Piktura e rizbuluar e Picassos, “Bust of a Woman in a Flowery Hat” (Busti i një gruaje me kapelë me lule), që përfaqëson muzën dhe partneren e tij, Dora Maar, u prezantua në shtëpinë e ankandeve “Drouot” në Paris, dy ditë para se të dalë në ankand. E blerë në vitin 1944 nga gjyshi i pronarit aktual, piktura nuk ka qenë në tregun e artit që atëherë.
Vepra e realizuar në korrik të vitit 1943, portreti paraqet Dora Maarinin, muza e artistit që nga viti 1936.
Ajo i ishte prezantuar Picassos nga poeti, Paul Eluard, dhe ishte mike me Brassain dhe Bretonin. Dora ishte tashmë një nga muzat e surrealistëve.
“Kemi një pikturë që është pikërisht ashtu siç ishte, kur doli nga studioja. Një vepër ku mund të ndiesh të gjitha ngjyrat, të gjithë gamën kromatike”, ka thënë ekspertja e artit, Agnès Sevestre-Barbé. “Është një pikturë që flet vetë. Thjesht duhet ta shikosh; është plot shprehje dhe mund të shohësh të gjithë gjenialitetin e Picassos, sepse është krijuar me mjete shumë minimale. Por kur shikon sytë, është absolutisht e pabesueshme. Ka vetëm një vijë sipër, një vijë poshtë, një rreth dhe ka një shprehje të jashtëzakonshme. Mund të ndiesh një lloj trishtimi nëse e shikon atë pak më gjatë, veçanërisht në sy dhe ndoshta në gojë. Pse një lloj trishtimi? Sepse, në fakt, kur u pikturua në korrik të vitit 1943, Dora Maar e dinte se Picasso kishte takuar dikë tjetër, Françoise Gillot, të cilën e takoi në maj të atij viti, dhe ajo mendonte se për fat të keq, marrëdhënia e saj me mjeshtrin e madh ka të ngjarë të përfundojë së shpejti”.
Christophe Lucien, nga shtëpia e ankandeve “Drouot”, nuk ka dashur të jepte një vlerësim publik rreth shumës që parashikohet të shitet piktura, por konfirmoi interesin e madh të koleksionistëve të artit për blerjen e saj në ankand, të premten.
“E gjithë bota është e interesuar për këtë vepër; po flitet për të në të gjitha kryeqytetet botërore me një treg të fortë arti, nga Shtetet e Bashkuara në Azi, dhe sigurisht në të gjitha tregjet kryesore evropiane. Për më tepër, ne do ta shesim pikturën gjatë panairit ‘Art Basel’ në Paris, kështu që të gjithë tregtarët kryesorë në planet janë atje, koleksionistët kryesorë janë atje, dhe ne mirëpresim një numër shumë, shumë të madh vizitorësh çdo ditë. Po ashtu, presim po aq shumë blerës të interesuar edhe gjatë ankandit”.
I shquar si një nga artistët dhe piktorët më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Picasso është gjithashtu një prej piktorëve, veprat e të cilit janë shitur më së shtrenjti ndonjëherë në ankand, me disa piktura që kanë kaluar vlerën prej 100 milionë dollarësh.
Vepra e tij më e shitur është “Les Femmes d’Alger (Version O)”, e shitur në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në New York, në vitin 2015, për 179 milionë dollarë.