Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Mediumeve serbe u pengon festa e Muriqit me shokë dhe postimi i Kukës

dd

Foto: Nikollë Quni

Mediumet në Serbi, por edhe në vendet e regjionit, i kanë kushtuar rëndësi të madhe festës së Vedat Muriqit dhe lojtarëve tjerë të Kosovës në fitoren 1:0 ndaj Irlandës.

Pasi e shënoi golin e fitores në minutën e 83-të, kapiteni “dardan” ngriti larg një fanellë ku shkruante “DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT” dhe “JO NË EMRIN TIM”. Atij i janë bashkuar edhe lojtarët e tjerë. Veprimi i Muriqit me shokë solli edhe më shumë entuziazëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Por, ashtu si pritej, u ka penguar mediave serbe.

Të gjitha mediumet serbe kanë shkruar për festën në stadiumin e mbushur me shikues në Prishtinë.

Mediumi anti-shqiptar, “Kurir”, madje ka kërkuar largimin e Kosovës nga futbolli evropian. “Kurir” shpesh del me shkrime që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.

“Shteti i rrejshëm i Kosovës duhet të largohet nga futbolli evropian”, është titulli i shkrimit të mediumit “Kurir”.

Në frymë të njëjtë janë edhe shkrimet e shumicës së mediumeve serbe. “Alo” ka pyetur nëse do të reagojë UEFA.

Mediumit tjetër serb, “Telegraf”, i ka penguar edhe një postim i trajnerit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai ka publikuar fotografinë e Muriqit e Milot Rashicës, ndërsa ka vlerësuar fitoren e Kosovës.

“Ekip i shkëlqyeshëm. Pamja në fund të ndeshjes flet shumë. Gjenerata të lirisë. Gjenerata që nuk lejojnë robëri kurrë më”, ka shkruar Kuka.

Dhe postimi i trajnerit më të suksesshëm shqiptar është pritur rëndë nga mediumi serb.

Ndërkohë mediumet në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë kryesisht janë marrë me reagimet e mediumeve serbe lidhur me festën në Kosovë.

“Serbët të tërbuar nga mesazhi nga Kosova: ‘Përjashtojini nga futbolli evropian’”, është titulli i shkrimit të mediumit kroat, “Dnevnik”.

“Veprimi i Muriqit do ta ‘ndezë’ Serbinë”, shkroi mediumi boshnjak “sportsport.ba”.

Ka bërë bujë edhe deklarata e Muriqit pas ndeshjes. Ai ua ka kushtuar fitoren çlirimtarëve dhe udhëheqësve të UÇK-së.