Policia ka parandaluar një konflikt mes disa grupeve të miturish në zonën e Kombinatit në Tiranë. Pas marrjes së informacionit për një përplasje të mundshme, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndërhynë në rrugën “Llambi Bonata”, duke shoqëruar në Polici 28 të mitur.
Gjatë kontrollit, disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe mjete të tjera të mprehta. Sipas mediave shqiptare, sherri mes tyre kishte nisur në TikTok, për ngacmimin e vajzave. Më pas konflikti verbal kishte kaluar me paralajmërime duke lënë orar takimi për t'u përballur në Kombinat. Policia ka arritur të marrë informacion konfidencial dhe ka parandaluar ngjarjen duke shkuar në kohë në vendtakimin e të miturve.
Pas shoqërimit në komisariat, për shkak të moshës prokuroria vendosi të ndiqeshin në procedurë të lirë. Por sërish në TikTok pasi u lanë të lirë, të miturit janë "përplasur" duke paralajmëruar për një takim tjetër për t'u përballuar.
"Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën Llambi Bonata, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6. Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale", njoftoi Policia e Shtetit.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.