Vedat Muriqi ka qenë realizator i golit të fitores së madhe të Kosovës ndaj Irlandës, për fillimin e suksesshëm të “Dardanëve” në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kosova e mposhti Irlandën 1:0 të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen që e dominoi nga fillimi.
Muriqi, që dy herë ishte i pafat kur topi u largua nga vija e portës, shënoi për 1:0 nga afërsia shtatë minuta para fundit.
Ermal Krasniqi që u inkuadrua në lojë në minutën e 73-të, gjuajti fillimisht me të majtën nga zona. Topi u devijua dhe përfundoi në transversale. Por, nga topi i kthyer përfitoi kapiteni i Kosovës, Muriqi, që nuk gaboi nga afërsia për fitoren e madhe.
Te Kosova të enjten mbrëma debutoi talenti Erblin Osmani, që edicionin e kaluar debutoi me Bayern Munichun në Bundesligën gjermane.
“Dua të festoj me tifozët, me ekipin. Do të hyjmë edhe kundër Austrisë për tri pikë. Na pret atmosferë shumë e mirë edhe atje”, ka thënë pas ndeshjes mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari.
Se Kosova dominoi në përballjen ndaj irlandezëve para tifozëve të zhurmshëm në shtëpi, e tregojnë edhe statistikat.
Kosova kishte 21 tentime për gol, krahas tri të Irlandës.
Muriqi shfaqi sinjalet e para se Kosova është në natën e vet që nga minuta e tetë.
Në minutën e 22-të, sulmuesi shtatlartë gjuajti mbi portë, ndonëse anësori e kishte ngritur flamurin për pozitë jashtë loje.
Edhe mysafirët u shfaqën rrezikshëm në minutën e 23-të. Një rrëshqitje e Dion Gallapenit në krahun e majtë të mbrojtjes, bëri që Irlanda të dalë në pozitë për të shënuar. Chiedozie Ogbene gjuajti mbi portë më pas.
Muriqit iu mohua goli i sigurt në minutën e 28-të. Ishte mesfushori Jayson Molymby që e largoi topin nga vija e portës pas tentimit të sulmuesit të Fenerbahçes.
Gol të sigurt shpëtoi edhe kapiteni Dara O’Shea, që e ndali tentimin e Veldin Hoxhës. Edhe në këtë rast, topi shkonte drejt rrjetës.
Pak para fundit të pjesës së parë, Muriqi ishte i pafat sërish. Ishte portieri Caoimhin Kelleher që bëri mrekulli, duke e pritur tentimin e jashtëzakonshëm me kokë të Muriqit.
Irlanda u shfaq rrezikshëm me sulmuesin e Real Betisit, Troy Parrott, pesë minuta pas pushimit.
Gjuajtjen e tij me kokë e priti portieri Arijanet Muriq.
Para se të shënonte për golin e fitores, Kosova e kishte edhe një mundësi me Edon Zhegrovën që pati paraqitje të mirë. Zhegrova ndonëse në pozitë të mirë, gjuajti lartë mbi portë.
Dhe pas shumë tentimeve, Kosova në fund e gjeti golin e fitores me Muriqin. Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim. Ai shkoi te shikuesit dhe e mbajti fanellën me shkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”.
Austria dhe Kosova tani e kryesojnë Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve, ku Kosova debuton, pasi në katër edicionet e kaluara ishte pjesë e Ligës D dhe C. Irlanda dhe Izraeli mbesin pa pikë.
Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të dielën nga ora 18:00 në Vjenë ndaj Austrisë. Përkrahja në Vjenë pritet të jetë e madhe për Kosovën.
88’ - Debuton Erblin Osmani, talenti i Bayernit. Supertalenti ka zëvendësuar Veldin Hoxhën. Është inkuadruar edhe Fisnik Asllani në vend të Vedat Muriqit.

