Kronikë

Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Informacionet e para hetuesit e IPK-së i kishin pranuar përmes rrugëve operative – hetimore se në një prej zyrave në stacionin policor në Kaçanik përkatësisht në një nga kompjuterët dyshohet se ndodhen disa shkresa që dyshohet se janë me përmbajtje të rreme. Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë themelore në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të sendeve në cilësi të provave materiale si dhe intervistimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftim të IPK-së.

Zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.