Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për B.T., M.I. dhe N.C., të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, më 1998/1999. B.T. dhe N.C. u arrestuan të hënën në Lipjan, ndërsa M.I. në Prishtinë. Policia pati njoftuar se deri tek arrestimi i tyre ka ardhur pas një aktiviteti të gjatë hetimor.
Të pandehurit dyshohen se gjatë kohës së luftës, në cilësinë e gardianëve të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë, kanë torturuar në mënyrë ç’njerëzore të burgosurit shqiptarë.
Sipas aktvendimit të gjykatës, dyshimi i bazuar lidhet me veprime sistematike të maltretimit, përmes përdorimit të shkopinjve të gomës, shufrave metalike, shqelmave dhe grushteve, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore viktimave.
E pandehura N.C. akuzohet për veprime të ngjashme kundër të burgosurave shqiptare, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe duke vepruar në bashkëkryerje me gardiane të tjera.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që të pandehurit mund të arratisen, të ndikojnë mbi dëshmitarët, apo të dëmtojnë provat materiale nëse ndodhen në liri, prandaj ka konsideruar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për zhvillimin e mbarë të procesit penal.
-
Aktakuza për krime lufte ndaj 6 ish-gardianëve për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë
-
Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës
-
Arrestohen tre të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit
-
Nga një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit për krime lufte në rastin "Reçaku II"
-
Një muaj paraburgim të dyshuarit për krime lufte në Skenderaj