Arbëri

26 vdekje në vendin e punës për 10 muaj

ndertimtari

Që nga janari e deri në tetor, 26 persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Kritika të mëdha u dhanë ndaj secilit akterë sa i përket gjendjes së punëtorëve në sektorin privat.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit në Inspektoratin e Punës, Rizah Plakolli, tha se inspektorati është duke hartuar një planveprimi për t’i parandaluar rastet me fatalitet.

“Rastet e shkeljeve për vitin 2025 janë zvogëluar, kryesisht në fushën e marrëdhënieve të punës ka më pak shkelje, ndërsa në fushën e sigurisë janë rritur rastet e shkeljeve. Çdo herë kemi bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Sfidat e kanë shoqëruar inspektoratin e punës, janë rastet e aksidenteve në vendin e punës që janë me fatalitet dhe kjo vazhdon të jetë ende sfidë për inspektoratin e punës. Mirëpo jemi duke hartuar një plan veprimi i cili do të ndërmerret brenda këtij viti dhe do të dalim me rekomandime të përkohshme për përmirësimin e gjendjes. Ne parashohim inspektimin dixhital edhe inspektime me anë të hapësirës ajrore”, tha Plakolli.

Plakolli për rastet me fatalitet i fajësoi punëdhënësit.

“Është rritur numri i rasteve ku përfundojnë me fatalitet. Kjo nuk i ka ndërgjegjësuar punëdhënësit dhe punëmarrësit, nuk i respektojnë rregullat e sigurisë, nuk e respektojnë ligjin për siguri dhe për punë si nga punëdhënësit dhe punëmarrësit ku përfaqësuesit e tyre dhe kontrollet për siguri lejojnë të ndodhë një gjë e tillë që punëtorët të ngjitën lartë në ndërtim pa mjete mbrojtëse, pa rrethimin e vendpunishteve dhe pa mbylljen e hapësirave të brendshme. Deri sa t’i marrim këto masa do të kemi këtë gjendje”, tha ai.

Inspektorati sipas Plakollit ka shqiptuar gjoba e ka mbyllur biznese.

Edhe kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se në 95 për qind të rasteve që përfundojnë me fatalitet, fajtorët kryesorë janë punëdhënësit.

 “Që nga paslufta e deri më tani, ky vit deri në periudhën më 1 tetor, fatkeqësisht është numri më i madh i rasteve të vdekjeve në vendet e tyre të punës, që nga janari i vitit 2025 deri më sot i kemi 26 raste të vdekjeve në vendet e tyre të punës, 68% të tyre janë punëtorë të kompanive private të cilat punojnë në ndërtimtari kurse pjesa tjetër janë normal në profile të ndryshme por gjithsesi janë punëtorë të sektorit privat të Kosovës. E përshkruajmë si jashtëzakonisht shqetësuese, shqetësimi më i madh është sepse asnjë institucion shtetëror por as pronarët e kompanive po shihet se nuk po merren seriozisht me këtë çështje”, tha ai.

Sa i përket rasteve të cilat po përfundojnë edhe me vdekje të punëtorëve, Azemi i ka lënë në faj edhe Inspektoratin e Punës por edhe për gjykatat.

“Normal që janë pjesë të fajit kryesor edhe Inspektorati i Punës, por në një formë janë edhe gjykatat sepse ne kemi raste që kanë humbur jetën punëtorët në vendet e punës para 6-7 viteve dhe ende nuk është ardhur deri të një përfundim. Familjarët nuk marrin asnjë kompensim, realisht nuk marrin kompensim as deri në përfundim të vendimit të gjykatës, por gjyqësia e vonuar është e barabartë me një padrejtësi”, ka thënë ai.