83’ – GOL GOL GOL. Kosova ka shënuar më në fund. Pas gjuajtjes së Ermal Krasniqit, topi e qëlloi fillimisht travsversalen pas një devijimi. Më pas Muriqi realizoi nga afërsia me kokë.
Muriqi golin ua ka dedikuar ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim.
Ai pas golit para shikuesve mbajti fanellën me shkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”.
74’ – Franco Foda bën dy zëvendësimet e para. Milot Rashica dhe Ermal Krasniqi zëvendësojnë Edon Zhegrovën dhe Baton Zabërgjën.
56’ - Veldin Hoxha për pak sa nuk shënoi supergol me plasim të përkryer. Edon Zhegrova e nisi aksionin, ndërsa Vedat Muriqi e la topin për Hoxhën që gjuajti. I mungoi për pak saktësia.
50’ - Irlanda e rrezikon për herën e parë portierin Arijanet Muriq të Kosovës. Troy Parrott me kokë gjuajti nga afërsia. Por, portieri Muriq nuk lejoi të mposhtej.
Përfundon pjesa e parë
45’ - Mbyllet 0:0 pjesa e parë. Kosova u shfaq shumë e rrezikshme në sulm, dhe shumë e sigurt në mbrojtje.
39’ - Muriqi sërish i pafat. Portieri i Irlandës, Caoimhin Kelleher, bëri mrekulli duke e pritur tentimin e jashtëzakonshëm të Muriqit me kokë.
34’ - Irlanda shpëton, largohet topi nga vija e portës për herën e dytë. Kapiteni Dara O’Shea e ndali tentimin e Veldin Hoxhës.
28’ - Muriqit iu mohua goli i sigurt. Mesfushori Jayson Molymby e largoi topin nga vija e portës pas gjuajtjes së sulmuesit shtatlartë.

23’ - Chiedozie Ogbene nuk gjuan saktë nga zona në aksionin tjetër. Rrëshqitjen e Dion Gallapenit nuk e shfrytëzuan mirë irlandezët. Ogbene gjuajti lartë mbi portë.
22’ - Vedat Muriqi shfaqet i rrezikshëm para portës irlandeze. Sulmuesi i Fenerbahçes rrezikon me gjuajtje nga zona, por topi shkoi mbi portë.
10’ - Kalojnë minutat e para të ndeshjes. Kosova ka iniciativën por pa shfaqur rrezik serioz.
Foda i lumtur me fitoren, pret mbështetjen e shqiptarëve në Vjenë
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve ndaj Irlandës. Ai ka thënë se fubollistët në fushë kanë kryer detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Sot më pëlqeu reparti defensiv. Nuk krijuan asnjë mundësi irlandezët. Më pëlqeu qetësia sidomos pas pjesës së parë u thash të qëndrojnë të qetë dhe goli do të vij. Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me krahët. Edhe me Zhegrovën që luajti 70 minuta, pasi kishte kohë pa luajtur. Edhe me Batonin po ashtu jam i kënaqur. Leoni dhe Veldini bënë punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndamë. Leoni kishte rol defensiv, kurse Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani jonë”, ka thënë Foda.
Ai ka folur edhe për ndeshjen e radhës të Kosovës.
“Dardanët” të dielën përballen me Austrinë në Vjenë. Foda pret ndeshje të vështirë ndaj austriakëve.
“Kundër Austrisë do të jetë ndeshje tjetër, sot kishim unë më të lehtë, kurse Austria lojë më të shpejtë, kurse këtu kishim detyrë për të ndalur topat e gjatë”, është shprehur Foda.
Tekniku gjerman ishte selektor i Austrisë. Nën drejtimin e Fodas, Austria ishte paraqitur në Evropiani e vitit 2020.
“Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim, do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë. Besoj se do ta kemi edhe në Vjenë mbështetjen e shqiptarëve që janë në numër të madh”, ka thënë Foda.
Muriqi: Fitore për çlirimtarët dhe UÇK-në
Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se ua dedikon fitoren çlirimtarëve dhe ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim.
