Kulturë

Vjosa Berisha kujtohet si producente, aktiviste e ambasadore e artit të Kosovës

Në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, familjarët, miqtë, kolegët e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe e më pas i kanë shprehur ngushëllime familjes së producentes Vjosa Berisha. Të pranishëm kanë qenë edhe udhëheqës të lartë shtetërorë të cilët trashëgiminë e Berishës pos tejet përmbajtjesore, e kanë cilësuar edhe si shumë frymëzuese. Ceremonia është mbajtur pikërisht në sallën ku për më shumë se një dekadë Berisha u është drejtuar mysafirëve të festivalit më të madh të filmit të gjatë në Kosovë, “PriFilmFest”

Të mbledhur në institucionin më të lartë teatror, familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e producentes Vjosa Berisha, kanë kujtuar atë si një grua liderë në art e kulturë. Berisha e cila vdiq javën e kaluar si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, është vlerësuar si profesioniste e grua frymëzuese si asnjë tjetër. Në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, familjarët, miqtë, kolegët e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe e më pas i kanë shprehur ngushëllime familjes. Të pranishëm kanë qenë edhe udhëheqës të lartë shtetërorë të cilët trashëgiminë e Berishës pos tejet përmbajtjesore, e kanë cilësuar edhe si shumë frymëzuese

Ambasadore e artit dhe kulturës

Fotografia bardhezi e Vjosa Berishës e cila vdiq javën e kaluar në Londër derisa po luftonte me kancer, është rrethuar me lule në ballë të Teatrit. Një tjetër në format më të vogël ka qëndruar edhe te libri i zisë, ku shumëkush ka thënë fjalët e veta për Berishën e cila vdiq në moshën 49-vjeçare. Familja Istrefi dhe Berisha të enjten janë ngushëlluar nga qindra veta para mbledhjes komemorative të organizuar nga Ministria e Kulturës. Ceremonia është mbajtur pikërisht në sallën ku për më shumë se një dekadë Berisha u është drejtuar mysafirëve të festivalit më të madh të filmit të gjatë në Kosovë, “PriFilmFest”. Qe bashkëthemeluese dhe drejtuese e Festivalit që solli emra të njohur të botës kinematografike në Kosovë. Paraprakisht gjatë homazheve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit e mbarë qytetarët kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin e pozitivitetin e saj, po ashtu edhe me talentin e saj i dha shumë artit dhe kulturës te ne, përfshirë filmat në të cilët punoi e festivalin që e organizoi.

“Festivali ‘PriFest’ u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktorë të famshëm nga bota që edhe vizitonin Kosovën edhe kontribuonin që vendi jonë të futet në hartën e kulturës botërore”, ka thënë kryeministri Kurti.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Vjosa Berisha ka lënë një trashëgimi shumë të çmueshme në kulturë e art.

“Ka qenë ambasadore e kulturës sonë dhe artit tonë në botë. Veprimtaria e saj nuk ishte vetën në art e kulturë, por si aktiviste gjithmonë fliste për Kosovën në botë dhe kontribuonte për ndërtim të imazhit të mirë për vendin e saj. Brezat e ardhshëm do ta analizojnë e vlerësojnë kontributin e saj”, ka thënë Konjufca.

Aktivistja e zellshme

Në emër të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ka folur këshilltarja e tij, Gentiana pallaska. Ajo ka thënë se do të lexojë fjalën e ministrit Çeku i cili gjendet në Francë në një udhëtim zyrtar. Sipas fjalës së lexuar për Çekun, duke e parë vazhdimisht të mbushur me pozitivitet dhe vullnet të pandalshëm për punë ishte e lehtë të harrohej sëmundja me të cilën po përballej Vjosa Berisha.
“Por realiteti qëndron ndryshe, shoqëria ka humbur një prej personaliteteve më të rëndësishme. Ka ofruar një hapësirë kinematografike të paparë më herët ku figura të mëdha artistike erdhën dhe shkëmbyen përvoja me artistë vendas. E në trashëgimitë e saj më të rëndësishme është pozitiviteti, modeli se si luftohet stigmatizimi me vendosmëri e si luftohet me çdo kusht për të drejtat e njeriut”, shkruhej në letër.

Liderja e vullnetshme

Image

Në mbledhjen komemorative producentja Vjosa Berisha është vlerësuar si figurë inspiruese e lidere në art e kulturë


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë të mangëta fjalët për të t’ua lehtësuar familjarëve dhimbjen për humbjen e Berishës. E ka vlerësuar atë se lidere në fushën e artit e kinematografisë që shtroi rrugën e suksesit për shumë gra e vajza në këtë vend.

