Dragan Gjajiqi bëri fotografi me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit para ndeshjes që u shndërrua në festë shqiptare. Por presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë ende nuk po mund ta kalojë dhembjen për humbjen e Serbisë nga Shqipëria.
Më 11 tetor në Leskovc, Shqipëria fitoi 1:0 ndaj Serbisë. Golin e fitores madhështore e shënoi Rey Manaj. Shqipëria tani është në pozitë dukshëm më të mirë se Serbia për ta siguruar plejofin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Gjajiqi, që vlerësohet legjendë e futbollit në Serbi, ka pranuar se ndeshja me Shqipërinë nuk ishte si gjithë të tjerat. Ndonëse nuk e ka thënë, fjalën e kishte për raportet mes dy popujve.
“Dështim. Dështim i madh. Këtu nuk ka dyshime. Nuk e di çka na mungojë. E kam parë atë që e panë edhe njerëzit e zakonshëm. Për një milion arsye kemi mundur dhe është dashur të luajmë më mirë”, ka thënë Gjajiq në një intervistë për “Kurir”.
Ai ka treguar më pas se po e ka të pamundur ta pranojë humbjen nga Shqipëria. Humbjet nga shqiptarët dhembin për serbët si asnjë humbje tjetër.
“Mbetet dhembja. Të kuptohemi, futbolli është futboll, i përbërë nga fitoret dhe humbjet. Befasitë janë të mundshme. Por trishtimi dhe dhembja ende më pushtojnë. Dhe ka kaluar një javë nga ndeshje. Jo pse nuk mund të ndodhë që të humbësh, por pasi ndeshja ishte pak më tepër se një shfaqje e zakonshme futbolli. Dhe për këtë më vjen më së shumti keq. Populli e di çka mendoj unë dhe çka mendon ai”, ka shtuar Gjajiq, që vetëm sa nuk ka thënë se humbja është e papërballueshme pasi në anën tjetër të fushës ishin shqiptarët.
Pas humbjes nga Shqipëria, selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, dha dorëheqje. Selektori i ri nuk është zgjedhur ende.
Dy xhiro para fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, Shqipëria i ka 11 pikë në vendin e dytë, ndërsa Serbia dhjetë në të tretin. Anglia i ka 18 pikë në Grupin K dhe ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror. Vendi i dytë dërgon në plejof.
Më 13 nëntor janë ndeshjet Andorra – Shqipëria dhe Anglia – Serbia. Më 16 nëntor janë ndeshjet Shqipëria – Anglia dhe Serbia – Letonia. Me fitore të Shqipërisë ndaj Andorrës dhe të Anglisë ndaj Serbisë, rezultate që priten, ndeshja e 16 nëntorit në “Air Albania” do të ishte festive, ndërsa ajo në Leskovc mes Serbisë dhe Letonisë do të jetë “vajtuese”.
“Do të jetë vështirë të shkojmë në barazh, por në sport gjithnjë duhet të shpresohet, të pritet dhe të luftohet. Dihet në cilën situatë jemi, mendoj se nuk duhet të flitet shumë. Duhet të jemi realë. Kemi ardhur në këtë situatë pasi nuk ishte ashtu si kemi pritur. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. Realiteti është një gjë, ndërsa shpresat tona gjë tjetër. Stema dhe himni i Serbisë, njëjtë si fanella, janë obligim që të luajmë për fitore. Por këtë e kemi pritur edhe ndaj Shqipërisë”, ka theksuar Dragan Gjajiqi.
Ai ka folur edhe për lojtarët që nuk po duan të luajnë për Serbinë e për tema të tjera.
Është e qartë se humbja nga kuqezinjtë do të lërë pasoja të gjata në përfaqësuesen e Serbisë.