Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdiq punëtori 38-vjeçar pasi ra nga ndërtesa ku po punonte në Fushë-Kosovë

Shiriti i Policisë

Foto: Ilustrim

Një 38-vjeçar ka vdekur të martën në Bresje të Fushë-Kosovës, si pasojë e rënies nga një ndërtesë ku ishte duke punuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka njoftuar se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare, ku është dërguar për trajtim.

Rasti ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Tahir Zemaj”.

“Rreth orës 11:00 është marrë informata se në rrugën ‘Tahir Zemaj’ në Bresje të Fushë Kosovës, një person, mashkull, rreth 38 vjeç, ka rënë nga lartësia, brenda një objekti. Përkundër përpjekjeve të mjekëve në QKUK, i njëjti pak kohë më pas, ka ndërruar jetë”, ka thënë ai.

Siç ka bërë të ditur Borovci, në momentin e rënies, viktima ishte pjesë e një ekipi që po kryente punime në atë objekt.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e rrethanave.