Një person ka vdekur të premten si pasojë e rënies nga kati i pestë i një ndërtese në Pejë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë për KOHËN se nuk dihet ende mosha e të ndjerit dhe as rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Sipas tij, vdekja e viktimës është konstatuar gjatë ditës nga QKUK-ja ku edhe po trajtohej pas rënies në orët e para të së premtes.
“Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Pejë. Jemi informuar rreth orës 02:30 minuta dhe jemi përgjigjur menjëherë. Personi është dërguar në Emergjencë e më pas në Prishtinë. Hetuesia është duke e bërë punën e saj, detaje të tjera nuk dihen ende”, ka thënë Gashi.