Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për fajde në Prizren, njëri dyshohet se goditi policin e këmbësoren

Paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj tre të pandehurve, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë fajdenë, sulm ndaj personit zyrtar e rrezikim të trafikut publik. 

Sipas vendimit të gjykatës, F.S. dyshohet për veprën penale të fajdesë. Ndërkaq, B.S. dyshohet për fajde në bashkëkryerje me A.D., si dhe për sulm ndaj personit zyrtar dhe rrezikim të trafikut publik, ndërsa A.D dyshohet për fajde në bashkëkryerje me B.S.

Sipas dyshimeve të paraqitura në dosjen e Prokurorisë, B.S. dhe A.D. dyshohet se, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe personale të të dëmtuarit.

Të dyshuarit, sipas gjykatës, më 18 gusht 2026 janë kapur në flagrancë duke pranuar para nga i dëmtuari, të cilat dyshohet se janë marrë në emër të kamatës. Gjatë tentimit për t’iu shmangur policisë, A.D. dyshohet se ka marrë paratë me vete dhe ka zbritur nga vetura në fshatin Vlashnje. Të dyshuarit më pas janë arrestuar nga Policia.

Në rastin e F.S., gjykata thotë se dyshimet lidhen me një periudhë që nga viti 2020 e deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi. Edhe ai dyshohet se ka kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe personale të të dëmtuarit.

Sipas aktvendimit, B.S. më 18 gusht dyshohet se, gjatë një operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve, nuk është ndalur në urdhrat e zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar të vozisë me shpejtësi. Gjatë ikjes, sipas gjykatës, ai dyshohet se ka goditur me automjet një zyrtar policor, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, dhe më pas ka vazhduar në drejtim të fshatit Vlashnje.

Edhe Një muaj paraburgim të dyshuarve për serat e kanabisit në Gjilan Kronikë Një muaj paraburgim të dyshuarve për serat e kanabisit në Gjilan

Në dalje të fshatit, siç thuhet në vendim, për shkak të shpejtësisë së madhe, B.S. dyshohet se ka goditur edhe një këmbësore, e cila si pasojë ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Gjykata ka bërë të ditur se gjatë vendosjes për paraburgimin ka marrë parasysh provat materiale dhe shkresat e bashkëngjitura nga Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas gjykatës, provat e mbledhura deri në këtë fazë e arsyetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.