“Duke marrë parasysh që kemi nisur një cikël të ri të Ligës së Kombeve, është me rëndësi kjo fitore. I kemi ditur pikët e dobëta të Irlandës. Kemi pasur kontrollin e lojës, kemi pasur raste shumë, sidomos në pjesën e parë. Por me rëndësi është fitorja. E përgëzoj ekipin, stafin e kombëtares dhe tifozëve, të cilëve u lumtë goja për përkrahjen e madhe. Këtë fitore ua dedikojmë çlirimtarëve dhe krerëve të UÇK-së”, ka thënë Muriqi.
Ai ka theksuar se forca e Kosovës “është grupi”.
“U kam thënë bashkëlojtarëve se kur luajmë për njëri-tjetrin, suksesi vjen vet. Sot ishte e rëndësishme fitorja, nuk kishte rëndësi se kush shënon. Por mua gjithmonë më jep më shumë kënaqësi goli për kombëtaren më shumë sesa për klubin. Fitoren e kemi merituar si ekip, jo si Vedat, por si ekip”, ka thënë Muriqi.
Muriqi e udhëhoqi si kapiten ekipin e Kosovës pas tërheqjes së Amir Rrahmanit.
Muriqi ka falënderuar Rrahmanin për kontributin e dhënë te Kosova.
“Edhe kur ka munguar Amiri, kam qenë unë kapiten. Me Amirin kam qenë nga U15 me Kosovën. E njoh mirë. Ka marrë vendim dhe duhet ta respektojmë. Amiri është lojtari më i suksesshëm në histori të Kosovës. Ka fituar tituj, dhe unë personalisht por edhe të tjerët e falënderojmë për kontributin e dhënë”, ka theksuar Muriqi.
Ai ka folur edhe për ndeshjen e dytë kundër Austrisë në Vjenë. Muriqi pret përkrahje nga shikuesit edhe në Vjenë të dielën.
“Besoj se do të kemi një avantazh ndaj Austrisë. Do të jetë gjysma e stadiumit me shqiptar. Austria është favorite e grupit. Por nëse luftojmë për njëri-tjetrin nuk ka fuqi që na mposht”, ka thënë Muriqi.
Përzgjedhësi i Irlandës: Kosova e meritoi fitoren
Kosova e meritoi fitoren, ka vlerësuar përzgjedhësi i Irlandës Heimir Hallgrimsson, pasi “Dardanët” morën tri pikë përballë ekipit të tij të enjten në Ligën B të Ligës së Kombeve në “Fadill Vokrri” në Prishtinë.
“Fitore e merituar e Kosovës. Treguan më shumë. Patën raste më shumë”, ka thënë Hallgrimsson pas takimit.
Ai ka thënë se nuk është befasuar nga paraqitja e “Dardanëve”.
Rashica: E kemi treguar që dimë të bëjmë ndeshje të mira, në Austri shkojmë për fitore
Milot Rashica ka thënë se Kosova me fitoren ndaj Irlandës në hapje të Ligës B të Ligës së Kombeve ka treguar se “Dardanët” dinë të luftojnë për njëri-tjetrin.
Kosova fitoi të enjten në “Fadil Vokrri” 1:0 me një gol të Vedat Muriqit.
Rashica pas ndeshjes është shprehur se Kosovën të dielën e pret përballje më e vështirë me Austrinë, por ka shtuar se Kosova ka dëshmuar se mund të luajë me kundërshtarë të fortë.
