Pas një muaji të mbushur me debutime të disenjatorëve në javët e modës në Londër, Milano e New York, radhën për ta mbyllur sezonin e kishte njeriu që tani mban një nga detyrat më të rëndëishme në botën e modës, drejtori i ri artistik i “Chanel”, Matthieu Blazy.
Sipas CNN, sfilata e tij e parë për brendin e njohur francez “Chanel” u mbajt mbrëmjen e së hënës, në fund të Javës së Modës në Paris, në vendin e njohur ku brendi ka organizuar shumë nga shfaqjet e tij që nga viti 2007, Grand Palais, ndërtesa historike që sapo është restauruar me investim prej 500 milionë dollarësh.

Skena ishte madhështore: planete gjigante të ndritshme vareshin në ajër, të tjerë ishin vendosur në dysheme, duke krijuar atmosferën e një sistemi diellor të tërë. Në rreshtin e parë ishin yje të njohur të Hollywoodit, si Margot Robbie, Penélope Cruz dhe Pedro Pascal, si edhe ambasadorët më të rinj të “Chanelit”, Ayo Edebiri dhe Nicole Kidman, e cila dukej sikur po kthehej “në shtëpi”, pasi dikur ishte fytyra e reklamës së njohur të parfumit “Chanel No. 5”.


Reklama për parfumin "Chanel No.5." me Nicole Kidman:
Grand Palais ndodhet në afërsi të shtëpisë së parë të modës që themeluesja Gabrielle “Coco” Chanel hapi në Rue Cambon, adresë që kompania e mban ende sot. Si homazh, hyrja kryesore e Grand Palais tani mban emrin “Chanel” të gdhendur në gur, një gjest simbolik që, sipas raportimeve, ishte pjesë e marrëveshjes kur marka kontribuoi me 25 milionë euro për restaurimin e ndërtesës.

Pyetja e shumë njerëzve është: çfarë do të kishte menduar Coco Chanel për këtë shfaqje? E pamundur të dihet, por lehtë të imagjinohet.
Ndoshta do ta kishte pëlqyer rikthimin e disa prej shenjave të saj të para, si xhaketa klasike e njohur si “tweed” (por, kjo xhaketë u shfaq në pasarelën e ‘”Chanelit” edhe atëherë kur brendi nuk pati drejtor kreativ), e zbukuruar me lulet e mirënjohura, identifikuese, të preferuarat e saj, kamelia të bardha.

Apo ndoshta do t’i kishte thënë Blazyt të harronte të kaluarën pasi që Coco ishte e drejtpërdrejtë dhe pa shumë nostalgji.
“Moda duhet të vdesë dhe të vdesë shpejt, në mënyrë që tregtia të mbijetojë”, kishte thënë ajo dikur. Sa më e përkohshme të jetë moda, aq më e përsosur është. S’mund të mbrosh diçka që tashmë ka vdekur”, pati thënë ajo dikur.
Sipas kësaj logjike, me Cocon dhe pasardhësin e saj të famshëm Karl Lagerfeld që tashmë nuk jetojnë, Matthieu Blazy ka lirinë krijuese për ta çuar “Chanelin” në një drejtim krejtësisht të ri, diçka që paraardhësja e tij Virginie Viard nuk guxoi ta bënte gjatë mandatit të saj pesëvjeçar.
Viard, që kishte qenë për dekada krahu i djathtë i Lagerfeldit, mbajti qasje të qetë dhe të përmbajtur, ndryshe nga mjeshtri gjerman që u bë fytyra më e njohur e “Chanelit” për 36 vjet.
Ai e ringjalli shtëpinë e modës pas vdekjes së themelueses, duke e kthyer në fuqi botërore të luksit.
Blazy, përkundrazi, është një figurë shumë më e përmbajtur, i njohur për stilin e thjeshtë me xhinse dhe bluzë me mëngë të shkurtra, si dhe për profilin e tij të ulët publik.

Por kjo nuk e bën më pak të rëndësishëm. Ai ka punuar me disa nga emrat më të respektuar të industrisë së modës si Raf Simons dhe Phoebe Philo, dhe ka pasur role në brende të mëdha si “Maison Margiela”, “Celine” dhe “Calvin Klein”. Në vitin 2021 u bë drejtor kreativ i shtëpisë italiane “Bottega Veneta”, ku pati periudhë të shkurtër, por shumë të suksesshme.
Tani, si drejtori i katërt artistik në historinë e “Chanelit”, 41-vjeçari francezo-belg ka marrë një nga pozitat më të mëdha në modë. “Chanel”, që mbetet kompani private me rreth 20 miliardë dollarë të ardhura në vit, nuk e ka presionin e publikimit të rezultateve financiare si markat e tjera të mëdha që i përkasin konglomerateve si “LVMH” apo “Kering”. Prandaj, Blazy mund të ketë më shumë kohë për të gjetur ritmin e vet.
“Nuk po përpiqemi t’i tregojmë të gjitha që në ditën e parë. Ne duhet t’i japim kohë”, ka thënë presidenti i “Chanelit”, Bruno Pavlovsky, për The New York Times.
Megjithatë, debutimi i tij nuk ishte aspak i kujdesshëm. Në një intervistë ekskluzive për Business of Fashion, Blazy ka thënë se e kishte dizajnuar koleksionin e parë për “Chanel” “sikur të ishte i fundit”.
Paraqitja e koleksionit të tij, për periudhën Pranverë–Verë 2026 filloi me një kostum, xhaketë të shkurtuar në bel dhe mëngë të mbështjella, një paralajmërim i butë për atë që do të vinte: një koleksion plot lëvizshmëri.

Në sfond u dëgjua hiti i viteve ’90 “Rhythm is a Dancer”, ndërsa modelet ecnin me hapa që përçonin energji dhe jetë. Rrobat lëkundeshin, përdridheshin, duke shprehur lehtësi dhe spontanitet. Dhe CNN ka shkruar se çantat dukeshin sikur sapo i kishin marrë, me ngut, gjysmë të hapura.

Format klasike të “Chanelit” ishin aty, por të përshtatur me kohën: xhaketat ishin më të lehta, format më të buta.
Veshja finale, një fund voluminoz shumëngjyrësh që dukej sikur ishte bërë nga petale dhe pupla të copëtuara, i kombinuar me një bluzë mëndafshi të thjeshtë, solli një ndjesi gëzimi dhe energjie që pushtoi publikun, i cili u ngrit në këmbë për t’i dhënë Blazyt duartrokitjet e para në kuadër të “Chanelit”.

Kritikët e kanë vlerësuar shpesh Blazyn për mënyrën se si e vendos mjeshtërinë dhe punimin në qendër të krijimeve të tij. Edhe këtë herë, përkundër gjithë bujës, skenës madhështore dhe emrave të njohur në rreshtin e parë, ishte e qartë se rrobat ishin në qendër të gjithçkaje, dhe sipas CNN, kjo ishte fitorja e tij më e madhe.