Kronikë

Vdiq një grua nga orteku në Brezovicë

Një grua ka vdekur të martën në qendrën e skijimit në Brezovicë.

Policia ka njoftuar se viktima ka vdekur si pasojë e rrëshqitjes së një orteku të borës në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.

“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur ‘Foleja e Shqiponjës’. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai më tej ka thënë se bëhet fjalë për një 54-vjeçare, shtetase e huaj. 

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.

Për vdekjen e skitares ka njoftuar ka konfirmuar edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

“Sot më datën 13.02.2024 në orën 16:30 kemi pranuar një thirrje për ndihmë nga Ski Patrulla e qendrës skitare Brezovicë. Informatat e para kishin të bëjnë për humbje në mjegull të dy skiatorëve, por pas mbledhjes së informatave është identifikuar problematika dhe kemi filluar me kërkim në zonën e dyshimtë ‘Foleja e Shqiponjave’ zakonisht faqe malore që njihet si problematike për krijimin e ortekëve. Anëtarët tanë së bashku me patrullën e skijimit të qendrës skitare në Brezovicë e kanë lokalizuar viktimën e cila kishte marrë lëndime nga orteku. Me të arritur i është dhënë ndihma e parë, por nuk rezultuar pozitivisht. Pas evakuimit të trupit nga ekipet mjekësore është verifikuar vdekja e skitares, shtetase e huaj. Keni kujdes të shtuar gjatë skijimit jashtë shtigjeve zyrtare të skijimit, ashtu sikur kemi paralajmëruar shumë herë, kushtet e këqija atmosferike mund të jenë të rrezikshme për natyra të aksidenteve të tilla!” – ka njoftuar Shërbimi në Facebook.