“Ndeshje e parë e kemi ditur se është e vështirë sepse fizikisht janë të fortë dhe të mirë në lojën në ajër. Kryesorja ishte të nisim me fitore. Kishim raste në pjesën e parë por fati nuk ishte me ne. Në pjesën e dytë krijuam dhe shënuam. Irlanda është ekip që mbrohet mirë, me gjithë ekipin. Mbrojtësit në pjesën e parë e nxorën topin nga vija. Ishin gjithë ekipi prapa. Ata janë të gjatë dhe të gjithë mbroheshin në 16-metërsh. Por në fund ia arritëm të fitojmë, dhe e nisëm me fitore kampanjën para tifozëve tonë. Unë nuk kam luajtur shumë me klubin në ndeshjet e fundit por kam qenë gjithmonë i gatshëm. Kemi folur me trajnerin para se të vij dhe i kam thënë se do të jem i gatshëm për ta dhënë maksimumin. U pa nga të gjithë, luftuam për njëri-tjetrin. Nëse vazhdojmë kështu jemi në rrugë të mirë. Ndeshja ndaj Austrisë do të jetë më e vështirë për shkak të kualitetit. Edhe vitin e kaluar e treguam që kemi shfaqur ndeshje të mira. Do të shkojmë për fitore”, ka thënë Rashica.
Zhegrova beson që Kosova mund ta fitojë grupin
Superylli i Kosovës, Edon Zhegrova, ka besim që përfaqësuesja mund ta fitojë grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Pas fitores ndaj Irlandës, Zhegrova ka thënë se Kosova tani është e fokusuar te ndeshja me Austrinë.
“Ndeshje shumë e vështirë sepse e dimë që Irlanda ka lojtarë shumë kualitativë. I kemi studiuar mirë dhe në fund arritëm qëllimin. Shumë pozitive që nisëm kampanjën me fitore. Fokusin e kemi në ndeshjen ndaj Austrisë. Kam biseduar me trajnerin para ndeshjes. Kam qenë i gatshëm që të luaj nga fillimi dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Do ta studiojmë Austrinë prej nesër dhe shkojmë për fitore. Me lojtarët që kemi mund të arrijmë (ta fitojmë grupin)”, ka thënë Zhegrova pas takimit.
Kosova mposhti Irlandën ndërsa Austria Izraelin në këtë grup në ndeshjet hapëse.
Vojvoda: Prej nesër mendojmë për Austrinë
Mërgim Vojvoda ka thënë se prej nesër përfaqësuesja e Kosovës do të mendojë vetëm për ndeshjen me Austrinë të dielën.
Kosova të enjten mposhti 1:0 Irlandën në ndeshjen hapëse të Ligës B në Ligën e Kombeve. Të dielën i shkon Austrisë që e mposhti sot Izraelin.
Pas takimit, Vojvoda e ka cilësuar Austrinë favorite. Megjithatë ka thënë se Kosova do ta studiojë dhe do ta ketë taktikën e vet.
“Çdo lojë ka rëndësi për plejofin e Euro 2028. Synojmë të vazhdojmë kështu. Austria është favorite në grup. Por çdo ekip ka taktikën e vet kundër kundërshtarit të caktuar. Shpresoj se edhe atje do të kemi sukses. Do të shohim lojë pas loje. Prej nesër mendojmë për Austrinë”, ka thënë ai pas takimit.
Për ndeshjen e vështirë fizikisht me Irlandën, Vojvoda ka thënë se “Dardanët” treguan se “edhe ne dimë të luajmë pak më fëlliqtë”.
Austria fiton ndaj Izraelit me gol të minutave të fundit
Austria e ka fituar ndeshjen e parë të Ligës B3 ndaj Izraelit dhe bashkë me Kosovën e kryesojnë grupin me nga tri pikë.
Austria të enjten mbrëma në Linz fitoi 3:1.
Romano Schmid nga penalltia në minutën e 43-të shënoi për 1:0.
Sayed Abu Farkhi i barazoi shifrat në minutën e 55-të. Ai nuk festoi në mënyrën e duhur dhe u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.
Austria fitoi me dy gola në fund të ndeshjes.
Philipp Mëene realizoi në minutën e 90-të, ndërsa Sasha Kalajxhiq realizoi në minutën e 91-të për rezultatin përfundimtar 3:1.
Hajdari: Edhe në Austri shkojmë për tri pikë
Mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, ka thënë se “Dardanët” do të hyjnë për fitore edhe në ndeshjen ndaj Austrisë të dielën.
