Kronikë

Arrestohet një person në Gjilan për mashtrim me subvencione

Njësia Rajonale e Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, ka arritur të sigurojnë informata dhe dëshmi në lidhje me dyshimet për aktivitet kriminal në Komunën e Kllokotit.

Dëshmitë e mbledhura gjatë fazës së hetimit kanë krijuar dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi me subvencione”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari N.P., i lindur më 1986, mashkull kosovar, gjatë tri viteve të fundit (2018-2020), ka plotësuar aplikacione me përmbajtje të rreme duke krijuar marrëveshje fiktive mbi dhënien e tokës bujqësore, të cilën kinse e ka marr me qira dhe në këtë mënyrë ka arritur të përfitojë subvencione në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 2,400 euro.

Më këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka kryer veprën penale: “Mashtrimi me Subvencione”.

I dyshuari është intervistuar, në prezencë të avokatit mbrojtës të enjten dhe me vendim nga Prokurori i Prokurorisë Themelore-Gjilan, është dërguar në mbajtje për 48 orë.