“Pa të Prishtina më nuk është njësoj. Vjosa ka lënë gjurmë të thella e shumë të rëndësishme në jetën e kryeqytetit dhe të vendit. Si themeluese e ‘PriFilmFest’ Vjosa i ka sjellë Prishtinës çdo vit artistë e energji duke zbukuruar kryeqytetin dhe duke na dhuruar përvoja të paharrueshme”, ka thënë ai. Sipas Ramës, trashëgimia e Berishës do të jetë sa vetë Prishtina.

“Ajo jetoi në plotni secilin moment. Ndoshta ky është edhe mësimi më i bukur që na e la”, ka thënë Rama.

Bashkëpunëtori e kolegu i saj, producenti Yll Uka, ka thënë se Vjosa Berisha zgjoi admirim për përkushtimin e saj ndaj punës, për qasjen tejet profesionale, për qëndrimin dashamirës në gjithë komunitetin si dhe për vendosmërinë që të krijojë gjurmë të pashlyeshme në artin kosovar.

“Puna e palodhshme që Vjosa bëri për komunitetin artistik duke përfshirë këtu ‘Prishtina International Film Festival’, prodhimet e saj në industrinë e filmit dhe shumë vepra të tjera e kanë bërë të jetë përherë trashëgimi e artit Kosovar. Vetëm një zonjë si Vjosa arriti që të krijojë një festival me përmasa evropiane duke bashkuar rrjetin artistik të Kosovës me artistë nga gjitha bota”, ka thënë ai. sipas Ukës, Berisha ka qenë person që secilin film kosovar e shihte si projekt të saj dhe në këtë mënyrë, u mundua ta shtyjë përpara dhe ta ndihmojë sikur të ishte i saj edhe në filmin ”Zgjoi”. Sipas Ukës, kujtimi për Berishën do të jetë i përhershëm njëjtë sikurse veprat e saj.

E bashkëshorti i Vjosa Berishës, regjisori Fatos Berisha ka falënderuar krejt ata që e kanë ndihmuar e përkrahur producenten gjatë përpalljes me sëmundjen. Ka thënë se ajo nuk dëshironte që të thuhej se ka sëmundje të keqe, por preferonte t’ia përmendte emrin kancerit në mënyrë që të frymëzonte sa më shumë njerëzit që të përballen me sëmundjen.

Karriera e gjithanshme

Përtej aspektit profesional, Berisha njihej për energjinë e saj organizative. Lakmohej fort e merrej si shembull e frymëzim. E bëri vetë të ditur se po përballej me një sëmundje të rëndë dhe nisi të fliste vullnetshëm për betejën të cilën po e zhvillonte. Bëri thirrje shpesh që njerëzit të mos dorëzoheshin. Madje përballjen me sëmundjen bashkë me ndryshimet fizike nisi që t’i shndërronte në një “trend” duke frymëzuar krejt ata që kanë halle shëndetësore. Sa qe gjallë nuk u ndal kurrë dhe krijoi platforma që do të vazhdojnë të funksionojnë si trashëgimi e një njeriu tejet punëtor.

Vjosa Berisha u lind në Prishtinë më 23 korrik 1972. Karriera e saj shtrihet në disa fusha. Kishte mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Më 2003, bashkë me bashkëshortin, themeloi “B2”-shin, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me seli në Kosovë dhe Shqipëri.

Berisha është gjithashtu bashkëthemeluese e drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFilmFest”. Edicionin e parë e mbajti më 2008 dhe prej atëherë solli në Kosovë emra të njohur të industrisë së filmit në botë deri tek ata hollivudianë. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike e dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit “PriFORUM”, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit. Prej vitit 2013, ajo qe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Në vitin 2015 Berisha mori pjesë në kursin e “EAVE Producers Workshop”, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në “EAVE Generation 2015”. Ajo është producente e dy filmave artistikë “Cirku fluturues” (2019) dhe bashkëprodhimin me Maqedoninë e Veriut “The Happiness Effect”. Sipas biografisë së Berishës, ajo ka punuar në shumë projekte të tjera duke qenë producente e programit për fëmijë “Sesame Street Workshop” në shqip dhe serbisht. Kishte studiuar në nivelin master për art, media dhe komunikim në Universitetin e Westminster në Londër e po ashtu edhe për diplomaci bashkëkohore në Universitetin e Maltës. Përtej këtyre qe shumë aktive dhe zë i fortë në promovimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara si LGBTI. Në vitet e fundit ishte udhëheqëse e Shtëpisë së Evropës në Prishtinë, e derisa sëmundja ia lejoi, udhëhoqi këtë institucion në Shkup.

Berisha do të kujtohet gjithandej ku punoi e dha kontribut. Varrimi i saj është bërë në varrezat e Prishtinës, përderisa trashëgimia e saj vazhdon rrugëtimin, midis tjerash “PriFilmFest” që për sivjet është paralajmëruar të mbahet në fund të gushtit.