Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ambasada britanike, bursë studimi në nderim të Vjosa Berishës

Ambasada britanike në Prishtinë ka lansuar “Bursën Përkujtimore Vjosa Berisha” si pjesë të programit të saj të bursave “Chevening”, nën emrin e producentes së njohur.

Çmimin nga bursa mund ta fitojnë qytetarët e Kosovës të cilët duan të studiojnë për master në Mbretërinë e Bashkuar, për Film: Menaxhimi dhe Administrimi i Arteve, Festivalit ose Kulturës; Praktikë Kreative; ose studimet e Komunikimit/Media.

Bursa i kushtohet Vjosa Berishës dhe fushat e studimit i përshtaten fushave ku ajo pati ndikim.

“Çmimi i kushtohet kujtimit dhe trashëgimisë së Vjosa Berishës dhe zgjedhja e subjekteve pasqyron gamën e fushave në të cilat Vjosa pati ndikim gjatë karrierës së saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Vjosa Berisha ka qenë fituese e bursës për një master në studimet e Medias dhe Komunikimit në Universitetin Westminster.

Ambasadori britanik Nicholas Abbott ka thënë se Berisha ka pasur ndikim të madh si producentë, ndërsa shprehu kënaqësinë për mundësinë e ofrimit të bursës për të tjerë kosovarë.

Edhe Vjosa Berisha kujtohet si producente, aktiviste e ambasadore e artit të Kosovës Kulturë Vjosa Berisha kujtohet si producente, aktiviste e ambasadore e artit të Kosovës

Aplikuesit në Kosovë do të mund të aplikojnë për bursën për vitin akademik 2023/2024, deri më 1 nëntor.

Vjosa Berisha vdiq më 23 qershor të këtij viti. Ajo ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e Festivalit “PriFest” për 11 vjet.