Policia e Kosovë ka njoftuar se ka kryer kontroll në tri lokacione në Klinë dhe një në Prishtinë, ndërsa janë arrestuar tre persona e janë sekuestruar disa armë dhe municione.
“Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë e mbështetur edhe nga njësitë tjera policore, me datën 13.08.2025 ka realizuar urdhëresën e gjykatës kompetente, ku janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një lokacion në Prishtinë. Lidhur me rastin në polici janë shoqëruar tre (3) persona të dyshuar, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar një armë snajper, katër pistoleta, një automatik AK-47, një pushkë ajrore dhe një pushkë gjuetie. Po ashtu një thikë, një shpatë e arteve marciale dhe jelek antiplumb.
“Disa nga dëshmitë janë me leje dhe janë sekuestruar me qëllim të verifikimit dhe procedurave të mëtutjeshme. Në konsultim me prokurorin kompetent është inicuar rast për veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, ndërsa njëri nga të dyshuarit pas intervistimit është ndaluar për 48 orë dhe dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.