Kronikë

Tri krime në qendra të qyteteve

Përgjatë një harku të shkurtër kohor Policia raportoi tre sulme të ndara: një grabitje e armatosur të mërkurën herët në mëngjes në filialin e një operatori telefonik në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, një rrahje brutale ndaj një qytetari të martën në Vushtrri dhe një sulm të lehtë ndaj një mjeku në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës

Tri incidente të dhunshme kanë ndodhur në Kosovë brenda një harku të shkurtër kohor. 

Në orët e para të së martës është kryer një grabitje e armatosur në qendër të Prishtinës, ndërsa në dy raste të ndara, një në Vushtrri dhe një tjetër në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë janë sulmuar fizikisht dy persona, përfshirë një mjek.

Sipas Policisë, rreth orës 03:15 të mëngjesit, disa persona të maskuar kanë kryer një grabitje në një filial të një operatori telefonik në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. 

“Të dyshuarit kanë sulmuar sigurimin fizik, janë futur brenda objektit dhe kanë marrë para të gatshme, telefona dhe mbushje telefonike. Më pas janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është cilësuar si “grabitje” dhe autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që kanë informacione.

E, në Vushtrri, një qytetar është sulmuar brutalisht nga dy persona të maskuar derisa po e dërgonte vajzën e tij në kopsht. 

Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor me mjet” dhe thanë se deri tash janë tre të dyshuar. 

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe është iniciuar rast për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor me mjet”. Rasti është në fazën e hetimeve preliminare në bashkëpunim me policinë. Është marrë dëshmi nga viktima, jemi në përcjellje të kamerave të sigurisë. Deri tash janë tre (3) persona të dyshuar që janë përmendur nga viktima, dhe të njëjtit janë duke u kërkuar për të u intervistuar për rastin”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. 

Në një incident tjetër të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Prishtinë, gjinekologu A.V.  është goditur në kokë me një mjet metalik derisa po hynte në veturë në lagjen “Ulpiana”. 

Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci, tha se motivi i sulmit mbetet i panjohur dhe se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”. 

Raporti vjetor i Policisë së Kosovës tregon se numri i përgjithshëm i rasteve kriminale është ulur në vitin 2024, me një rënie të lehtë prej rreth 3% krahasuar me vitin paraardhës.

Krimet e rënda, përfshirë vrasjet dhe vjedhjet e dhunshme, kanë shënuar ulje të ndjeshme, ndërsa numri i grabitjeve ka rënë gjithashtu përreth 14 për qind. Megjithatë, rastet e dhunës në familje kanë pësuar një rritje prej rreth 6 për qind. KOHA ka pyetur në polici edhe për të dhënat në 4 muajt e parë të këtij viti, por nuk ka marrë përgjigje.