Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e ka proceduar në Zyrën e Kryeministrit. Ajo ka deklaruar se nuk ka rrugë tjetër, përveç jetësimit të këtij ligji.
Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme kaloi në prill, pasi versioni paraprak ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Në prezantimin e Projektligjit në Qeveri, Gërvalla pati thënë se kanë marrë për bazë vërejtjet e Kushtetueses.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.
Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit pati argumentuar se e shfuqizoi ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.
Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.