Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës po zhvillojnë një aksion të gjerë, ku janë bastisur disa lokacione të ndryshme. 

Dyshohet për shmangie të tatimit, përdorim të kompanive fiktive dhe për shpëlarje parash.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, e ka konfirmuar për KOHËN operacionin, duke mos dhënë detaje. 

“Mund të konfirmojmë operacionin policor. Për më shumë detaje, do t’ju njoftojmë përmes një komunikate të përbashkët me Policinë e Kosovës”, ka thënë ajo. 

Shoqata e Naftëtarëve: Të arrestuarit nuk i përfaqësojnë të gjithë operatorët

1 muaj më parë / 1 kor 2026 14:46
Naftetaret

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë për institucionet e drejtësisë në hetimet që po zhvillohen ndaj disa importuesve të naftës.

Nëntë persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale, kundër krimit të organizuar nën dyshimin se kanë paraqitur dokumente të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.

Në reagim, Shoqata e Naftëtarëve ka thënë se megjithatë këto janë raste të izoluara dhe nuk e përfaqësojnë profesionalizimin e shumicës së operatorëve të këtij sektori.

“Në të njëjtën kohë, Shoqata vlerëson se rastet që aktualisht janë në hetim përbëjnë raste të izoluara dhe nuk përfaqësojnë punën, integritetin dhe profesionalizmin e shumicës së operatorëve të këtij sektori, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet në fuqi. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente dhe mbështet çdo proces që forcon sundimin e ligjit, nxit konkurrencën e ndershme dhe rrit besimin e qytetarëve në tregun e naftës”, thuhet në reagim.

Nëntë të arrestuar në aksionin e Prokurorisë për mashtrim me tatime dhe derivate

1 muaj më parë / 1 kor 2026 14:30
Aksioni i Prokurorisë Speciale

Të paktën nëntë persona janë arrestuar të mërkurën në aksionin e Prokurorisë Speciale, kundër krimit të organizuar.

Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria, thuhet se bashkë me Policinë e Kosovës dhe në asistim të Doganës e Administratës Tatimore, janë kryer kontrolle në 21 lokacione. 

Bëhet e ditur se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kanë paraqitur dokumente të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës. 

“Ky operacion është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore. Pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimin e arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës”, thuhet në njoftim.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 15 mijë euro, pesë vetura, pesë autobotë për transport të derivateve, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për rastin, 301 euro në kartëmonedha prej dy eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Hetimet thuhet se kanë çuar në arrestimin e F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale: shpëlarje e parave, kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin dhe shmangie nga tatimi.