Përse të mos na i kryejë Inteligjenca Artificiale punët tona intelektuale? Ndoshta se nuk mundet. Të paktën jo njëherë për njëherë
Mendimi më erdhi si një shigjetë e shtënë befas që qëllon cakun dhe të ndez dritën. Epifani. Po rrija në barin skaj plazhit, në hije, duke shijuar një koktej dhe pamjen e detit përballë, ndërsa një remb kokëfortë i dembelit nuk po hiqte dorë brenda meje. Nuk do të shkruaj kolumne këtë javë. Do t’i kërkoj AI-së ta shkruajë për mua. Hyhyhy. Do ta dërgoj në redaksi dhe do t’i marr paret e buta e të ëmbla e të rri kështu dembel edhe nja një javë a dy skaj plazhit. Edhe kamerierin do ta bëj çirak me bakshishe.
I fërkova duart dhe hapa laptopin. Kllaudin. I thashë t’i gjente të gjitha kolumnet e mia dhe, në bazë të kësaj, të më shkruante një kolumne se unë po përtoj valla.
Më pyeti për çfarë do të doja të shkruante. I thashë se nuk ka rëndësi, çfarëdo që gjente me interes për përditshmërinë në Kosovë.
Nja dy minuta më pas doli kolumna. Lexoje këtu.
E lexova kolumnen. Makina ofroi të dhëna të sakta që mund t'i verifikoja edhe unë, bëri disa gabime drejtshkrimi, kishte disa lëshime logjike (uf, uf, një shqiptar në Gjermani nuk e ditka gjendjen me institucionet e Kosovës) dhe e shpiku Xhavitin. Kishte vërtet njëfarë afërsie me stilin tim. Mirëpo, mënyra se si unë shkruaj është rezultat i kujtesës semantike të leximeve që nga fëmijëria dhe të përvojave e të përjetimeve të shndërruara në shprehi, botëndijime dhe ngarkesa emocionale. Makina ka programimin sipas asaj si është ushqyer me të dhëna e gjedhe. Sipas atij programimi dhe kërkesave të mia specifike e kishte shkruar kolumnen me shënime që mund të jenë të sakta, por e kishte dhënë shembullin joekzistues të Xhavitit, sepse nuk e ka. Nuk e ka Xhavitin as dajë, as kushëri, as kojshi. Nuk e ka as si përjetim, as si përvojë, as si emocion.
Edhe Pyetja e XhavititKolumna e AI-së nuk e kishte prandaj as qëndrimin tim për këtë çështje. Natyrisht, unë do të kisha mundur t’i thosha ndërroje qëndrimin kështu e ashtu. Përmirësoje shkrimin më andej a më këndej. Ndoshta edhe do t’ia qëllonte dikur, por mua edhe ashtu më doli më shumë punë se të shkruaja vetë nga fillimi. Hoqa dorë nga epifania, he dreqi i marrtë idetë që të vijnë në plazh. U ula të shkruaja pa koktej dhe pa pamjen e detit në plazh. Pih.
Për herë të parë jam përballur me AI-në në provimet në universitet pak pas daljes së Chat GPT-së. Një studente e nivelit master erdhi me një punim seminari që ia kishte shkruar Inteligjenca Artificiale. Ma dorëzoi punimin me një aso shikimi: E kam kallur lojën këtë herë! Në shikim të parë dukej se kishte strukturë të duhur, nuk kishte gabime drejtshkrimi, por sa nisa të lexoja në faqen e dytë, m’u shfaqën ca fjali dhe citime që jo vetëm se ishin pasaktësi, por ishin shpërputhje të tilla që studentët edhe po të duan, nuk dinë t’i bëjnë. Kalova menjëherë te bibliografia dhe, hopaaa, 6 nga 8 librat që qenë cituar, nuk ekzistonin fare dhe disa nga autorët nuk ekzistonin. Njëri qe posaçërisht interesant: Rexhep Selimi. 2005. „Gramatikë e gjuhës së sotme shqipe”, Rilindja, Prishtinë.
Para se të dilte Chat GPT-ja më pati intriguar një ligjëratë në YouTube që shtronte pyetjen: A mund të shkruajë makina poezi? Autori kishte bërë disa teste të Turingut për të provuar rezultatin. Testi i Turingut (sipas Alan Turingut) thotë se nëse je duke komunikuar me një makinë dhe nuk e dallon se është makinë, atëherë ajo duhet quajtur se mendon. Pra, nëse kompjuteri mund të shkruajë poezi e njeriu të mos e dallojë në është e shkruar nga makina, atëherë, sipas autorëve, po, makina di të shkruajë poezi.
Në një ese për filmin “Her”, vetëm gjashtë vjet më parë, e pata sfiduar këtë. Sa është valid testi i Turingut te poezitë? Sa njerëz dinë të dallojnë një poezi të mirë, një kolumne a një pikturë origjinale? Mirëpo, diskutimi kryesor shtrohet gjetiu. Dallimi mes njeriut dhe makinës është se makina nuk ka kognicion. Kjo është thënia më e shpeshtë që e dëgjoj sa herë flitet për Inteligjencën Artificiale. Mos more! E çka qenka kognicioni, pra? A e dimë? A kemi arritur si njerëzim ta zbërthejmë saktësisht se çfarë është? Jo, tybe.
Gjashtë vjet më parë, pyetja dukej si një enigmë filozofike. Tani e dimë se makina shkruan kolumne, seminare, poezi, por çështja themelore ende nuk është zgjidhur. Pyetja më nuk është a mundet makina? Mundet. Pyetja është çka bëjmë ne që makina vetëm sa e imiton zbehtë? Nëse nuk dimë të përgjigjemi, atëherë del pyetja tjetër: çka na e mbante gjithë këto vite bindjen se dallojmë?
Makina bën gabime e budallallëqe dhe hyn në haluca, duke shpifur herë pas here. Njësoj si njerëzit. Si njerëz shumë më shumë nuk dimë se sa dimë. Bëjmë gabime, budallallëqe dhe shpifim. Mirëpo, si makinë, AI na ndihmon të bëjmë hesap më shpejt, mund të na ndihmojë të redaktojë teknikisht diçka. Për shumë profesione teknike, më kanë thënë se ka aftësi të ndihmojë shumë. Po përparon. Gjithnjë e më e mirë po bëhet për disa gjëra: përfshirë përkthimin, po e zëmë. Është pajisje ndihmëse, po e zëmë, si baba, kur jemi të vegjël dhe e pyesim për botën: përse është deti i kaltër, sa bëjnë një plus një, a është më mirë të jesh mjek a inxhinier? E baba nganjëherë ia qëllon, nganjëherë gabon e nganjëherë hyn në haluca komplet.
Studentja po rrinte përballë meje e zënë në faj. Kisha përgatitur të thosha diçka për ndershmërinë akademike, për punën, për emrin që ndërtohet fjali pas fjalie dhe libër pas libri të lexuar. Asgjë nuk më dukej e përshtatshme në atë çast.
Nuk dita çka të thosha, siç nuk di çfarë të them për makinën. Gjashtë vjet pas esesë për Inteligjencën Artificiale, as përvojat e fundit me Chat GPT nuk na kanë dhënë një përgjigje të plotë.
Edhe Mahnitja e vogëlsisëVetëm po mësohemi të jetojmë me të. Pa e ditur se çfarë është. Fundi i fundit, kështu kemi jetuar gjithmonë edhe me veten.
Me fjalë të tjera: Kllaud shkruama një “me fjalë të tjera”, si shpejt