Në qendër të shfaqjes vijnë pasojat dhe ndikimet e fenomenit “Big Brother” – format televiziv i frymëzuar nga vepra e Orwellit – që njihet si simbol i abuzimit me fuqinë e pushtetarëve. Veçmas ishte përdorur në kohën e fashizmit. Ky lloj sistemi është edhe thelbi i tematikës së shfaqjes dyorëshe, “1984”. Sot shfaqja vë në mendje censurën në forma të ndryshme si një lloj diktature indirekte. Me tekst të shkrimtarit të madh George Orwell dhe regji të regjisorit të shquar francez Igor Mendjisky, “1984” bëri diferencën midis realitetit dhe iluzionit në të cilin jeton shoqëria
Paradokset e jetës dhe koncepti i lirisë erdhën të inskenuara në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja “1984” me tekst të shkrimtarit të madh George Orwell dhe regji të regjisorit të shquar francez Igor Mendjisky bëri diferencën mes realitetit dhe iluzionit në të cilin jeton shoqëria. Aftësia për të manipuluar e shtrirë sistemin totalitar shkon deri në atë pikë sa krijon dyshime në vetvete. Historia e dashurisë mes dy personazhesh është thelbi për të mbërritur deri në esencën e shfaqjes. “1984” që parashikon gjendjen mbi tri dekada para se ngjarja të zhvillohet, ka qenë reflektim për tematikën që përshtatet edhe sot e për të paparashikuarat e së ardhmes.
Në qendër të shfaqjes vijnë pasojat dhe ndikimet e fenomenit “Big Brother” – format televiziv i frymëzuar nga vepra e Orwellit – që njihet si simbol i abuzimit me fuqinë e pushtetarëve. Veçmas ishte përdorur në kohën e fashizmit. Ky lloj sistemi është edhe thelbi i tematikës së shfaqjes dyorëshe. Sot, shfaqja vë në mendje censurën në forma të ndryshme si një lloj diktature indirekte.
Të shtunën mbrëma aktorët e kanë pritur publikun në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Derisa dritat u fikën në pjesën e publikut, një mjegull e lehtë i parapriu eksplorimit të rrëfimit. “1984” fillimisht është perceptuar si një lloj ironie me realitetin e udhëheqjes së sistemeve dhe pushtetarëve. Jashtë “kornizave” të skenës, në anën e djathtë të publikut është shfaqur edhe autori i dramës, shkrimtari George Orwell, rol të cilin e ka luajtur aktorja Arta Selimi. Si një intro e shfaqjes ka qenë prezantimi i karaktereve të shfaqjes. Disa prej tyre që prej profesionit, veprimtarisë së tyre që sistemit i shkon për shtat afrohen, përndiqen ata që kundërshtojnë.
Të tillë si zonjat Parsons (Edona Reshitaj) dhe Sherington (Xhejlane Godanci) japin përshtypjen se janë lehtë të manipuluara me naivitetin e tyre kur që në nisje të prezantimit konsiderohet të mos ketë nevojë për mbledhje informacioni. Krejt e kundërta ngjan me karakterin Winston Smith, që më pas flijohet si pasojë e guximit të tij. Ai është punonjës i pushtetit tek prezantohet se punon në “Ministrinë e së Vërtetës apo nëse përkufizohet del se është Ministria e Gënjeshtrës”. Këto fjalë të tij tërheqin vëmendjen e O'Brien, pjesë e “Partisë së Vëllazërisë”, rol që e luan aktori Adrian Morina. Çdo lëvizje e tij është nën kontroll. Madje e pësojnë personat e dashur për të, siç ngjan me Xhulian (Flaka Latifi).
Derisa kritikat e Winstonit vijnë si rebelim, papritmas bie përtokë. Nisin lëvdatat e menjëhershme për të që ngjajnë në ato që zakonisht fliten pas vdekjes, që derisa vijon, ai ngrihet dhe nis të lindë dashuria mes tij dhe Xhulias. Në shfaqje parashikohet zhdukja e fjalëve, zvogëlimi sa më i madh i fjalorit që vjen si dukuri nëpërmjet rolit të Simes, që luhet nga Basri Lushtaku. Një ironi vjen për propagandën e mediave dhe vetëcensurën. Kjo kur njëri prej të pranishmëve, Goldstein (Shpejtim Kastrati), që konsiderohet i rrezikshmi i pushtetit, ngre zërin për padrejtësitë dhe për mosnënshtrim.
