Futboll

Te Serbia të përgatitur për ndeshje të vështirë me Shqipërinë

Dragan Stojkoviq

Te përfaqësuesja e Serbisë në futboll presin ndeshje të vështirë ndaj Shqipërisë.

Serbia e Shqipëria përballen të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. Ndeshja i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndërsa vlerësohet vendimtare për vendin e dytë në Grupin K. 

Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka vlerësuar kuqezinjtë. Ai foli të premten paradite në konferencë për shtyp.

“Na pret ndeshje e vështirë. Rival sportiv, ekip shumë i mirë. Pritjet janë që të fitojmë. Kjo është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme, nëse jo më e rëndësishmja, për plasman. E dimë rëndësinë dhe ashtu po përgatitemi. E rëndësishme është që lojtarët janë të qetë dhe të fokusuar. Jemi të gatshëm që të japim maksimumin tonë dhe të gëzojmë gjithë vendin me fitore”, ka thënë Stojkoviq në hapje të konferencës.

Ai ka thënë se janë gati për spektakël të ri, ndërsa ka theksuar se duan të vazhdojnë traditën e fitoreve në Leskovc. Stojkoviqi ka theksuar se në Leskovc kanë përkrahje të shkëlqyer dhe se do të mundohen që me angazhim ta arsyetojnë atë.

Në ndeshjen e kaluar, më 9 shtator, Serbia u rrah 5:0 nga Anglia. Ajo ndeshje ishte luajtur në Beograd, ndërsa Stojkoviqi ishte fishkëllyer. Selektori serb është pyetur për këtë.

“E rëndësishme është që të fitojmë e më pas do të jem hero i vendit. Ato fishkëllima nuk janë korrekte, kanë konotacion politik. Isha i befasuar. Kemi pasur shtatë pikë, ishim në lojë, doli e pakuptimtë. Por në rregull. E rëndësishme është që nesër njerëzit që vijnë të përkrahin lojtarët drejt fitores. Shqipëria është rivale në shumë aspekte, por ne do të mbesim të qetë në terren dhe do të bëjmë atë që duhet”, ka theksuar Stojkoviq.

Ai e ka të qartë formacionin startues, ndërsa ka konfirmuar një pjesë të tij.

Stojkoviqi kishte folur në superlativ për atmosferën në Tiranë në ndeshjen e parë. Për deklaratat e tij ishte sulmuar nga media serbe. Sërish ka thënë se atmosfera në “Air Albania” ishte si në derbin më të zjarrtë argjentinas.

“Nuk është ndeshje e njëjtë, atje atmosfera ishte argjentinase, sikur të kenë luajtur Boca e River. Dhe ishte vërtet mirë të luhet, ndonëse dikush e ka interpretuar në kuptim negativ. Ishim të qetë, nuk ka pasur tension, kemi kontrolluar ndeshjen. Kjo ndeshje nuk është e njëjtë pasi ata janë mysafirë, nuk kanë përkrahje nga tribunat. Ne jemi nikoqirë dhe duam të konfirmojmë kualitetin duke luajtur ndeshje garuese. Duhet të jemi të durueshëm. Do të jetë ndeshje me shumë intensitet, është e pamundur që një ndeshje si kjo të jetë e mërzitshme”, ka theksuar selektorit serb.

Ai ka thënë se Serbia do të luajë lojë ofenzive nga fillimi. Ka shtuar se do të bëjnë çdo gjë për ta vënë në vështirësi Shqipërinë. Stojkoviqi nuk ndien presion, ndërsa është i bindur se të përzgjedhurit e tij do të kryejnë si duhet punën të shtunën. Ai po ashtu nuk pret që Sylvinho ta befasojë.

“Mendoj se nuk mundet. E kanë atë që kanë. A do të luajnë 4-5-1 apo 4-3-3, nuk është me rëndësi. Më e rëndësishme për mua është që do të luajnë me katër prapa. Ndeshja është e gjallë, asnjëherë nuk mund të parashikohet. Një penallti, një karton i kuq dhe e gjitha që ke përgatitur bie në ujë. Do të mundohemi të jemi të mirë në sulm dhe mbrojtje dhe do të ketë edhe momente të tilla. Nuk bën të na ndodhë si ndaj Anglisë ku nga pesë gola t’i pranojmë katër nga ndërprerjet. Kemi punuar për këtë. Nëse shqiptarët do të jenë më të mirë se ne, ne do t’i urojmë. Por nuk besoj në këtë”, ka theksuar Stojkoviq.

Në Tiranë ndeshja kishte përfunduar pa gola, ndërsa kuqezinjtë kishin humbur penallti. Shqipëria është në vendin e dytë në grup me tetë pikë nga pesë ndeshje. Serbia është e treta me shtatë pikë nga katër ndeshje. Vendi i parë thuajse është siguruar nga Anglia. Vendi i dytë dërgon në plejof.