Një depo e materialeve në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami”, është përfshirë nga zjarr mëngjesin e së enjtes.
Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, si dhe njësitë policore të stacionit dhe hetimeve.
Sipas Policisë, dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura dhe do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.
Policia ka siguruar perimetrin e zonës së incidentit me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit operues.
Policia për KOHËN ka thënë se ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera që kanë ardhur në asistim, janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth.
“Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen edhe njësi të shumta policore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po sigurojnë zonën e incidentit”, njoftoi PK-ja.