Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Mirë se erdhët në Serbinë e Lirë", hapet Konferenca e Sigurisë të Beogradit

Konferenca e Sigurise - Beograd

Foto: KOHA

"Mirë se erdhët në Serbinë e Lirë", kështu e ka hapur fjalimin e tij, Sërgjan Cvijiq, president i Komitetit Këshillëdhënës Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP). 

Në hapjen e Konferencës së Sigurisë të Beogradit, Cvijiq tha se Serbia ka mposhtur në kutitë e votimit "një nga makineritë politike më të pamëshirshme, më të korruptuara dhe më represive në Evropë". 

Sipas tij, fitorja iu takon studentëve, profesorëve, aktivistëve, gazetarëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve, të cilët vendosën se frika dhe përçarja nuk do ta përcaktojnë më të ardhmen e Serbisë. 

"Rruga jonë evropiane duhet të rindërtohet mbi themele demokratike, por jo sepse këtë e kërkon Evropa, por sepse këtë e kërkojnë qytetarët tanë. Nga ana tjetër, Evropa duhet ta shpërblejë ndryshimin e vërtetë demokratik me guxim politik. Por një Serbi demokratike duhet gjithashtu ta rizbulojë rajonin e saj. Për shumë kohë, regjimi i mëparshëm ka qenë pengesë për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët e saj dhe për bashkëpunimin e mirëfilltë rajonal, duke eksportuar tensione dhe duke instrumentalizuar mosmarrëveshjet. Nuk mund të ketë bashkëpunim kuptimplotë rajonal pa Serbinë. Me Serbinë e re demokratike, ekziston mundësia për të ndërtuar diçka të thellë: marrëdhënie të bazuara në besim, ndershmëri, interesa të përbashkëta dhe përgjegjësi", ka thënë ai. 

Konferenca e Sigurisë së Beogradit (BSC) është hapur të hënën pasdite, derisa do të përmbyllet të mërkurën.  Tema e këtij edicioni është "Të jetosh me luftën" (Living with war).  Kjo konferencë mbledhë qindra personalitete nga rajoni, përfshirë diplomatë, liderë botërorë, diplomat, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, studiues dhe ekspertë të instituteve kërkimore, gazetarë, aktivistë e akademikë.