Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Pezullohet nga puna zyrtari i SHKK-së, i dyshuar për kontrabandë

Një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, me inicialet K.R., është pezulluar nga puna të martën.

Pezullimi i tij ka ndodhur për shkak se dyshohet që gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ka keqpërdorur pozitën, duke lejuar kontrabandën brenda Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

“Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së, dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente, të cilat po merren e rastin”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.

Masa e pezullimit mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e këtyre dukurive negative dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj secilit individ, i cili është i përfshirë në veprime të tilla, pavarësisht rolit dhe funksionit që ka”, ka njoftuar tutje Gashi.