Futboll

Selektori i Serbisë: Ndoshta dikush po bën tifo për Shqipërinë

serbi

Selektori i Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq, ka folur të hënën në konferencë në prag të ndeshjes kundër Shqipërisë.

Serbia e pret Shqipërinë në Leskovc të shtunën. ndeshja Serbi – Shqipëri i takon grupit K kualifikues për Kampionatin Botëror që vitin e ardhshëm mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

“Do t’u përgjigjem të gjitha komenteve të dhënë nga analistë dhe ekspertë të ndryshëm. Ndoshta dikush po bën tifo për Shqipërinë këtë herë, nuk e besoj, por ndoshta ka të tillë. Gjë që do të ishte çmenduri. Por ne po përgatitemi maksimalisht për këto dy ndeshje”, ka thënë Stjokoviq.

Ai po ashtu ka zbuluar ëndrrën e tij.

“Ëndërroj të vazhdoj të paraqitem në gara të mëdha. Atje është përqendrimi im. Ta çoj Serbinë në Kupën e Botës, edhe pse e kam arritur tashmë në vitin 2022”, është shprehur ai.

Ai ka insistuar se me Serbinë synon më shumë se kualifikimin në Botëror.

“Duhet të mendojmë për objektivat, dhe ai aktual është kualifikimi. Nëse do të jem atje apo jo është pak e rëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është që Serbia të vazhdojë të marrë pjesë në garat e mëdha. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë po mendoj. Nuk ëndërroj për këtë, por jam i përqendruar në atë epilog në fund’, ka thënë Stojkoviq.

Ai ka thënë se kanë mësuar nga humbja e thellë 5:0 nga Anglia në Beograd.

“Një ditë e keqe, një ndeshje e keqe mund të ndodhë. Nuk ishim në nivelin e duhur, nuk ishim në gjendje të përballonim Anglinë. Ajo humbje erdhi plotësisht e merituar. Sigurisht, mësojmë nga çdo ndeshje. Por nëse shikoni rezultatet, Barcelona pësoi katër gola në Sevilla, Reali pesë nga Atletico. Një ditë e keqe ndodh. As Sevilla nuk është një ekip më i mirë se Barcelona, ​​​​por kështu është. Çdo ndeshje në kualifikueset është e rëndësishme, kështu i qasemi. Anglia është një arkiv, është pas nesh. Tani vetëm Shqipëria është e rëndësishme, dhe pastaj do të flasim për Andorrën. Po mendojmë vetëm ta zgjidhim ndeshjen me Shqipërinë në favorin tonë. Nuk ka kuptim të kthehemi në të kaluarën, duhet të shikosh drejt së ardhme”, ka theksuar ai.

Serbia e Shqipëria më 7 qershor u përballën kundër njëra-tjetrës. Ndeshja në Tiranë përfundoi baras 0:0.

Ai pranon se ndeshja kundër Shqipërisë është vendimtare për vendin e dytë në grup. Anglia është e para me 15 pikë, Shqipëria e dyta me tetë pikë nga pesë ndeshje. Shtatë pikë nga katër ndeshje i ka Serbia në vendin e tretë, kurse Letonia është në vendin e katërt me katër pikë. Pa pikë në pozitën e fundit është Andorra.

“Gjithçka varet nga ne. Ndeshja kundër Shqipërisë është vendimtare. Është një luftë për vendin e dytë dhe një ndeshje eliminatore në mars. Besoj se kemi forcën, se kemi cilësi të mjaftueshme për ta arritur këtë qëllim”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar lart Shqipërinë.

“Shqipëria ka një ekip të shkëlqyer, është rivali ynë i madh. Duke parë tabelën, është absolutisht përparësia mbi të gjitha përparësitë. Nuk mund të luash kundër Francës, Portugalisë, Gjermanisë çdo ditë... Duhet të luash edhe me këtë nivel. Pavarësisht nëse është tërheqës apo jo, për mua ndeshja dhe kundërshtari më i rëndësishëm në këtë moment”, thotë ai.

Stojkoviq ka thënë se Serbia nuk do të bëjë ndryshime në sistem të lojës. Thotë se nuk ka kohë për eksperiment.

Trajneri serb pret sjellje korrekte nga shikuesit në stadium.

“Do të bëja një apel, në emër të të gjithë familjes së futbollit, që ndeshja të zhvillohet në mënyrë të ndershme dhe me sjellje korrekte. Është me rëndësi shumë, shumë të madhe. Nuk do të doja të ndëshkohesha përsëri dhe të bëja gjëra budallallëqe. Ekipit kombëtar duhet t’i urojmë fat dhe ne duhet të përqendrohemi vetëm te futbolli dhe ato 90 minuta. Një apel për të gjithë që të mbështesin ekipin e tyre kombëtar, të mos ofendojnë askënd dhe të brohorasin në mënyrë të drejtë dhe korrekte, kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai. “Nuk është hera e parë që luajmë në Leskovc. Kemi luajtur edhe më parë. Ai stadium nuk është i panjohur për ne, i njohim të gjithë atje. Varet vetëm nga ne të luajmë mirë dhe ta fitojmë ndeshjen. Duhet të luajmë mirë, prandaj po përgatitemi, për t’i bërë tifozët dhe njerëzit tanë të lumtur. E di që do të përmenden edhe aspekte të tjera, por duhet të përqendrohemi vetëm te sporti dhe futbolli. Njësoj siç ishim në Tiranë, kur filluam kualifikimet, nëse e mbani mend”.

Stadiumi “Duboçica” në Leskovc ka kapacitet prej 8.136 ulëseve.