“1984” sjell përplasjen mes së vërtetës dhe manipulimit të shoqërisë. Shfaqja e bazuar në romanin e vitin 1948 parashikon edhe avancimin e teknologjisë së komunikimit. Ana tekstuale në shfaqje është masive. O’Brien shpesh vjen edhe si narrator i shfaqjes, për të biseduar rreth fenomeneve, rrethanave, aktualitetit. Shpejt ai ndikon në dashurinë e Winstonit dhe Xhulias, ku fillojnë të shfaqen shenjat e kontrollit të politikës mbi jetët e tyre. Aktori Adrian Morina, që e ka jetësuar rolin, ka thënë se karakteri personifikon goxha mirë politikanët, pushtetet.
“Në konceptin e dramatizimit dhe në regjinë e Igorit, vjen gati si një personazh që i udhëheq të gjitha levat, por vjen deri te pjesa e fundit kur e tregon pushtetin gati pavërejtshëm. Zakonisht siç vijnë politikanët, siç vijnë pushtetet, gati pavëretjshëm. Është roli negativ, i djemve të këqij, që më janë bërë të shpeshta këto role, po më pëlqejnë pasi të japin mundësi shumë për të luajtur”, ka thënë aktori Morina.
Ai ka thënë se procesi për shfaqjen ka qenë tejet i shkurtër dhe se është çmenduri që një vepër e tillë të kompletohet brenda një muaji. Kjo për shkak të datave të përcaktuara për angazhimin e regjisorit francez në Kosovë. Për aktorin Morina, qasja e Mendjiskyt me shfaqjen ka qenë e jashtëzakonshme.
“Mënyra si i është qasur përmes një historie të dashurisë për ta sjellë diktaturën është e jashtëzakonshme. Mbi të gjitha, me një intervenim të vogël artistik në fund ai ngjall personazhet dhe jep një copë shprese të vogël për të ardhmen. Nuk e përmbyll siç mbyllet në novelë, lë shpresë që njerëzia dhe dashuria do të triumfojnë, nuk është bota që ne do të donim të ishim, pavarësisht se në të jetojmë”, ka vlerësuar Morina.
Ai ka thënë se pos në shoqëri, shfaqja ka reflektuar edhe në punën e teatrit. “Duke qenë gjithmonë i angazhuar në këtë teatër, po na mungon shpeshherë shpirti, emocioni, dashuria, jemi bërë goxha si shumë robotikë. Pak me frikën se publiku nuk ka aq shumë kohë të dëgjojë që ta tregosh gjithë historinë, sikur kemi ardhur me disa mendime si komunitet se shfaqja duhet të zgjasë një orë, dinamikat e jetës. Sonte u dëshmua se kur bën shfaqje të mirë, e them pa modesti, sikur edhe njerëzit i kishte marrë malli të shohin diçka të gjallë, të shohin një botë magjike që po na mungon”, ka thënë Morina më tej.
Mbikëqyrja digjitale, frika nga përgjimi, nënshtrimi ndaj të pushtetshmëve për hir të dashurisë, janë prej vetive që nis të zbulojë shfaqja.
Fillimisht në formë indirekte, më pas edhe haptazi, zbulohet se pushtetarët, udhëheqësit e shoqërisë synojnë përhapjen e dukurive negative. Bie perdja e të vërtetave të jetës, prapaskenave të kriminalitetit, veçmas sakrifica e të gjorëve të cilëve u merret peng dashuria për interesa individuale. Një akt i shfaqjes prek edhe sistemin e arsimit tek zbulohet ndikimi në përmbajtjen e librave ku devijohet e vërteta dhe historia shtrembërohet.
