigmente të bardha, të zeza dhe të kuqe në zonat që paraqisnin mishin, por edhe pigmente blu dhe jeshile, përdorimi i të cilave është tipik në paraqitjet e lëkurës njerëzore nga Rubensi.

“Kjo pikturë njihej në vitin 1625 dhe ekziston një gdhendje e saj nga viti 1625 me nënshkrimin e Rubensit. Pra, ne e dimë që piktura është e Rubensit dhe gjithashtu e dimë që piktori e paditi gdhendësin atëkohë, sepse nuk e respektoi punën e tij. Në gdhendje, sytë e Krishtit janë të hapur, ndërsa Rubens me siguri u ka kushtuar shumë rëndësi syve gjysmë të mbyllur të dikujt që po jep shpirt, duke shfaqur momentet e fundit të jetës së tij”, ka thënë ai.

Turquin ka deklaruar se ekziston mundësia që disa pjesë të veprës të mos jenë pikturuar nga vetë Rubens, siç janë retë. Por, ai ka deklaruar se ekspertët ranë dakord se figura qendrore e Krishtit ishte “një kryevepër nga artisti i shquar”.

“Dhe mund të ketë diskutime rreth kësaj pikture, sepse është mjaft e mundur që retë të mos jenë pikturuar nga Rubens. Po ashtu është e mundur që vegjetacioni të mos jetë prej tij. Dhe tani ka diskutime mes historianëve të artit — a është pamja e Jerusalemit e realizuar nga vetë artisti apo nga dikush tjetër? Por figurën kryesore e pranuan të gjithë njëzëri: jo vetëm që është e Rubensit, por është një kryevepër e artistit”, ka thënë Turquin. “Kjo është puna e jetës sime, e dini, sepse ne shohim qindra kopje. Shohim kopje të Mona Lizës çdo javë, por ndonjëherë, ke fatin të gjesh një pikturë të tillë. Dhe është sikur mbledhësi i kërpudhave që gjen tufën e tartufëve”.