Një zjarr ka nisur në një deponi të mbeturinave në fshatin Llojza të Ferizajt.
Zjarri, sipas informacioneve, ka ardhur pas djegies së një hamulloreje.
Policia ka njoftuar se zjarri fillimisht ka përfshirë një zonë fushore afër një restoranti duke rrezikuar përhapjen në lokacione të tjera. Sipas zëdhënësit të Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, nuk ka të lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe disa njësi të zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.
Zjarri ka shkaktuar dëme materiale, përfshirë djegien e një deponie të mbeturinave dhe disa goma, ndërsa është krijuar tym i madh. Aktualisht nuk ka të dyshuar.
Ndërkaq një rast i vënies së zjarrit është regjistruar në fshatin Koshare.
“Në vendin e ngjarjes është takuar një ankues 78 vjeç, në pronën e të cilit ishte përhapur zjarri në një zonë fushore, duke përfshirë edhe disa parcela përreth. Sipas ankuesit, i dyshuari për shkaktimin e zjarrit është një person me të meta mendore dhe i njohur si recidivist nga banorët lokalë. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ka shkaktuar dëmtimin e dy shtyllave elektrike. Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin Personi i dyshuar është shoqëruar në stacion nga Njësia e Hetimeve. Me vendim të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe procedurat e mëtejme janë duke u trajtuar nga Njësia e Hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.