Qytetarët jemi bërë sportel ankesash të llojit të pallavrave që na përsëriten për çdo ditë herë nga ky e herë nga ai tabor. Pak punë e dije nuk kish bërë zarar. Se aq shumë na keni dërrmuar, sa mbase dita e protestave për Zvërnecat tanë nuk do të jetë fort e largët
Sa parja na shkoi kot për këto zgjedhje!
Lajmi i mirë është që fushata përfundoi, apo përfundon nesër në orën 7:00, duke na e lënë shijen e hidhur se vazhdojmë të humbim kohë të çmueshme për të përparuar bile pak. E zgjedhjet përfundimisht këtë nuk e bëjnë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoÇfarë mësuam nga kjo fushatë?
Absolutisht asgjë të re. Dëgjuam fjalë e fjalë, përsëritje në këtë apo atë trajtë, dëgjuam premtime të pafund se si do t’i shpenzojmë paratë e gatshme për t’ia rritur rrogat sektorit publik për 30, 50 a sa t’u teket për qind; se do të vazhdohet me këtë skemë sociale, apo atë tjetrën dhe sërish, asnjëri nuk e dha asnjë propozim konkret se si t’i vendosë në funksion sistemet pensionale, sociale, madje edhe shëndetësore, pavarësisht se javën e shkuar u mor njëfarë vendimi në lidhje me sigurimet shëndetësore. Po ato sigurime që në letër i kemi që nga 2017-a, a kushedi cila kohë. Shumë dëshpëruese.
* * *
Tash që më nuk do të ketë fushatë kaq intensive, e besoj se fituesit absolutë për nga kreativiteti dhe argumentet do të dalin kandidatët e PSD-së që e zhvilluan të gjithë fushatën në rrjete sociale duke e goditur fort opozitën e deridjeshme, e me gjasë edhe të nesërme.
PSD-ja doli me shumë pak kandidatë me synimin e qartë që ta kalojë pragun, synim të cilin sinqerisht nuk e besoj se do ta arrijë, për shkak se i mungon shtrirja dhe hendikepi i të qenit fraksion i VV-së, me të cilën parti edhe u futën në politikë. Por, argumentet të cilat i kanë paraqitur në spotet e punuara, janë zor të mohueshme. Sepse opozita, e cila bart përgjegjësinë kryesore se përse u futëm në zgjedhje pas vetëm katër-pesë muajsh, nuk ka as fuqi, as ide, e besa as kredibilitet.
Dy partitë e mëdha opozitare nuk po mund të dalin jashtë lëvozhgës në të cilën jetojnë – njëra e pranon dobësinë e vet me mungesën e liderëve që tash përballen me gjyqin në Hagë, kurse tjetra përpiqet që ta mbajë kokën mbi ujë duke iu kthyer figurës së Rugovës, që ka qenë lider në kohë dhe rrethana krejtësisht të tjera dhe i cili është mbështetur fort në mendimin politik të Fehmi Aganit.
E Kosova ka nevojë për opozitë. Por të njëmendtë që nuk mbështetet mbi interesat personale të figurave të caktuara politike, por që ka vizion për detyrimin e pushtetit që të heqë dorë nga idetë e veprimet që nuk i sjellin asnjë të mirë shoqërisë në përgjithësi. Pa rrena, pa premtime të thata, pa mashtrime.
* * *
Prej mënyrës se si po sillen liderët e partive dhe si po komunikojnë me publikun në intervistat më të shpeshtuara nëpër mediumet elektronike thuajse tashmë po shihen edhe rezultatet zgjedhore – që duket nuk do të ndryshojnë shumë nga hera e shkuar.
Kjo do të thotë se edhe po të humbte VV-ja ulëse në Kuvend, nuk mund të humbë aq saqë opozita, po të bashkohej, edhe t’i mblidhte edhe votat e komuniteteve joshumicë, jo serbe, ta krijonte qeverinë omnibus pa Listën Serbe.
E pas Banjskës – nuk e di se cila parti shqiptare do të lidhej me eksponentët e Vuçiqit për t’u bërë me pushtet. Kjo në të kaluarën ka qenë e mundur dhe ka ndodhur disa herë, dhe njëra nga arsyet se përse opozita ka humbur terren në nivelin e zgjedhjeve të përgjithshme aq shumë në gjashtë a shtatë vjetët e shkuar, është pikërisht edhe ky fakt.
Nëse hipotetikisht do të ndodhte një skenar i tillë, do të ishte befasi shumë e madhe, dhe aspak e pëlqyeshme, e besoj.
Nesër në mbrëmje, nëse puna shkon sikur herën e shkuar me KQZ-në, do t’i kemi rezultatet preliminare dhe me siguri do të na bjerë të presim nja tri javë për ato përfundimtaret. Atëherë kur do të nisë sezoni i tretë i serialit “zgjedhjet”, nisur në shkurtin e vjetëm.