Ironia vjen edhe më fuqishëm kur pjesë të shfaqjes i përgjigjen kohës sot. Librat konsiderohen kot e ekzistenca e njeriut vihet në dyshim. Është një botë e errët prej kur njerëzit nuk lejohen të dalin. Të pafajshmit arrestohen kur personat e dashur tradhtojnë. Sistemi shëndetësor bëhet shërbëtor i pushtetarëve kur i shërben shpëlarjes së trurit të popullit. Ndodh edhe që ngjarja përmbyset e pushteti nis të flasë keq për pushtetin. Faktet e ditura manipulohen, besimi mes familjarëve e të dashuruarve zhduket. Njeriu zhduket dhe njeriu mbetet veç një trup i gjallë, pa ndjenja.
Regjisori i shfaqjes, francezi Igor Mendjisky, ka thënë se ka bërë ndërhyrje të tilla në shfaqje që të vë në qendër historinë e dashurisë.
“Ishte hera e parë që kam punuar me një trupë teatri nga një vend tjetër. Ishte aventurë e vërtetë të punoja me ta. Ishte eksperiencë fantastike. Kur e kam përshtatur shfaqjen jam munduar të vë në qendër historinë e dashurisë dhe kësisoj mendoj se përfundimi ishte më i rrezikshëm, më mahnitës, më shumë si një cunami”, ka thënë regjisori Mendjisky, sipas të cilit shfaqja përmban gjurmët e jetës sot.
“Kur u shkrua vepra ishte një satirë, më pas u bë një novelë e anticipimit dhe tani mendoj se ka shumë gjëra në roman të cilat ne sot i jetojmë. Mendoj se është diçka universale”, ka thënë ai më tej.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, është shprehur krenar me punën e trupës dhe gjithë stafit të TKK-së.
“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të inskenojmë për herë të parë dramën ‘1984’. Problemet të cilat i trajton Orwelli në veprën ‘1984’ që e ka shkruar në vitin 1948, realisht e gjithë bota sot ballafaqohet me probleme të tilla dhe fatkeqësisht mund të ballafaqohet edhe në të ardhmen. E bukura e këtij dramatizimi është edhe fjala e fundit e Orwellit në fund që thotë ‘e kam shkruar për të paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë’. Një punë shumë e mirë, mezi po presim të vazhdojmë. Edhe për repriza shumicën e biletave i kemi të shitura, ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të publikut”, ka thënë Sheremeti.
Ai ka bërë të ditur se synimet e tyre janë që shfaqja “1984” të jepet jashtë vendit derisa ka treguar se përfaqësues të festivaleve i kanë njoftuar se do të vijnë për ta parë nga afër.
“Është një prej atyre pikave ku patëm vendosur ta hapim Teatrin Kombëtar të Kosovës me botën. Është një shfaqje jo e rëndomtë për skenën e TKK-së për shkak të dinamikës, poetikes që e ka brenda. Ekipi me regjisorin dhe gjithë të tjerët e kanë realizuar në mënyrë maestrale”, ka thënë Sheremeti më tej.
E veçantë ka qenë sesi në njërin skaj ishte pozicionuar “autori” i shfaqjes tek mendimet e tij publiku mund t’i shihte aty për aty, pak metra larg tij. Shpesh përsëriste fjalët njëzëri me aktorët dhe u bashkohej në lojë.
“Ka qenë rol pak pasiv pasi unë shumicën e kohës jam ulur duke e shkruar veprën, ndërkohë që vepra ndodh në skenë. Pjesët e tjera që i kam luajtur i kam pasur shumë përzemër pasi janë të lezetshme. Shfaqja ka qenë dyorëshe dhe e kam parë që ka rrjedhë, ka qenë intensive në formën e vet”, ka thënë aktorja Arta Selimi që ka luajtur rolin. Edhe ajo është bashkuar në mendimin se tematika e shfaqjes qëndron edhe sot.