Kosova të enjten mposhti Irlandën 1:0 në “Fadil Vokrri”.
Pas ndeshjes Hajdari u shpreh se pret atmosferë të mirë edhe në Austri.
“Dua të festoj me tifozët, me ekipin. Do të hyjmë edhe kundër Austrisë për tri pikë. Na pret atmosferë shumë e mirë edhe atje”, ka thënë ai pas takimit.
Austria po fiton ndaj Izraelit
Me golin e Romano Schmidit nga penalltia në minutën e 43-të, Austria është duke fituar pas pjesës së parë ndaj Izraelit.
Ndeshja po luhet në stadiumin “Raiffeisen Arena” në Linz.
Austria e Izraeli janë në Grupin B3, ku janë edhe Kosova dhe Irlanda.
Amir Rrahmani në mbështetje të Kosovës: Forca Kosova
Amir Rrahmani e ka publikuar një fotografi në Instagram në mbështetje të Kosovës.
Rrahmani para grumbullimit njoftoi tërheqjen.

Çfarë thotë përzgjedhësi Hallgrimsson, pak para nisjes së duelit me Kosovën?
Përzgjedhësi Heimir Hallgrimsson i Irlandës ka folur për ndeshjen me Kosovën, pak para se të nisë ajo.
Federata e Futbollit e Irlandës e ka publikuar një deklaratë të shkurtër të tij, nga stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Mot i mirë. Do të jetë atmosferë elektrizuese, mund t’ua premtoj këtë. Po shohim para drejt ndeshjes. Në këtë kampanjë është mirë të fillosh me rezultat pozitiv. Shpresoj që lojtarët të jenë në formë të mirë, e ndiej se ata janë shumë seriozë dhe të fokusuar. Kështu që shpresoj ta shoh këtë në fushë. Kemi lojtarë që janë në formë shumë të mirë në klubet e tyre, janë paraqitur mirë. Është gjithmonë mirë kur i sheh lojtarët që e nisin mirë sezonin. Gjëja e mirë është që i kemi bërë dy kampe në këtë verë. Sa u përket tifozëve, kanë qenë përkrahës. Ndihemi shumë të përkrahur. Kemi marrë shumë ngrohtësi nga tifozët dhe kjo është gjë shumë e mirë në këtë situatë. Shpresoj që lojtarët ta shohin dhe ta ndiejnë këtë në fushë sonte”, deklaroi Hallgrimsson.
Sa tifozë të Irlandës janë në stadiumin “Fadil Vokrri”?
Mediumi “BBC” ka raportuar të enjten se në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ndeshjen ndaj Kosovës, të pranishëm do të jenë afro 900 tifozë të Irlandës.
Paraqitjet jo të mira të Irlandës në Ligën e Kombeve, shpresë për Kosovën
Liga e Kombeve nuk është garë ku Irlanda ka shfaqur më të mirën.
Në katër edicionet e kaluara, Irlanda ka arritur vetëm katër fitore në 22 ndeshje dhe ishte pa fitore në dy kampanjat e para, shkruan “BBC” të enjten.
Irlanda nuk ka arritur në Ligën A, ndërsa ka garuar vetëm në Ligën B në katër edicionet e para.
Kjo mund të jetë shpresë për Kosovën, që në Ligën e Kombeve ka regjistruar disa rezultate e suksese të mëdha.
Kosova e nisi edicionin e Ligës së Kombeve nga Liga D, e fundit.
Më pas luajti në Ligën C. Tani debuton në Ligën B.
Publikohet formacioni i Kosovës për ndeshjen ndaj Irlandës
Është publikuar formacioni i përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen kundër Irlandës.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur të paraqitet me kapitenin Vedat Muriqi në sulm.
Starton edhe Edon Zhegrova.
Ndeshja e Grupit B3 të Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Irlandë luhet sonte në “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45.
Kosova paraqitet për herë të parë në Ligën B.