* * *
Ndërkohë, duke iu kthyer jetës normale, apo më mirë thënë anormale, se te ne vetëm zgjedhjet janë normale, ishin dy gjëra që i veçova për t’i komentuar.
E para qe një protestë e organizuar nga një OJQ para dy ditësh para Ambasadës së Shqipërisë në lidhje projektin në Zvërnec.
Nuk e di sa prej protestuesve janë shtetas të Shqipërisë, porse nëse nuk janë, sinqerisht nuk e di se çka kanë kërkuar aty për të protestuar për një diçka që ndodh me qindra kilometra larg Kosovës, në territor të shtetit të Shqipërisë që edhe e ka të drejtën për një vendim sovran në lidhje me projektin ose jo (thuajse ne në Kosovë nuk e kemi asnjë arsye për të protestuar për telashet tona).
Solidarizimi me protestuesit në Tiranë paskësh qenë argumenti. Ani.
Por kur po e mendoj më gjatë, kjo i bie njësoj sikur ne, në rast se do të çoheshim të protestonim për, ta zëmë taksën që do që ta imponojë Rama në Prishtinë, të prisnim që dikush në Tiranë të shkonte para Ambasadës së Kosovës dhe të protestonte për këtë.
* * *
E qëkur u hodh në debat publik “Plotësim ndryshimi i rregullores 01. nr. 110-2782 më 02.12.2011 për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba në Komunën e Prishtinës”, deri tash kemi dëgjuar e lexuar shumë reagime nëpër rrjete sociale – por nuk e pamë asnjë protestë paralajmëruese për një veprim që është bash diskriminues.
Përderisa Ligji e përcakton Prishtinën si kryeqytet, dhe vetë Rama e quan veten kryetar i Kryeqytetit, Prishtina nuk mund të jetë qytet vetëm i atyre që jetojmë këtu, pavarësisht se cilit brez i takojmë – fundja shumica e banorëve të Prishtinës, me gjenerata, i kanë rrënjët jashtë saj.
Përderisa kryeqyteti është edhe qendër administrative në të cilën janë punësuar njerëzit prej të gjithë Kosovës, pavarësisht se a jetojnë në Prishtinë apo jo, vendosja e taksës hyrëse në qytet, pa asnjë diskutim, është diskriminues. Për më tepër, mund të shkaktojë kundërreagim të komunave të tjera në Kosovë, punë që do të na fuste në telashe pa pasur fije nevoje.
Propozimi çfarë është, e parasheh taksën në vlerë prej 10 eurosh në ditë. Për dikë që vjen, për shembull, në punë për çdo ditë nga Drenasi, ato janë minimum 200 euro në muaj, e besoj absolutisht të papërballueshme.
Shumë do të kishte logjikë të zbatohej një taksë e këtillë për prishtinasit dhe qarkullimin me veturë në qendër, ku ngufatja është më e madhe, porse Prishtina nuk i plotëson kushtet elementare për një gjë të tillë – trafikun urban e ka pamjaftueshëm të zhvilluar dhe nuk ka mekanizma, siç i ka Singapori ta zëmë, ta kufizojë numrin e veturave në pronësi – ne kemi jo pak familje që kanë nga më shumë se një veturë për ekonomi familjare.
Arsyetimi se miratimi i kësaj rregulloreje po bëhet për shkak se qeveria po i mban të bllokuara paratë e BERZH-it, dhe se për këtë shkak nuk mund të ndërtohet unaza e jashtme e Prishtinës (qe nja dhjetë vjet flitet kjo puna e unazës), përderisa Prishtina i merr 20 milionë shtesë nga buxheti i Kosovës vetëm për shkak të faktit se është kryeqytet dhe i humb 45 milionë euro nëpër procedura përmbarimore – është spin i keq.
E edhe më i keq është kur në një status në FB, Rama e lë të shkruar se tarifat janë të shkallëzuara, pra përcaktohen sipas automjetit, edhe pse draftrregullorja e parasheh një të vetme tarifë për vetura – 10 euro në ditë.
E se Prishtina, sikurse Kosova, ka shumë telashe që kërkojnë adresim, kjo nuk ka asnjë dilemë.
E se në vend të punës krejt çka dëgjojmë është “qeveria po bllokon” ose “20 vjet shkatërrim kemi trashëguar” edhe kjo nuk ka asnjë dilemë.
Qytetarët jemi bërë sportel ankesash të llojit të pallavrave që na përsëriten për çdo ditë herë nga ky e herë nga ai tabor. Pak punë e dije nuk kish bërë zarar.
Se aq shumë na keni dërrmuar, sa mbase dita e protestave për Zvërnecat tanë nuk do të jetë fort e largët.