“Romani e ka inspiruar patentën ‘Big Brother’ që bëhet sot në botë, ajo pjesa e vrojtimit të njerëzve. Është vepër tepër e madhe që është shkruar më 1948 dhe që qëndron edhe sot. Mendoj se gjithçka që kisha me fol e kisha zvogëluar impaktin që vepra në fakt e ka pasë. Kështu që jam e lumtur që unë e kam luajtur vetë George Orwellin”, ka thënë ajo.
Aktori Ylber Bardhi ka thënë se roli i tij ka qenë një lloj sfide, por edhe hapësirë për kreativitet. “Në këtë vepër e luaj rolin e Winstonit, është një prej personazheve kryesore. Normalisht se ka qenë shumë sfidues pasi teksti është shkruar në vitin 1948 dhe është e çuditshme si i përshtatet edhe kohës së sotme. Duke e ditur që publiku është mësuar të më shoh nëpër komedi, edhe për mua ka qenë sfiduese, por ka qenë në të njëjtën kohë privilegj shumë i madh që ma kanë besuar këtë rol”, ka thënë ai derisa e ka vlerësuar emocionues tekstin e shfaqjes.
“Vetë teksti është emocional, tema e diktaturës që trajtohet në këtë shfaqje është shumë emocionuese. Normalisht se personazhet notojnë nëpër këtë temë dhe vjen përralla, storia e ‘1984’-shit të George Orwellit te publiku”, ka thënë aktori Ylber Bardhi.
Shfaqja ka bërë bashkë emra të njohur të skenës teatrore në sallën e stërmbushur të Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Drejtoresha e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, Albulena Kryeziu-Bokshi, e ka vlerësuar shfaqjen si thirrje për të vërtetën.
“Shfaqja më la përshtypje shumë të këndshme, u kënaqa shumë, e përjetova si një film, pikërisht si disa filma të vjetër francezë. Rridhte këndshëm, por, megjithatë, na dha mesazhe shumë të fuqishme. Shfaqje që na flet shumë për njeriun që jemi sot, për kohën që jetojmë dhe unë besoj se teatri është arma e së vërtetës, prandaj kjo shfaqje mund të jetë edhe një thirrje për të vërtetën”, ka thënë ajo.
Kur u bë publike nisja e provave për shfaqjen “1984” nga Teatri Kombëtar, filozofi e profesori Muhamedin Kullashi e kishte vlerësuar si lajm të mirë vënien në skenë të “veprës së çmuar të George Orwellit”. Në fillim të muajit në “Koha Ditore” ishte publikuar analiza e tij për interpretimin që filozofi francez Claude Lefort i kishte bërë romanit “1984”.
“Lefort mendon se pjesa thelbësore e romanit ‘1984’ na mbetet e panjohur brenda atyre eseve politike, e madje edhe ‘qëllimi i veprës na ikën kësisoj’. Me qëllim që të na zbulojë përvojën e vet të botës totalitare, Orwelli, sipas Lefort-it, i hyn një hulumtimi letrar, brenda një rajoni i cili ‘i shmanget dritës së papërpunuar të konceptit’, rajon në të cilin ‘zhbëhen kufijtë e të brendshmes dhe të jashtmes, ekzistencës personale dhe politikës’. Winstoni, nëpunës në Ministrinë e së Vërtetës të regjimit totalitar, i kapluar nga dyshimet, merr vendimin të shkruajë një ditar të vetin dhe i besohet një anëtari të rëndësishëm të Partisë, O’Brien, i cili prezantohet si agjent i konspiracionit: ‘Humbja e tij duket kësisoj, e provokuar nga besimi i pakusht që kishte për një kundërshtar të rremë të regjimit’“, kishte shkruar Kullashi.
Trupin e Winstonit në fund të shfaqjes e përshkon plumbi i mosbesimit dhe tradhtisë. “E kam shkruar dramën për të paralajmëruar”, thotë Orwell në pjesën e fundit të shfaqjes. Në fund bëhet e ditur se drama dyorëshe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe ngjan se nuk nevojitet rast i veçantë për ta dhënë shfaqjen. Parashikuesi i së ardhmes ka fuqinë të bëhet kuptimplotë çdoherë më shumë sa koha kalon.