Policia e Kosovës ka nisur një aksion në mbrëmjen e të mërkurës, kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në rajonin e Prishtinës.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë duke e realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës. Pas përfundimit të operacionit policor do të njoftoheni me informacione shtesë”, ka thënë Krasniqi.
Më 13 tetor, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri dhe disa pjesë të tjera të Kosovës, përfshirë rajonin e Prishtinës.
Aksioni në veri pati nxitur reagimin e qytetarëve serbë atje, të cilët kishin vendosur barrikada për t’i bllokuar lëvizjet e Policisë. Gjatë aksionit ishte hedhur edhe gaz lotsjellës nga Policia për të shpërndarë protestuesit serbë. Po ashtu, gjatë aksionit ishin lënduar disa policë të cilët ishin gjuajtur me gurë.